Ne emigrantët , jetimët e mëdhenj

Bashkim Metalia

Mbas viteve 90-ta, për shqiptarët ka qenë “ëndrra” kryesore të arratisen nga atdheu i tyre i bjerrë. Padyshim kjo ikje, i tejkalon parashikimet e të menduarit racional. Ishin të pashmangshme ato kohe të mendoje se mund të bëje diçka të parandaloje një eksod të tillë.
Sepse ata po iknin sepse ishin në një vend ku luftohej. Në njërën gjysmë të trungut shqiptar luftohej kundër një aparteidi , gjenocidi të paparë serb, në gjysmën tjetër luftohej për lirinë individuale, lirinë e fjalës , luftohej mes njëri-tjetrit, për pronën, luftohej fatkeqësisht edhe për copën e bukës së gojës.
E pra , NE shqiptarët ishim në një gjendje të jashtëzakonshme që për çdo gjë tjetër ishim të ndaluar ta bënim përveç ikjes, nga sytë këmbët. Dalazotë nuk kishim, përkundrazi inkurajoheshim të iknim sa më shpejt të ishte e mundur. Ata që ngelnin(për momentin) konsideroheshin të “paaftë” ose që ishin në tentativë e sipër. Në fakt ky trend i ikjes fatkeqësisht u kthye në modë të dalë boje porse vishej dendur çdo ditë nga gjithsecili prej nesh.
Nga ato vite vetëm në Shqipëri, Organizata e Kombeve të bashkuara nxori rezultatin nëpërmjet Raportit të Origjinës dhe Destinacioneve të Emigrantëve nëpër botë prej vitit 1990 deri në 2015, kanë lënë vendin një milion e njëqindenjëzet mijë shqiptarë. Gjysma e popullsisë u largua nga trungu i tyre dhe që nga 2015-ta e deri sot ikja s’ka të sosur.
Akoma luftë…..!
Edhe mbas disa betejave të fituara spontanisht apo dhe me “vullnete” politike, ikja mbetet sfidë dhe betejë e pa fituar deri tani.
Trishtohesh kur kthehesh në kohë jo sezonale pasi vendi është bosh me kuptimin e plotë të fjalës.
Ama zemra të bëhet mal kur të ikurit e mëdhenj kthehen (përkohësisht , më e shumta një ose dy muaj) në periudhat e pushimeve verore, sidomos.
Ajo çka na vret më së shumti neve të kthyerit e përkohshëm, është sepse nuk e gjejmë atë mirëseardhjen e ngrohtë të njëmendtë, nga shteti dhe pushteti lokale.
Qindra mijëra bashkatdhetarë jo vetëm për patriotizëm qoftë edhe ai klasik, i mësyhet mëmëdheut për të bërë një “yoga” shqiptarçe për të gjetur rehatin shpirtërore dhe fizike, me të afërmit , shoqërinë , tokën e lënë djerrë dhe destinacionet e panumërta turistike.
Deri këtu kemi cfarë ti tregojmë vetës, atyre që nuk patën mundësinë ta shijojnë si ne këtë panoramë por dhe të vendasve ku jetojmë dhe punojmë.
Por ana tjetër e medaljes së pamerituar; turpërohesh ta zgjasësh për mungesat infrastrukturore, paketave/ofertave turistike, mungesa të ciceronëve nëpër gërmadhat arkeologjike, dhe më esencialja mungesa e respektit ndaj nesh, emigrantëve, bashkëkombësve …..
Me muaj të tëra priten biletat online, e para sepse sido që të jetë , Shqipëria është ambienti preferencial për t’u prenotuar, dhe së dyti sa më vonë që të lihet për t’u prerë biletat, çmimet të tmerrojnë a thua po udhëtohet në Australinë e largët apo gjetkë.
Shteti kokën në rërë si struci, jo vetëm sot , por në të gjithë këto dekada. Si qytetar, si një i lindur në atë vend tmerrohem nga propaganda politike e pushtetarëve në qendër dhe lokale për garancitë, sigurinë, akomodimin, infrastrukturën a thua të gjithë ne që shkojmë atje nuk shohim realitetin.
Standarde evropiane….
Togfjalësh i përdalë politik dhe i pamoralshëm njëkohësisht.
A thua ne që vijmë nga Evropa nuk e bëjmë dot një dallim mes standardeve.
Emigrantët nuk respektohen nga shteti shqiptar që në hyrje, aeroport apo pikë doganore.
Emigrantët nuk trajtohen njëjtë si vendasit në akomodime apo në shërbime të ndryshme, pasi ne jemi ata që vijmë nga jashtë me xhepa plot.
Ne emigrantët nuk supozohemi nga shteti amë si potencial i madh investimesh, binjakëzimesh apo shkëmbimesh nga më të larmishme, kulturore, shkencore etj.
Shteti me ose pa dashje diskriminon bashkëkombësit e vet me “diversion” jo vetëm të menduarit ndryshe ndaj nesh por dhe të lëvizjes së lirë brenda territorit, kur për një pjesë është e lejueshme për një tjetër jo.
Në shqiptarët emigrantë jemi jetimët më të mëdhenj për sa kohë kemi pengesa udhëtimi jo vetëm ato të kartave jeshile. Pengohemi nga grykësia e biletave të shtrenjta, mirësjelljes në shërbime bie fjala një “ të lutem apo faleminderit” s’do të ishte e tepërt.
Pengohemi nga zbatimi rigoroz i ligjit kushtetues ndaj bashkëkombësve në diasporë.
Shteti amë nuk ia ka idenë sa ka, sa i kanë ikur, sa hyjnë dhe sa dalin të arratisur, për tu kthyer, për të mos thënë fare, shumë vonë.
Çdo njëri prej nesh pa qenë nevoja të jetë ekspert apo njohës i situatave të veçanta në atë apo këtë subjekt e vë re se : “politika është më e rrezikshme se lufta, sepse në luftë ju vriteni vetëm njëherë”. Do ta thoshte pa drojë përsëri Çurçill.