Ndriçim Xhepa në historitë romantike të bankierit Santo

Rrëfimet poetike të bankierit Anton Santo në teatër, “Individ” me regji të Armand Borës, me pjesëmarrjen e veçantë të aktorit Ndriçim Xhepa dhe aktorëve Suela Konjari dhe Rozi Kostani

Santo në rrëfime: Me Gim Bajkon, Çim Xhepën, kujtoj revoltat për të mos qethur kokën

“Individ” është premiera e re në Qendrën Kulturore “Tirana” (Teatri i Metropolit). Teatër i rrëfimit poetik, e ka quajtur regjisori Armand Bora, shfaqjen që e ka ndërtuar mbi veprën “Individ” të Artan Santos, të cilën e ka shkruar në vitin 2006. “Kur Santo më dhuroi librin, bashkë me shënimin e tij, ndjeva një lloj detyrimi, që në njëfarë mënyre më bënte të gjeja një formë për ta vënë në skenë. Pas leximit të librit, detyrimi u dyfishua edhe më shumë për këtë shfaqje. Padyshim, më vjen keq që nuk gjeta mundësinë për ta realizuar gjatë kohës që Santo  ishte gjallë”,- thotë regjisori Armand Bora.

Shfaqja, e cila nisi dje në mbrëmje dhe do të vazhdojë deri të enjten në sallën “Shekspir”, ora 20:00, vjen në formën e një ditari, të ndërprerë herë- herë nga poezi, ku do të interpretojnë Ndriçim Xhepa, Suela Konjari, Rozi Kostani. Nis në mënyrë kronologjike. Që nga kujtimet e fëmijërisë, prindërit, shokët e shkollës e mësuesit e parë. Më pas vazhdon me pushimet në qytetin e Durrësin dhe kryesisht Elbasanin, vendin ku kishte gjyshin dhe gjyshen e tij, personat që e kanë afruar Santon me librin. “Do ndiqet linja kronologjike e zhvillimit të ngjarjeve, ku ndryshe nga çfarë autori ka bërë në librin e tij, nuk korrespondon proza me poezitë, por unë i kam përzgjedhur në mënyrë të tillë që si proza edhe poezia të shkojnë drejt këtij uniteti kronologjik kohor”, – shprehet regjisori. Në kujtimet e tij, një nga momentet më interesante është përshkrimi që bankieri shkrimtar i bën angazhimit të tij në filmin “Guximtarët”, aventura dhe njohja e një pjese të Shqipërisë së panjohur për të, fillimet e para të kontaktit me artin dhe letërsinë, për të cilin ishin një lloj dashurie me shikim të parë. Sipas Borës, në shfaqjen që zgjat diku rreth një orë do të vijojnë në mënyrë kronologjike dhe kujtimet nga adoleshenca me historitë romantike, më tej universiteti, ku nuk harron të kujtojë miqtë e tij më të mirë, si Ndriçim Xhepën, Agim Bajkon dhe Shkëlqim Canin, me të cilin ndante dhe të njëjtin fakultet. “Më vjen mirë që në njëfarë mënyre gjeta mundësinë për ta realizuar këtë shfaqje, por edhe bashkëpunimi me Ndriçim Xhepën dhe gatishmëria e tij për të bashkëpunuar për ‘Individ’ më bën të mos ndihem borxhli”, – shton regjisori.

Në çdo moment autori gjen rastin për të nënvizuar momentet komike, siç është rasti i prezantimit të tij të parë në punë apo dhe raste të tjera. Për të vijuar më tej, me sfidat e tij profesionale në fushën e ekonomisë dhe sistemit bankar, ku padyshim themelimi dhe rritja e Bankës ‘Credins’ është njëri nga më kryesorët. I dashuruar pas muzikës së Çelentanos dhe kjo ndihet në një cikël poezish, po ashtu edhe disa proza të shkurtra që ai ka shkruar.

Familja, bashkëshortja dhe dy fëmijët janë prezentë edhe përmes poezive shumë të ndjera që ka bërë për djalin, vajzën dhe të shoqen. “Por edhe në rrëfimet e tij në prozë, ku marrëdhënia me bashkëshorten është një marrëdhënie midis miqsh, të dashurish dhe bashkudhëtarësh në sfidat e tyre të përbashkëta. Ndaj në shfaqjen ‘Individ’ jemi përpjekur të realizojmë zyrën e Santos, vendi nga ku ndoshta kanë buruar shënimet dhe nga ku ka marrë formën përfundimtare ky libër”, – shton Bora. Skenografia është realizuar nga Hysni Loka. Gjithashtu, i gjithë teatri i rrëfimit poetik do të shoqërohet nga muzikë live, e interpretuar në piano dhe projektime imazhesh e fotografish, të cilat kanë të bëjnë me Santon, duke plotësuar sfondin e poezive të tij. Ndërkaq është menduar që pas spektaklit të bëhet një bisedë me të ftuarit, ata që kanë lexuar librin dhe ata që kanë bashkëpunuar apo e kanë njohur nga afër. “Individ” është një bashkëpunim midis Bankës ‘Credins’ dhe Qendrës Kulturore “Tirana” (Teatri Metropol).

Rrëfimet e Santos

“…Histori më vetë, pritja tërë ankth për të na dalë emri në listë se në ç’degë do të studionim. Gjatë viteve të gjimnazit dhe veçanërisht gjatë stazhit, kisha lexuar disa nga librat e mjekësisë, të arkitekturës, madje kisha kryer edhe praktika të ndryshme “stërvitore”. Juridiku më pëlqente gjithashtu. Por më doli ekonomiku.

Në ditën e dytë të fillimit të fakultetit shtrohem në spital, për një ulçer në duoden. Me mes të vitit të parë, e lë fakultetin për dy javë, pasi s’më pëlqente. Isha në një grup me Çim Canin, shokun tim të gjimnazit dhe shpesh vendimet për të tilla ngjarje i merrnim së bashku. Më pas, e pamë që s’kishte rrugë tjetër, vijova rregullisht mësimet, me të mirat dhe të këqijat që gjykoja në atë kohë.  Në disa provime, për të cilat s’kuptoja përse duheshin, i kam bërë edhe kopje. Tani them që kam bërë fort mirë, pasi tani jo e jo, por as atëherë dhe asnjëherë ato nuk kanë qenë praktikuar, veçse në kokën e atyre profesorëve tanë të dashur dhe të kohës që jetonin.

***

Zbori ushtarak pas fakultetit, për rreth 5 muaj në Golem, kokat e qethura, impenjimi im me grupin e piktorëve, më bëri që ta kaloja rehat atë periudhë. Mbaj mend që një herë një pedagog i Akademisë së Arteve, erdhi në repart dhe komisari ynë i thotë që kemi këtu tre djem piktorë shumë të talentuar. “Ja-  i thotë ai –gjithë këto tabela, piktura murale, etj i kanë realizuar ata”.

Me të drejtë ai i pyet se kush janë këta dhe komisari i sjell në dhomën tonë. Me Borisin dhe Pavllon u përshëndetën si të njohur të vjetër, kurse mua më tha: “Po ty pse s’të mbaj mend?”. Shokët e mi të mirë ndërhynë përnjëherë duke i thënë që unë kisha përfunduar për skenografi e kështu, ia hodha, ndonëse vërtet pikturoja dhe kisha një shkrim që ia vlente të isha pjesëtar i atij grupi. Kur shoh fotografitë e asaj kohe me Gim Bajkon, Çim Xhepën, kur kujtoj revoltat për të mos qethur kokën, ditët e ftohta të nëntorit dhe “pozdravin” që e dëgjonim duke perënduar dielli, më krijohet një lëngështim I brendshëm për vitet që s;kthehen më, sikur çfarëdo çmimi të vësh. Në 1984-ën, filloj punë në Institutin e Studimeve Ekonomike, në Sektorin e Ekonomisë Botërore. Aristotel Pano, më mësoi artin e të studiuarit duke e ngulitur fort në punë, ndërsa Hasan Banja, logjikën e të shkruarit dhe të gjithë së bashku, punën e mirëfilltë shkencore….”