Ndotja, ja sa do të paguajnë drejtuesit për të modifikuar makinat e vjetra

Drafti i Ministrisë së Mjedisit dhe i Ministrisë së Transporteve për ndotjen e makinave do të kalojë për diskutim në komisione.

Edhe pse është ende në fazë diskutimi, ky draft ka ngjallur mjaft pakënaqësi tek drejtuesit e automjeteve, që sipas projektligjit do të detyrohen të paguajnë shuma të mëdha parash për të modifikuar automjetet e tyre.

Konkretisht, drejtuesit e makinave të prodhuara para vitit 2000, brenda 1 korrikut të 2017-s duhet të plotësojnë standardin “euro 3” të shkarkimit të gazrave, pasi qeveria ka në plan të nxjerrë nga qarkullimi makinat e vjetra që ndotin ajrin. Përgjegjësinë për plotësimin e standardit “euro 3” e mban pronari i makinës, në këtë rast kostoja do të paguhet prej tij. Sipas specialistëve, kostoja për çdo makinë të vjetër varion nga 17 mijë lekë të reja deri në 150 mijë lekë të reja. Kjo është kostoja që duhet të paguajë një qytetar që disponon një makinë të vjetër, qoftë me benzinë apo naftë, në rast se dëshiron ta mbajë atë ende në qarkullim, pas korrikut të 2017-s, shkruan “Panorama”.

Sipas specialistëve, instalimi i një katalizatori që redukton nivelin e shkarkimet të ndotësve të gaztë kushton nga 17 mijë lekë të reja deri në 50 mijë lekë të reja. Në rast se makina është shumë e vjetër dhe do të kërkohet instalimi i marmitës katalitike, tarifa për instalim kushton 150 mijë lekë.

Nëse një qytetar disponon një makinë që i përket standardit “euro 1” (viti i prodhimit 1 janar 1992 deri më 31 dhjetor 1995), apo një makinë që kategorizohet në standardin “euro 2” (viti i prodhimit 1 janar 1996 deri më 31 dhjetor 1999), ka afat deri në korrik të 2017-s të instalojë katalizatorët për ta përshtatur atë me standardin “euro 3” që kërkohet.

Në rast të kundërt, nëse brenda muajit korrik pronari i makinës nuk e përshtat mjetin me standardin që do të kërkohet nga qeveria, makina nuk do të kalojë testin e shkarkimit të gazrave në kolaudim. Pas kësaj, makina do të ndalohet të qarkullojë, pra do të bëhet çregjistrimi. Penalizimi përcaktohet në draftin e qeverisë.