Ndërkombëtarët duhet të ndërhyjnë në Kosovë, vendasit nuk kanë pjekurinë e duhur

Nga Mirel Sheme

Prej kohësh situata politike në Kosovë po kalon në një gjendje aspak normale, tashmë u bënë disa seanca radhazi që Parlamenti po i zhvillon punimet në situatë jo të zakonshme. Gjatë ditëve të fundit pesë deputetë të mazhorancës u vunë në pranga, mes tyre edhe ish- lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti. Bajram Xhelili, ish- ministër i Mjedisit në Maqedoni, njëkohësisht njohës i politikës së Kosovës, në një intervistë për gazetën “Shekulli” shprehet se rruga që kanë zgjedhur palët për të bërë politikë nuk janë në favor të shtetit dhe të qytetarëve. Në lidhje me kauzën e opozitës Bajrami shprehet se fillimisht duhet të pritet një vendim i Gjykatës Kushtetuese përpara se opozitës t’i jepet e drejta për tu shprehur në Parlament. Sipas tij zgjedhjet e parakohshme në Kosovë nuk janë aspak në dobi të situatës që po kalon vendi.

Zoti Bajrami ju keni qenë ministër në Maqedoni, por edhe njohës i politikës në Kosovë. Si i shihni zhvillimet e fundit në Kosovë?

Kosova në momentet që po flasim po kalon një situatë aspak normale. Rrugët që kanë zgjedhur palët, qoftë opozita, qoftë mazhoranca nuk janë në favorin e shtetit të ri të Kosovës. Opozita ka padyshim të drejtën e saj që të protestojë. Ka të drejtën legjitime për të përdorur të gjitha mjetet demokratike, për t’i shprehur qytetarëve të Kosovës zërin e saj, por në asnjë mënyrë opozitës nuk i lejohet dhunimi i institucioneve siç është parlamenti. Në gjykimin tim gazi lotsjellës në parlamentin e Kosovës është një akt i dënueshëm dhe të gjithë ata që kryejnë vepra të tilla, kushdo qofshin duhet të marrin dënimin konform ligjeve të shtetit.

Ju thoni që veprimet e opozitës janë të dënueshme, por a bien ato në kundërshtim me çështjen për të cilën po kryhen këto veprime si bashkimi i komunave serbe në Kosovë, “Zajednica” apo edhe demarkacioni me Malin e Zi?

Këto janë dy marrëveshje për të cilat ende institucionet e Kosovës, si parlamenti ashtu edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk e ka dhënë fjalën e fundit. Ne ende nuk e dimë se si mund të jetë fundi i tyre. Edhe sot që flasim autoritetet në Kosovë nuk e kanë parë një dokument të tillë, një marrëveshje me Malin e Zi për vijën kufitare. Për mua këto të gjitha janë hamendësime, për të cilat opozita do ta ketë mundësinë e vetë për tu dëgjuar, gjatë kohës që këto marrëveshje do të mbërrijnë në Parlamentin e Kosovës. Në gjykimin tim nuk janë këto dy arsyet kryesore që opozita e Kosovës sillet në këtë mënyrë.

Por sipas jush cili mund të jetë shkaku apo “kauza”?

Unë nuk dua të hamendësoj, por edhe një zyrtar i lartë i bashkësisë kombëtare në Kosovë është shprehur se të gjitha këto veprime mund të lidhen fort edhe me ligjin për Gjykatën Speciale.

A mund të cilësohet një veprim normal ndalimi i 5 deputetëve të opozitës?

Për mendimin tim çdokush që nuk respekton rregullat dhe thyen ligjet e shtetit duhet të mbajë përgjegjësi për veprat që kryen. Pavarësisht nëse është deputet apo ministër. Demokracia është ndërtuar mbi rregulla dhe si e tillë duhet respektuar.

Në gjykimin tuaj cila do të ishte një zgjidhje për situatën e krijuar në Kosovë?

Duke qenë se Kosova është një shtet i sapoformuar ndihma duhet të jetë e menjëhershme dhe konkrete nga bashkësia ndërkombëtare. Ende institucionet e Kosovës, si qeveria dhe opozita, nuk kanë arritur atë pjekurinë, atë përvojë institucionale dhe demokratike për të arritur marrëveshje të tilla. Mendoj që pa ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, SHBA-ve dhe BE-së, Kosova do të ndjekë atë rrugë, të cilën unë personalisht e dënoj.

Kjo situatë mund të sjellë një lëvizje në qeveri, me zgjedhje të parakohshme apo edhe me anën e një referendumi?

Mendoj që sot në Kosovë kemi një pushtet të ligjshëm. Edhe në rast se do të kemi zgjedhje të parakohshme të gjitha sondazhet tregojnë dy partitë kryesore si PDK dhe LDK, se pothuajse do të ruajnë të njëjtat pozita. Zgjedhjet e parakohshme në këtë moment nuk janë në favor të zgjidhjes së problemit të Kosovës. Përkundrazi sot Kosovës i duhet qetësia, stabiliteti dhe respektimi i shumicës parlamentare. Pakica nuk mundet kurrsesi që të bllokojë shumicën, nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës dhe nuk duhet të ndodhë as në Kosovë. Qeveria duhet të dëgjojë zërin e opozitës, por në asnjë mënyrë nuk mund t’i diktohet rregullave të saj.

Të respektohen institucionet

Përpos ndihmës së kombëtarëve, a nuk do të ishte më korrekte që politika e Kosovës të ulej në një tryezë për të mirën e përbashkët?

Unë e përmenda edhe më parë, sot në Kosovë kemi një qeveri legjitime, të formuar nga dy partitë e mëdha. Edhe opozita ka të drejtë për të kërkuar informacione me qëllim që të japë kontributin e vet, për zgjidhjen e këtij ngërçi të krijuar nga të dyja palët. Bashkësia ndërkombëtare padyshim që i ka të gjitha mekanizmat për të ulur palët në bisedime, pasi ka meritat kryesore për çlirimin e Kosovës. Besoj që shumë shpejt do të gjendet një zgjidhje e përbashkët për kalimin e kësaj situate. Cilado që të jetë zgjidhja duhet të jetë në favor të Kosovës. Për mua ajo që ka rëndësi, edhe nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme është fakti që pushteti dhe opozita në të ardhmen duhet të respektojnë institucionet e shtetit.