Nalton Shtëmbari; T’i përkushtohesh ëndrrës në metropolin britanik

Marinela Nikolli
Ai mori frymë lirisht. Ishte një ndjesi që edhe ai vetë nuk e kishte menduar që do ta përjetonte ndonjëherë. Çështja që ai kishte marrë përsipër u fitua. Ishte ky nje moment “kyç” ne rrugëtimin e tij, drejt plotpërmbushjes së ëndrrës që përkonte në pasionin për të qenë avokat në Mbretërinë e Bashkuar.
Ishte më shumë se rastësi që e bëri atë të ndihej krenar dhe patjetër që në mbamendjen e tij është e rezervuar si një gur i rëndësishëm kilometrik. Mbase as që e kishte menduar që një ditë Nalton Shtëmbari, i riu fierak me plot ëndrra do të mbronte një amerikan në një Gjykate Britanike.  Për një çast ai u rikthye pas në kohë dhe po reflektonte për të kaluarën e tij. Ishin me mijëra mendime që po i kalonin nëpër kokë dhe ia ku u arrit që ëndrra e tij fëmijërore ishte bërë realitet.
Që kur ishte një fëmije i vogël ëndrra e Naltonit ishte të mbronte dhe të ndihmonte njerëzit  e pafajshëm dhe ato që ishin në nevojë. Për këtë arsye, ai vendosi që të ndiqte ëndrrën e tij dhe kur mbushi 18 vjeç u zhvendos në Tiranë ku do të ndiqte studimet për drejtësi, pranë Universitetit të Tiranës.  Ndërrimi i sistemit politik në Shqipëri u shoqërua me shumë vështirësi dhe kjo vetëm sa e forcoi më shumë Naltonin të luftonte për atë që dëshironte të arrinte në jetë dhe ia doli të mbaronte me sukses studimet në vitin 1995.
Pas përfundimit të studimeve, ai e ndjente të nevojshme të fillonte një punë në profesionin e tij. Nuk zgjati shumë periudha e kërkimit dhe ai filloi të punonte si jurist pranë Bankës Tregtare Kombëtare. Edhe pse po bënte një punë të cilën e kishte ëndërruar për një kohë të gjatë, ai nuk ndihej i plotësuar. Ishte një ndjesi që e shtynte atë të ndërmerrte disa hapa më të rëndësishëm në jetë.

Situata e rëndë politike në Shqipëri gjatë vitit 1997, u bë një shtysë më shumë për të që të merrte rrugët e emigrimit.  Viti i mbrapshtë 1997 preu ëndrra të shumë shqiptarëve. Pamundësia për realizimin vetvetsor e shtyu atë që të vishte “petkun e emigrantit” për të përfunduar në Mbretërinë e Bashkuar. Të gjendurit thuajse i përhumbur në Londër dhe orientimi drejt ëndrrës së tij, ishte një sfidë në vetvete. Njohja e gjuhës Angleze ishte padyshim një aset që e ndihmoi në fillimin e një karriere që thuajse përkonte me ëndrrën për të qenë jurist në Britani.  Nga viti 1997 deri ne 2006, ai punoi si përkthyes dhe interpretues i Gjuhës Shqipe. Gjatë kësaj periudhe ai pati rastin të njihej nga afër me problematikat me të cilat komuniteti shqiptar përballej ne Mbretërinë e Bashkuar duke u munduar të bënte të pamundurën tu gjendej sa më pranë bashkatdhetarëve të tij.  E ndjente si detyrim të përkrahte njerëzit në nevojë që vinin nga treva të ndryshme shqiptare. Të qënurit përkthyes ishte vetëm një stacion i përkohshëm i rrugëtimit të tij drejt dëshirës dhe pasionit për t’u bërë avokat, pasi kurrsesi nuk mund të shmangte ëndrrën e tij fëmijërore.

Dhe erdhi dita, që karriera e tij do të shënonte një hap tjetër, duke u regjistruar në “Open University” Britani. Shijimi i të qënurit student në Mbretërinë e Bashkuar, farkëtuar me fortësinë e karakterit të tij për t’i çuar gjerat deri në fund, shërbyen për të si çelës  drejt suksesit.  Gjatë kohës që po studionte, donte ta mbante veten sa më të angazhuar. Për këtë arsye, ai punonte dhe studionte paralelisht.  Ishte një kompani avokatësh në Vauxhall të Londrës, nga ku ai filloi karrierën në Angli në profesionin e tij. Naltoni punoi aty si “paralegal” dhe padyshim kjo ishte një paradhomë fantastike në rrugën drejt një karriere të suksesshme. Pas katër viteve, ai arriti të përfundonte me sukses studimet dhe ia ku erdhi momenti që “kapelën e studentit” ta hidhte përsëri por kësaj radhe si student “anglez”.

Kjo ishte thjesht një copëz nga vizioni i tij për të qënë një jurist. Pas përfundimit të studimeve ai filloi të punonte për kompaninë  e avokatëve ‘TV Edwards Solicitors’, e cila ishte një eksperiencë e re për Naltonin.  Përvoja që ai fitoi aty ishte shumë e çmuar dhe kujtimi më i paharrueshëm që ai ka nga ajo kompani, është kur ai u kualifikua si një avokat me eksperiencë në shtator të vitit 2014. Edhe pse pothuajse kishte arritur ëndrrën e tij, Naltoni nuk dorëzohej dhe donte të ndërmerrte hapa të tjerë drejt plotpërmbushjes. Për këtë arsye, në vitin 2015 ai vendosi të vazhdonte punë pranë një kompanie prestigjioze avokatësh. Pasioni dhe përkushtimi do ta shtynin më tej drejt shkallëve të tjera të karrierës duke “mos e lejuar” të mbetet një avokat të thjeshtë. Devotshmëria dhe këmbëngulja e shpërblyen atë kur ai u kualifikua si Barrister në fushën e çështjeve penale në Janar të vitit 2016.  Duke parë sesi ngjarjet po rridhnin pas Brexit, Naltoni vendosi ti jepte një drejtim tjetër karrierës së tij. Momentalisht ai merret me çështjet e pasurisë ‘Commercial Property’. Ai shpreson që ky hap i ri që ai ka ndërmarrë do t’i sjellë sa më shumë frute  dhe do ta pasuroje dhe më tej karrierën e tij. Çelësi i suksesit sipas Nalton-it qëndron në vendosmërinë për të arritur atë që kërkon si dhe të pasurit e një qëllimi të lartë në vetvete.
Nalton Shtëmbari mbetet padyshim shqiptari model në Mbretërinë e Bashkuar, personifikimi i suksesit dhe dëshmia se nëse vërtetë dëshiron të arrish diçka mund ta realizosh.  Mesazhi që ai do tu përcjellë bashkëkombësve në Britaninë e Madhe është shumë i thjeshtë por ka shumë domethënie.  !Anglia është vendi i mundësive të pafundme dhe bashkatdhetarët duhet të përfitojnë nga këto mundësi në maksimum, sepse me shumë punë dhe besim në vetvete gjithçka mund të arrihet. Asgjë nuk është e pamundur, mjafton përkushtimi për të arritur atë çfarë dëshironi”  Vetëm kështu imazhi i shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar do vije gjithnjë e më tepër duke u përmirësuar duke bërë që gjithsecili nga ne të jetë krenar që është shqiptar.