Naim Hajdarmata: “ Atdheu është dinjiteti im”

Nga Esmeralda Sadikaj

Kur shkeli për herë të parë në dyert e Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë, pa që një prej ëndrrave të tij po realizohej. Ishte ëndrra e një 14-vjeçari që nuk mund të vazhdonte një shkollë të lartë, për shkak të biografisë së tij.
Në atë kohë ai kurrsesi nuk e kishte menduar që jeta ofron befasi nga më të pabesueshmet, dhe nga muzikant një ditë ta gjente veten në një nga biznesmenët më të suksesshëm shqiptar në Britaninë e madhe, shembulli, modeli i shqiptarit të suksesshëm, e shqiptarit të integruar më dinjitet në shoqërinë Britanike.

Naim Hajdarmataj është shqiptari që arriti të kaloj nga arti në biznes dhe synon në të ardhmen edhe politikën. Endrra e tij e fëmijërisë u realizua duke studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Atëherë nuk mendonte se do të shkëputej nga Shqipëria dhe do të shkonte shumë larg profesionit të tij. E gjen veten në Mbretërinë e Bashkuar, duke ja nisur çdo gjë nga e para. “A të vjen keq të të pyes, se ku bie Shqipëriaë “ Këto ishin fjalët e para që dëgjoi nga oficeri i emigrimit në aeroport me të mbërritur në Britani. ‘Nuk e harroj dot ndjesinë e keqe që m’u krijua dhe u ndjeva aq I huaj,’ na thotë Naimi.
Kurrsesi nuk e mohoi origjinën, edhe pse për oficerin anglez, Shqipëria, ndoshta nuk ekzistonte në hartën e botës. Qëndroi aty për të kontribuar dhe për t’i treguar Britanisë dhe mbarë botës se shqiptarët vijnë nga një vend i vogël, por bëjnë gjëra të mëdha. Vend i panjohur, njerëz të panjohur, gjuhë angleze në nivelin fillestar, këto ndoshta shkaktojnë zhgënjime për të sapoardhurit.
Me Naimin ndodhi e kundërta. Këto vështirësi i dhanë forcë e kurajo për t’ia dale mbanë. Optimizmi dhe dëshira për të punuar ndikuan që nga muzikant një ditë ta gjente veten në një nga biznesmenët më të suksesshëm shqiptar në Britaninë e Madhe.
Fillesat i pati në një kompani si punëtor i thjeshtë, ku punoi me statusin e punëtorit vetëm për gjashtë muaj. Pas kësaj, u kthye në sipërmarrës duke shfrytëzuar hapësirat dhe mundësitë që të krijon shteti anglez. ‘Çelësi i suksesit tim është dëshira dhe ambicja për të arritur më të mirën.
Është geni shqiptar I trashëgueshëm që të zgjon, vullneti dhe çfarë janë më e rëndësishmet, vlerat njerëzore,’ shprehet Naimi. U gjendt krejt rastësisht në botën e biznesit, por pati aftësinë e menaxhimit të kësaj mundësie. Ai shfrytëzoi një hapësirë që i dha mundësinë e një suksesi të madh si prodhues detergjentesh dhe sot mbulon një pjesë të konsiderueshme të Britanisë me prodhimet e tij. Pas suksesit të arritur në Mbretërinë e Bashkuar, investoi edhe në Kosovë dhe Shqipëri.
Për Naimin atdheu ka një rol të pazëvendë sueshëm, atdheu është identiteti i tij. Me krenari na thotë,‘Atdheu është dinjiteti im, duke shtuar se në mërgim jemi një grimcë e shqiptarisë, në atdhe jemi gjithçka.’ Suksesin e tij ja dedikon shqiptarëve me të cilët bashkëpunon. është një urë lidhëse mes bashkëkombësave.
Veçse një njeri i kompletuar nga ana profesionale, Naimi është edhe një familjar shembullor. Sipas tij, të jesh prind është shumë e lehtë, por të jesh prind i mirë është shumë e vështirë. Pa dyshim të gjitha vlerat e kanë vendin e vet, por ne duhet të dimë t’I përdorim ato në vendin e duhur dhe në kohën e përshtatshme. është babai i tre fëmijëve. I biri, Erigleni është 18 vjeç me rezultate të shkëlqyer në mësime dhe ka nisur studimet në degën Ekonomik në City University. Ka edhe dy vajza, Ena 17 vjeçe dhe Ejona 14 vjeçe. Që të dyja shumë mirë me mësime.
Duke
qenë i suksesshëm në botën e biznesit, aftësitë menaxhuese janë në zbatim edhe në jetën e përditshme. Përpos vështirësisë, arrin të menaxhojë punën dhe familjen. Kontribut të veçantë ka dhënë edhe bashkëshortja e shkolluar në degë ekonomike.

Në këtë mënyrë kanë arritur një bashkërendim të suksesshëm të marrëdhënieve punë-familje. Mesazhi që dëshiron t’ju transmetojë shqiptarëve të Britanisë dhe në mbarë botën është që të besoni më shumë në vlerat e shqiptarëve dhe Shqiptarisë.

“Nëse do të arrijmë të njohim shijet e vlerave shqiptare do të arrijmë të thyejmë çdo rekord”, thotë Naimi duke shtuar se këmbëngulja dhe thjeshtësia janë elementë që të sigurojnë suksesin, duke mos harruar se kudo që të jemi dhe në çdo kohë duhet ta shohim veten si shërbëtorë të kombit.

Patriotizmi ka rrënjë të thella në personalitetin e tij. Nuk mund të mohojë se nëse nuk do të ishte rritur dhe edukuar në Shqipëri, ndoshta nuk do të kishte patur këto arritje në jetë. Nuk dëshiron që veprimtaria e jetës së tij të mbyllet
me biznesin.
Në të ardhmen dëshiron të hyjë në botën e politikës. Besimi në vetvete dhe përkushtimi ndaj diçkaje për të arritur suksesin e dëshiruar, janë shtysat që asnjëherë nuk e kanë braktisur.