Mustafa e Vuçiç të hënën në Bruksel

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Federika Mogherini do të takohet ditën e hënë me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa dhe atë të Serbisë Aleksandar Vuçiç. Në takim do jenë të pranishëm edhe dy ish kryeministrat, aktualisht minitra të jashtëm Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç.

ATSH raporton se takimi i të hënës do shënojë vazhdimin formal të dialogut në nivelin më të lartë politik ku pas gati një vit pauze në tavolinën e negociatave do ulen dy kryeministrat dhe ndërmjetësja e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Këtë proces e kishte nisur paraardhësja e Mogherinit Catherine Ashton ndërsa bashkëbisedues në atë kohë ishin Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç.

Sipas zëdhënëses së Mogherinit, Maja Kocijançiç, shefja e Politikës së jashtme europiane u ka dërguar ftesë vetëm kryeministrave.

“I përket liderëve nga Prishtina dhe Beogradi që më pas të vendosin përbërjen e delegacioneve nga kryqytetet respektive”, është shprehur ajo.

Për zyrtarët evropianë prezenca e dy ish kryeministrave në këtë takim është edhe konfirmim i vazhdimësisë së procesit.