Murati: Kontributi i diasporës ka qenë thelbësor për kombin shqiptar

Ministri i Diasporës në Qeverinë e Kosovës Valon Murati gjatë vizitës së tij në Finlandë, mori pjesë edhe në Forumin e Unionit të Bizneseve Shqiptare në Finlandë i mbajtur në komunën e Espos. jatë këtij takimi Ministri Murati shprehu kënaqësinë për mënyrën e organizimit të bizneseve shqiptare në Finlandë përmes UBSH-së dhe u premtoi përkrahje dhe partneritet të vazhdueshëm.

“Potenciali i juaj është faktor i rëndësishëm për të ardhmen e kombit”, tha Ministri Murati.

Ministri Murati gjithashtu foli për bashkëpunimin me dikasteret tjera qeveritare ku bëri të njohur edhe propozimin e tij për krijimin e një mekanizmi ndër-qeveritar për lehtësimin e të bërit biznes për ndërmarrësit nga diaspora, propozim ky i cili është miratuar dhe futur në programin qeverisës.

Gjatë takimit u bë edhe prezantimi i funksionimit të Unioneve të Biznesit Shqiptar në vendet e ndryshme të botës si dhe Unionit Global të Bizneseve Shqiptare në Diasporë ndërsa u anëtarësuan edhe 20 biznese të reja në UBSH Finlandë si dhe u prezantuan projekte të ndryshme në interesin te tyre.

UBSH – Finlandë udhëhiqet nga kryesia 8 me anëtarë dhe kryetari Omer Nura.

Themelimi i Unioneve te Biznesit në Diasporë është iniciuar nga Ministria e Diasporës me qëllimin e rrjetëzimit të bizneseve shqiptare në botë ku do të realizohet qarkullim i biznesit ndërmjet bizneseve shqiptare dhe investimi në projekte të ndryshme në atdhe.

Deri më tani janë themeluar 17 rrjete të Biznesit në Diasporë, përfshirë vendet Evropiane si dhe ne SHBA dhe Australi.