Miratohet plani kombëtar për integrimin 2014-2020

Qeveria miratoi sot Planin Kombëtar për Integrimin Europian 2014-2020 (PKIE). Sipas vendimit në fjalë Ministria e Integrimit orienton, bashkërendon dhe monitoron zbatimin e PKIE-së, 2014 – 2020, për çdo kapitull, nga grupet ndërinstitucionale të punës (GNP).

Ministria e Integrimit do të raportojë çdo 3 muaj në Këshillin e Ministrave për ecurinë e zbatimit të PKIE-së, 2014 – 2020.

Ja vendimi i plotë i Këshillit të Ministrave:

VENDIM PËR MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR PËR INTEGRIMIN EVROPIAN, 2014 – 2020

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Integrimit Evropian, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian, 2014 – 2020, (PKIE, 2014 – 2020), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ministria e Integrimit Evropian orienton, bashkërendon dhe monitoron zbatimin e PKIE-së, 2014 – 2020, për çdo kapitull, nga grupet ndërinstitucionale të punës (GNP), të ngritura me urdhrin nr.107, datë 28.2.2014, të Kryeministrit, “Për ngritjen, përbërjen dhe funksionimin e grupeve ndërinstitucionale të punës për integrimin evropian”.
3. Ministria e Integrimit Evropian raporton çdo 3 (tre) muaj në Këshillin e Ministrave për ecurinë e zbatimit të PKIE-së, 2014 – 2020.
4. Ministritë dhe institucionet e tjera qendrore në varësi të Këshillit të Ministrave raportojnë pranë Ministrisë së Integrimit Evropian, çdo 3 (tre) muaj (java e tretë e muajit të fundit), për realizimin e detyrimeve, që rrjedhin nga PKIE-ja, 2014 – 2020.
5. Ngarkohet Ministria e Integrimit Evropian, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, të monitorojë përfshirjen, nga ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, në programin buxhetor afatmesëm, të nevojave financiare për zbatimin e përparësive afatshkurtra dhe afatmesme, të parashikuara në PKIE, 2014 – 2020.
6. Plani Kombëtar për Integrimin Evropian është përpiluar në të njëjtën linjë me Planin Legjislativ Vjetor të qeverisë si dhe me Strategjinë për Zhvillim dhe Integrim. PKIE-ja është hartuar në gjuhën shqipe dhe anglisht.
7. Vendimi nr.486, datë 25.7.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Planit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, 2012 – 2015, dhe përcaktimin e përgjegjësisë institucionale për përafrimin në legjislacionin shqiptar të çdo akti të legjislacionit të Bashkimit Evropian”, shfuqizohet.
8. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore në varësi të Kryeministrit, për të cilat në PKIE, 2014 – 2020, janë përcaktuar detyra të veçanta, për zbatimin e këtij vendimi.