Ministri Tahiri mbrojtësi apo gjuetari i emigrantëve shqiptarë në Britani?

Nga Petrit Kuçana

Ishte paksa i çuditshëm, madje befasues, deklarimi i Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri nga Londra. Jo vetëm që nuk mori asgjë nga “stili” anglez i të shprehurit, por u duk tamam si Minsitri që deklaron për “burg” për mospaguesit e energjisë elektrike.
“I kërkova ministres të shkurtojmë procedurat e trajtimit të kërkesave për azil, pasi zgjatja në kohë e përpunimit të procedurave dhe e verifikimit shërben si një lloj ftese për ata që duan, qoftë edhe të kalojnë atë periudhë kohe që është shkurtimi i kërkesës, ta kalojnë në Britaninë e Madhe”: Saimir Tahiri.
Kjo ishte edhe pika e nxehtë e marrëveshjes që kurrsesi nuk u perceptua as si “patatja e nxehtë” për Ministrin që duhet të mbrojë interesat e shqiptarëve, por tamam si në “luftën” ndaj mos-paguesve të energjisë apo atyre që nuk guxojnë të pajisen me kutinë e ndihmës së shpejtë.
Besohet se as kryetari i UKIP-it nuk do të kishte guxuar të bënte një deklaratë të tillë që vjen në një kohë, kur akoma nuk janë kthyer në mëmëdhe kufomat e dy shqiptarëve të djegur në gjallë në kamionin që do i sillte në tokën e premtuar, ku deri më sot nuk është dëgjuar asnjë fjalë nga Ministri i Brendshëm, e mbase statistikat që i kanë dhënë kolegët britanikë kanë qenë të frikshme për Ministrin Tahiri.
Nuk dihet ndonjë shifër e saktë mbi numrin e shqiptarëve që mësyjnë Britaninë, por sipas të dhënave të disa shoqatave shqiptare në Britani, numri i të rinjve shqiptarë nën 18 vjeç është vërtet i madh dhe renditen në vend të dytë pas atyre sirianë.
Mirëpo këshilltarët e Ministrit (nëse ka patur të tillë) mund t’i sugjeronin z.Tahiri se në Londër nuk mund të ishte thjeshtë “The hunter” i emigrantëve ilegalë shqiptarë, por mbrojtës i interesave të tyre.
Nëse Ministri Tahiri do të kishte patur sadopak preokupimin për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve, së pari duhet të ishte i informuar (e theksojmë së paku) që se një shtetase shqiptare u dogj e gjallë në tentativën për të ardhur me kamion në Britani, pasi i është refuzuar dy herë viza nga ambasada britanike për bashkimin familjar me të fejuarin e saj.
Çfarë do të ndodhte nëse Ministri do t’i kërkonte Ministres May, ndoshta liberalizimin e vizave sidomos për këtë kategori?
A mund t’i bindte Ministri Tahiri autoritetet britanike, që nëse një i ri shqiptar i ardhur prej kohësh i bërë qytetar britanik dhe dëshiron të bëjë bashkim familjar dhe i refuzohet viza, do të gjejë çdo mënyrë për ta sjellë në Britani dhe se për shtetin britanik është shumë më mirë të liberalizojë vizat për to, sesa të përballet me ardhjen e tyre klandestine, duke kursyer kështu edhe jetë njerëzish…
A ka Ministria e Brendshme ndonjë statistikë për numrin e shqiptarëve që nuk guxojnë që të regjistrohen pranë Ministrisë së Brendshme pasi rezervojnë kështu biletën falas për në mëmëdhe?
Kush duhet t’i mbrojë këta emigrantë? A ka autoritet më të lartë sesa Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë që drejtohet nga zoti Tahiri?

Fatkeqësisht Tahiri, jo vetëm që nuk deklaroi asgjë, qoftë edhe për kategori , por thjesht vazhdoi retorikën e politikës së ditës. Thjesht erdhi, nuk dëgjoi, nuk pa dhe iku…
Mase shifrat e frikshme të shqiptarëve që vijnë drejt Britanisë do ta vetëdijësojnë Ministrin e qeverisë Rama që të ndërmarrë hapa konkretë jo për kontrollin kufitar siç shprehet ai, por për perspektivën sidomos të të rinjve,që çdo ditë po detyrohen të braktisin vendin, por shpresën se në Shqipëri mund të jetohet…