Mihajlovic: Jemi ende në garë për Europën

Sinisa Mihajlovic nuk dorëzohet, trajneri serb kërkon rikthimin e Milanit në Europë dhe ka në dispozicion gjithë fazën e dytë për t’ia dalë mbanë. Në prag të sfidës kundër Fiorentinës, numri 1 i stolit kuqezi karikon grupin e tij.

“Ndaj Fiorentinës është një ndeshje e rëndësishme. Rinisim kampionatin nga e njëjta pikë dhe unë mendoj se gjithçka është e hapur. Nëse fitojmë do të afroheshim 6 pikë me Fiorentinën dhe mund të kërkojmë Europën deri në fund të sezonit. Në përballjen e fazës së parë luajtëm për 50 minuta me një lojtar më pak dhe ishim të pafat. GJithsesi, tani do të luajmë si të barabartë dhe është një histori krejt tjetër”.

I pyetur nga gazetarët nëse ndaj Fiorentinës luan ndeshjen e jetës, Mihajlovic përgjigjet me qetësinë e zakonshme.

“E rëndësishme është që unë jam i qetë. U kam thënë lojtarëve të mos dëgjojnë asnjë fjalë dhe të përqëndrohen te ndeshja. Duket një situatë e komplikuar por në fund të fundit është thjesht një lojë dhe ne të gjithë paguhemi mirë. Marrëdhënia me presidentin Berlusconi nuk ka ndryshuar. Kam një mbështetje të madhe nga klubi dhe e di shumë mirë se çdo ndeshje nuk është e fundit për mua dhe kështu do të jetë edhe pas ndeshjeve me Fiorentinën dhe Empolin”.