Meta: Unë kryeministër, Berisha president

Mbledhja e pak ditëve më parë e kryesisë së LSI, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, ka qenë një furtunë e vërtetë kundër kryeministrit Edi Rama. Vetë kryetari Ilir Meta, një ditë pas kthimit nga Berlini, ka thënë hapur se ishte i gatshëm të dilte nga koalicioni me PS. Në mbledhje kanë folur edhe anëtarë të tjerë të kryesisë, të cilët kanë shprehur hapur pakënaqësinë ndaj aleatit më të madh.
LSI lajmëroi një konferencë shtypi pas mbledhjes së kryesisë, që zgfjati mbi dy orë, por ajo u anullua dhe mediave nuk iu komunikua asgjë nga kjo mbledhje e jashtëzakonshme. Por, gjatë dy ditëve të fundit, LSI ka pëshpëritur në veshët e duhur mesazhet e mbledhjes. “Jemi të gatshëm të dalim nga koalicioni me Ramën”.
Madje mesazhet kanë qenë më të forta kur i jane referuar faktit se një dalje e LSI nga koalicioni nuk prodhon me patjetër zgjedhje të jashtëzakonshme. “Mund të bëhet koalicion i ri me PD dhe të shmanget zgjedhjet duke nxjerrë PS në opozitë”. Një formulë “Meta kryeministër dhe Berisha president”, thuhet se është përmendur në kryesinë e LSI
Ky mesazh- kërcënim i LSI ka gjetur terren edhe për faktin se PD ka zgjedhur të mos bëhet pjesë në konfliktin më të fundit Rama- Meta dhe të mos e sulmojë kreun e Kuvendit për përgjimet e dala në media. Madje edhe ish kryeministri Berisha, zgjodhi ta kursejë ish aleatin, duke e paraqitur rastin e përgjimeve si një luftë brenda llojit në mazhorancë.
Ky qëndrim, shoqëruar edhe me një fushatë mediatike nga gazetarë që janë në një gjatësi vale me Gjirin e Lalëzit, të cilët po bëjnë çdo gjë për ta zhvendosur aferën Meta, ka krijuar klimën se LSI nuk është në pozitë të vështirë, madje ka luksin të zgjedhë se çfarë qeverie do t’u japë shqiptarëve.
Presioni i Metës nuk është se nuk e ka trembur Edi Ramën.
Ai pranoi të fyhej publikisht dy herë nga Meta, por nuk u tërhoq nga përpjekja për ta qetësuar atë. Duke e ndjerë se Meta ka dyshime të arsyeshme se pas ngacmimit dhe publikimit të detajeve të “dosjes Ismailaj” qëndron dora e tij e fshehtë, Edi Rama po tenton të blejë kohë deri sa pozitat e aleatit më të vogël të dobësohen dhe ekuilibrat në drejtësi të ndryshojnë. Në takimin me Metën, Rama ka kërkuar të dijë arsyet e zemërimit të kreut të Kuvendit, duke bërë rolit e atij që nuk ka dijeni për çfarë po ndodh pas shpinës së LSI. Edhe Meta ka luajtur të njëjtin rol, duke mohuar të jetë i zemëruar dhe duke deklaruar se nuk ka asnjë problem me aleatin e tij.
Kjo lojë me dy porta e Metës synon ta shtyjë kështu gjendjen deri në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Në një anë ai mban pezull PD dhe opozitën me idenë e një pakti të mundshëm dhe siguron kështu një paqe që vlen shumë dhe nga ana tjetër vendos nën presion kryeministrin Rama duke ia dobësuar në maksimum autoritetin dhe duke e çuar të lodhur në zgjedhjet e ardhshme. Në këto kushte, LSI jo vetëm del nga pozita e palakmueshme, por edhe krijon bindjen tek votuesit se pavarësisht se çfarë mund të ndodhë, ajo do të mbetet përsëri në qeveri.
E pranueshme nga të dyja palët.
Aktualisht askush nuk mund të vërë bast se sa do ta shtyjnë bashkë Rama dhe Meta. Por ekuacionit i është shtuar edhe një e panjohur tjetër: a do të pranojë PD një aleancë të re me LSI? Nëse Ilir Meta i ka lënë dy partitë e mëdha në këtë gjendje, i takon Ramës dhe Bashës të jenë të qartë se çfarë qëndrimi do të kenë në raport me LSI. Çdo vonesë është kosto për ata dhe rritje për Metën.