Zgjedhja e drejtuesve ose antarëve të institucioneve kryesore nuk mundësohet në plotni nga procedurat dhe kompetencat
Denion Ndrenika
Shqipëria është në kaos institucional thuajse armiqësor mes presidencës, Kuvendit, kryeministrisë dhe opozitës.
Presidenti Ilir Meta paralajmëroi shpërndarjen e Kuvendit dhe se do t’i drejtohet popullit kundër qeverisjes që e quajti “bandë”.
Kurse, kryeministri Edi Rama tha se presidenti ka marrë përsipër të interpretojë Kushtetutën njejtë si talebanët Librin e Shenjtë.
Pothuajse të gjithë institucionet ose janë pa u krijuar ose të krijuara me mangësi: Gjykatë e Lartë, Gjykatë Kushtetuese, Prokuror i Përgjithshëm, Prokurori Speciale si dhe Gjykatë Speciale kundër Korrupsionit, Byro Kombëtare e Hetimit apo edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Zgjedhja e drejtuesve ose antarëve të këtyre institucioneve nuk mundësohet në plotni nga procedurat dhe kompetencat.
Dy anëtare u paraqitën për një vend në Gjykatën Kushtetuese pasi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi shpalli listë të kontestuar nga presidenti dhe Kuvendi nuk pranoi të dekretuarën e presidentit.
Presidenti Ilir Meta ishte jashtëzakonisht i ashpër kur foli në mesditë përpara pjesëmarrjes në një konferencë për barazinë gjinore:
“Parlamenti me një dekret të shpërndahet, qeveria me një mocion mosbesimi rrëzohet, Presidenti përsëri shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese. Do të jetë detyrë e popullit dhe Presidentit t’i tregojnë vendin, kësaj bande uzurpatore dhe gjithë shërbëtorëve. Presidenti do t’i drejtohet popullit dhe gjithë botës për të mbrojtur demokracinë”.
Kuvendi miratoi një rezolutë me shumicë dërrmuese votash kundër dekretimit nga presidenti të njerës anëtare të Gjykatës Kushtetuese.
Kryeministri Edi Rama në seancën plenare vijoi shpërfilljen dhe gjuhën kundër presidentit:
“Ky njeri ka marrë përsipër të jetë interpretuesi i vetëm i Gjykatës Kushtetuese. Njësoj si talebanët që quajnë veten interpretuesit e vetëm dhe fuqiplotë të Librit të Shenjtë. Nuk kemi ne luftë me Ilir Metën. Ilir Meta ka luftë me botën, me Europën, me Shqipërinë, me qeverinë dhe me veten”.
Kurse opozita demokratike me kryetarin Lulzim Basha kërkoi bashkim popullor:
“Një mënyrë është të bësh sikur bën teatër bashkë me ta dhe keq e më keq do të shkonte! Ja dole me 200 mijë vetë po ça do të bësh?! Do të djegësh kryeministrinë? Po do të vijnë pastaj 200 mijë të tjerë dhe ta djegin prapë! Nuk është kjo zgjidhje”!
Zoti Basha ishte në qarkun e Beratit në në raundin e takimeve me popullin.
Illyriapress