Mbroni sytë me këto bimë

Disa sëmundje kanë periudha të caktuara të shfaqjes. Alergjia dhe infektimi i syve në të shumtën e rasteve shfaqet me ardhjen e ditëve të nxehta, por këto paraqiten edhe në dimër. Për kurimin e sëmundjeve të syrit, që shfaqen gjatë kësaj periudhe, mjekësia popullore vjen në ndihmë me bimët e saj.

– Eufrazia: Një prej bimëve, që përdoret për këtë qëllim, është eufrazia. Eufrazia është bimë njëvjeçare, gjysmëparazite, e cila lidhet te rrënjët e barërave. Lulet janë me ngjyrë të bardhë ose rozë me pika të verdha të ndritshme në qendrën e lules. Shija e bimës është e hidhur. Bimën mund ta gjejmë nëpër livadhe dhe nëpër të gjitha vendet e mbuluara me bar. Në mjekësinë popullore përdoret e gjithë bima në lulëzim. Kjo bimë përdoret për shërimin e sëmundjeve të syve. Përveç efektit të saj në skuqjen dhe infektimet e syrit, ekziston tradita e përdorimit të eufrazisë edhe në sëmundjet serioze të syrit, si katarakti, madje edhe dobësimi i shikimit.

– Hurma: Në mjekësinë popullore përdoren pothuajse të gjitha pjesët e bimës, frutat, gjethet, degët, rrënjët etj. Përdorimi i shpeshtë i frytit të hurmës, çon në mosprekjen e sëmundjeve të syrit dhe sidomos të alergjisë.

– Patatja: Patatja i ngjan bukës, ndonëse për nga përbërja e vitaminave dhe kripërave minerale u përngjan perimeve. Ajo përmban sasi të mëdha të kaliumit si element kryesor për organizmin e njeriut. Në mjekësinë popullore ajo përdoret në rastet e alergjive të syve, si dhe kur poshtë tyre janë krijuar rrathë të zinj. Pritet një fetë e vogël patateje dhe më pas e presim në gjysmë. Secila prej fetave vendoset poshtë syve dhe lihen aty për 20 minuta. Ky veprim përsëritet disa herë në mbrëmje.