Masakër në Elbasan, 3 të vrarë e 7 të plagosur

Tre persona kanë gjetur vdekjen dhe 5 të tjerë janë plagosur, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë, në një sulm të armatosur që ka ndodhur të mërkurën në mbrëmje në qytetin e Elbasanit.

Burime policore bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në një lokal, në zonën periferike të Krastës, pranë stadiumit “Elbasan Arena”.

Disa persona kanë hapur zjarr me armë automatike në drejtim të lokalit, ku kanë gjetur vdekjen e menjëhershme dy persona dhe janë plagosur 6 të tjerë, njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë pak më vonë, në Spitalin e Elbasanit.

Viktimat janë identifikuar si shtetasit: Agron Çapja, Ardit Sinakoli dhe Eno Bedalli; ndërsa të plagosurit janë: Ardian Zharri,Fejzulla Çapja, Ferit e Luan Muça, Bujar Reshka dhe Florenc e Arnold Çapja.

Personat e plagosur kanë mbërritur me helikopter në Tiranë, për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës. Nga të dhënat e fundit rezulton se gjendja e tyre është e rëndë dhe do t’i nënshtrohen ndërhyrjes kirurgjike.

Dëshmitarët thonë se ngjarja ka zgjatur pak minuta. Sipas tyre, para lokalit ka ndaluar një automjet tip “BMW”, me nghyrë të zezë, seria 5, nga e cila kanë zbritur dy persona, të cilët kanë hapur zjarr me breshëri ndaj personave që ndodheshin brenda lokalit, pa kursyer askënd.

Sa u takon motiveve të ngjarjes, për momentin flitet për një hakmarrje të vjetër, të nisur shumë vite më parë, nga familja Çapja. Këtu janë fokusuar hetimet.

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, ka shkuar në Drejtorinë e Policisë në Elbasan, ku ka qëndruar së bashku me Drejtorin Çako.

Forcat Speciale të policisë kanë nisur kontrollin në banesa, kanë bllokuar qarkullimin gjatë gjithë aksit Elbasan-Librazhd dhe kanë ngritur postblloqe në rrugët tjera dalëse të qytetit.

Në ndihmë atyre u kanë shkuar edhe forcat e RENEA-s dhe ato të FNSH-së së Tiranës dhe Fierit, si dhe të komisariateve të Durrësit, Lushnjes dhe Fierit.

Uniformat blu kanë identifikuar edhe targën e automjetit të përdorur për këtë masakër, gjë që mund të përbëjë një mundësi për të arritur tek autorët, raporton Top Channel.