Marrëveshje Hungari-Serbi-Austri kundër emigrimit

Ministrat e brendshëm të Hungarisë, Serbisë dhe Austrisë kanë nënshkruar në Beograd një marrëveshje bashkëpunimi për të ndaluar valën e imigrantëve ilegalë nga Kosova.

Ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviç, ka thënë se numri i emigrantëve ilegalë nga Kosova është ulur falë bashkëpunimit me policitë e vendeve fqinje. Ai ka thënë se në kapjen e imigrantëve ka ndihmuar edhe përdorimi i kamerave termike, rritja e patrullave të policisë kufitare dhe angazhimi i xhandarmërisë, raporton KTV.

Ministrja e Brendshme e Austrisë, Johanna Mikl Leitner, ka theksuar se është rritur ndjeshëm numri i kërkesave për azil nga kosovarët, duke shtuar se kjo ka çuar në “bllokimin e sistemit për pritjen dhe ndihmën ndaj azilkërkuesve”.

Ministrat janë pajtuar se problemet e emigrimit ilegal, lufta kundër krimit të organizuar, terrorizmi dhe ekstremizmi nuk janë problemet të vendeve të veçanta, por për zgjidhjen e saj duhet të angazhohen të gjithë.