Maqedoni – Serbi me 7 marrëveshje të reja, s’ka mbledhje me Tiranën dhe Prishtinën

Qeveritë e Shkupit dhe të Beogradit sot për herë të dytë janë takuar për të thelluar bashkëpunimin midis tyre.

Pas seancës së Beograd, Qeveria e kryeministrit Nikola Gruevski ka qenë në një përbërje që nxiti kurreshtjen e mediave, pasi që pjesë e saj ishin ministra të partisë shqiptare BDI, ndërsa mungonin dy bashkëpunëtorët më të ngushtë të Gruevskit, ministri i financave, Zoran Stavrevski dhe ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska.

Derisa po zhvillohen këto takime dhe po thellohet bashkëpunimi, akoma nuk ka asnjë mbledhje të përbashkët me Qeverinë e Shqipërisë apo Qeverinë e Kosovës. Përgjigjet e Qeverisë VMRO-DPMNE dhe BDI kanë qenë se në të ardhmen do të ketë mbledhje të tilla, por asnjëherë nuk është konfirmuar një agjendë e saktë zyrtare.

Kryeministrat Aleksandar Vuçiç dhe Nikola Gruevski pas mbledhjes së përbashkët kanë vlerësuar suksesin e këtyre mbledhjeve të përbashkëta dhe se vetëm sot u firmosën shtatë marrëveshje dypalëshe.

“Kjo ishte seancë akoma më e suksesshme nga seancë e parë ndërqeveritare që zhvilluam në Beograd. E suksesshme sepse jemi njohur nga afër dhe konkretizuam shumë çështje jo vetëm përmes këtyre 7 marrëveshjeve por edhe përmes projekteve të tjera që duhet të realizojmë, disa brenda këtij viti dhe disa në vitin 2016”, nënvizoi kryeministri serb.

vucic0gruevski

Kryeministri Gruevski nënvizoi se kjo mbledhje e dytë tregon bashkëpunimin e shkëlqyeshëm midis dy vendeve, në kuadër të bashkëpunimit me fqinjët. Sipas tij, 7 marrëveshje të firmosura midis ministrave të të dyja qeverive do t’i japin një implus të ri bashkëpunimit ekonomik dhe në fushat e tjera midis Serbisë dhe Maqedonisë.

“Jemi dakorduar që marrëdhëniet tona politike të bazojnë në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe projekteve konkrete ekonomike dhe për prosperitet midis dy vendeve”, nënvizoi Gruevski.

Kryeministri serb Vuçiç u takua edhe me presidentin Gjorgje Ivanov, kryeparlamentarin Trajko Veljanovski dhe takime të niveleve të tjera, përfshirë edhe ate me komunitetin serb. Mbledhja e përbashkët e dytë midis Shkupit dhe Beogradit u zhvillua pas asaj të parës që ishte realizuar në qershor të 2013 në Beograd. Maqedonia përveç me Serbinë, ka zhvilluar një mbledhje të përbashkët edhe me Bullgarinë. Por akoma nuk dihet se përse zvarritet nisma për një mbledhje të përbashkët me dy shtetet e shqiptarëve në rajon.