Manjola Trebicka: Më mungon zëri i tim ati

Nga Valeria Dedaj

Titulli “Kalorëse e Palmave Akademike” është urdhëri i lartë i krijuar nga Napoleon Bonaparti në vitin 1808, i cili u akordohet personaliteteve të shquara në Francë. Kësaj here me këtë titull u vlerësua pianistja shqiptare Manjola Camuset Trebicka. Ajo është vajza e aktorit të ndjerë, Roland Trebicka. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, teksa rrëfen emocionet për çmimin, ndalet edhe te raporti i saj me të atin. Ajo na tregon se qysh kur ishte fëmijë, aktori Roland Trebicka e merrte me vete në teatër. Këto takime me teatrin do t’i shtonin edhe dëshirën për skenën. Pianistja e kujton të atin si një njeri me shumë parime, sidomos në skenë nuk të falte për asgjë. Ajo shton se, ai kishte edhe shpirtin e solidaritetit dhe besnikërinë në fjalën e dhënë. Ndërsa, raporti babë artist dhe vajzë artiste lindi më vonë, pas udhëtimit të saj në Francë. Aktori Roland Trebicka u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë para, dy vjetësh, në moshën 65-vjeçare.

Zonja Trebicka, fillimisht urime për titullin. Ndonëse çmimet juve nuk ju janë ndarë asnjëherë gjatë karrierës suaj, por si ndiheni për titullin “Kalorëse e Palmës Akademike”?

Faleminderit për interesimin. Ky titull është nga më të lartët si dekorim në Francë, por nuk është më i larti i të gjithëve. Por në fushën e arsimit, aktiviteti si pedagoge i lidhur me aktivitetin personal artistik, më nderon me këtë dekoratë që u jepet personaliteteve të shquara të Francës nga Ministria e Arsimit -Arsimit të Lartë – Kërkimeve Shkencore. Sigurisht që jam krenare, por më duket edhe e pabesueshme. Së fundi, kam ndjekur vetëm rrugën e pasionin tim.

Familja juaj ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë vlerësim, por do doja të ndalnim pak te kujtimi më i veçantë që ruani me babanë tuaj, të mirënjohurin aktorin Roland Trebicka. Për raportin qe keni pasur me njëri-tjetrin, jo vetëm si dy artistë, por si babë dhe bijë?

Babai me merrte në teatër që të vogël fare. Kjo më dha dëshirën për skenën. Por ai kishte shumë parime, e aty nuk të falte. Me mamin, që të dy, na mësuan dashurinë për shkollën, shokët e shoqet, profesorët. Gjithashtu shpirtin e solidaritetit e besnikërinë, mbajtjen e fjalës së dhënë. Babai artist plus vajzë artiste, erdhi më vonë, kishte shkëmbime pa masë pas ardhjes sime në Francë. Ishte kurioz për kulturën e mësimdhënies, për mënyrën e realizimit artistik, që në Francë ndryshonte shumë nga Shqipëria e viteve të fëmijërisë sime. Nuk ishim gjithmonë dakord, por të dy prindërit kishin inteligjencën e dëshirës për të kuptuar më tej se këndvështrimi i tyre. Kur vinin të dy në Paris ishin shumë kuriozë për organizimin e përditshëm, edukimin e fëmijëve, përmbajtjen e ligjeve etj. Këto shkëmbime midis dy kulturave për ne të katërt në familje ishte një moment i paharruar.

Të gjithë jemi rritur me humorin e tij të mprehtë, me batutat që i rrinin aq bukur në rolet që interpretonte. Por juve çfarë të mungon me tepër prej tij?

Zëri, mungesa e zërit është e tmerrshme. Fakti që edhe po ta merrja përditë do të më thoshte: “E pabesueshme. Po ku je moj çupe, ku je? Ah, ia dola mbanë?” Ai pyeste përditë nëse isha mirë, nëse kisha studiuar, si shkonte puna. Kur lindën fëmijët pyeste përditë për menynë e tyre, me çfarë luanin, si kishin fjetur. Nuk duronte fare po t’i qortoja ose t’u ngrija zërin. Por zëri i tij kaq i veçantë, kur kapte telefonin: “O shpirt i babit ti”, është një mungesë e tmerrshme.

Nëse ndalemi pak te fakti, që ju, fatmirësisht, sot keni mundësinë që për meritat artistike dhe pedagogjike që keni të vlerësoheni. A mendoni se babai juaj është vlerësuar sa duhet nga institucionet kulturore? A u largua ai i plotësuar edhe përsa i përket artit?

Them se vlerësimi më i mirë për një artist, është publiku. Unë dekoratën nuk do ta vë në gjoks sa herë që do të luaj. Me ose pa dekoratë, artisti është “i zhveshur para publikut”. Është momenti i emocioneve, historisë personale, ndjenjave tona që ndryshojnë sipas realitetit të përditshëm që publiku vlerëson. Rolandi ishte i lumtur si artist. Homazhet dhe nderimet në momentin e ndarjes me të e treguan. Titujt: “Artist i Merituar”, “Qytetar Nderi i Korçës”, si dhe “Mjeshtër i Madh”, por ishin gjithashtu edhe homazhet e kombit për personalitetin e tij, që e preknin jashtë mase. Them që ai iku i nderuar. Po të ishte akoma, e imagjinoj sa krenar do të ishte për medaljen time. Por, ku i dihet, që prej atje lart, shpirti i tij mbase ishte prezent në Pallatin e Legjionit të Nderit e kur Kancelari i Madh i Legjionit të Nderit prononcoi diskutimin e tij për medaljen e Palmave Akademike që m’u atribuua.

Në janar do të jeni edhe në Tiranë për një koncert me një kompozitor amerikan të panjohur për artdashësit shqiptarë, Louis Moreau Gottschalk. Çfarë ju mban të lidhur me vendlindjen?

Në Tiranë kërkova të vij për të luajtur, duke marrë përsipër gjithçka, nga malli e dashuria. Për disa muaj, balanca e jetës sime do të jetë 23 vjet në Shqipëri, 23 vjet në Francë. Rrënjët e mia e trungu janë shqiptare, degët e lulet janë franceze… Kurrë nuk do të kisha arritur diçka në jetën time, pa familjen time të mrekullueshme, pa profesorët e mi të mrekullueshëm. Ky edukim është themelor i jetës sime. Por, gjithashtu  kam një bashkëshort e dy fëmijë fantastikë, pa të cilët ekuilibri e jeta ime nuk do të ishte ajo që është sot.

Dhe së fundmi, çfarë sillni nga eksperienca juaj nga Franca dhe çfarë merrni me vete kur largoheni nga Shqipëria?

Nga Franca mora kulturën evropiane, mënyrën e të menduarit të lirë, mësimet e profesorëve francezë, loja me instrumentistë të vendeve të ndryshme të botes, japin një rouge e fushëpamje të gjerë. Prandaj dhe zgjodha Gottschalk, pianist ndërkombëtar që i ra botës rrotull, si kompozitor e pianist që me përfaqëson gjithsesi, në njëfarë mënyre: “Japin rrugë e fushëpamje të gjerë!”.

Biografia

Manjola Trebicka kreu studimet në Shqipëri, ku mori medalje të art pas mbarimit të Liceut Artistik nga Ministria e Arsimit, si dhe u diplomua me titullin “Pianiste” në  vitin 1992 në Akademinë e Arteve në Tiranë. Më pas, të njëjtin vit merr pjesë në konkursin e madh ndërkombëtar pianistik “Margerite Long”. Është vlerësua me çmime të ndryshme në konkurse pianistike në Francë dhe ka filluar punën në Shkollën e Legjionit të Nderit në vitin 1997. Ajo ushtron mësimdhënien në piano. Ka krijuar klasën e Muzikës së Dhomës, punon me shoqërimin e korit, këngëtareve e instrumentisteve të shkollës. Ndërkohë vazhdon aktivitetin koncertor në solo, duo, muzikë dhome me pjesëmarrje në festivale e koncerte. Në vitin 2004 ka regjistruar një CD me integralin e baladave të Shopenit. Paralelisht aktivizohet në koncerte bamirësie për shoqatat karitative, spitalet dhe luftën në Kosovë. Me urdhërin e Kryeministrit francez Manuel Valls, pianistja shqiptare u vlerësua me titullin e “Kalorëses së Palmës Akademike”, për kontributin e saj në transmetimin e vlerave të artit, kulturës dhe edukimit. Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Legjionit të Nderit, institucion arsimor i krijuar nga Napoleon Bonaparti në 1908 merrte pjesë ambasadori shqiptar dhe personalitete të jetës kulturore në Paris, si dhe bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama.