Mallkimi i investimeve publike

Prej vitesh, investimet publike nuk po u shpëtojnë tendencës për t’u shpenzuar në momentin e fundit. Përpjekjet e këtyre viteve nuk kanë mjaftuar për të shpërndarë në mënyrë të drejtë investimet gjatë gjithë vitit, çka do të krijonte mundësinë për furnizimin e ekonomisë me oksigjen të vazhdueshëm

Nga Albana Muçaj, Monitor

Kur filloi aksioni kundër informalitetit në shtator, shumë ekonomistë akuzuan qeverinë se po kërkon të nxjerrë dhjamë nga pleshti, me përqendrimin e madh te biznesi i vogël. Sipërmarrja private u vu në lupë edhe për faturën më të vogël nga ana e qeverisë, ndërsa kjo e fundit, detyrimet e veta ndaj ekonomisë, përmes investimeve publike, nuk po i kryen në formën më të mirë. Të ashpra me biznesin, institucionet nuk janë të tilla me veten, apo atë pjesë institucionesh përgjegjëse për realizimin e investimeve. Për paaftësi, neglizhencë, apo të dyja bashkë, investimet publike nuk arrijnë të shtrihen në mënyrë të njëtrajtshme gjithë vitin, ose më saktë, është bërë traditë që shpenzimi i parave të parashikuara për investime, të bëhet në muajt e fundit. Në këtë pikë, reformat ekonomike ende nuk kanë arritur. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave në dhjetë muajt e këtij viti, investimet publike shfaqën dobësi të theksuara. Edhe pse me ulje nga viti në vit, fondet dedikuar investimeve po njohin mosrealizime kolosale.

Në fund të tetorit, shpenzimet kapitale në vlera neto ishin realizuar vetëm 37.3 miliardë lekë, me mosrealizim 17% të shumës së parashikuar për këtë periudhë. Kjo paralajmëron se qeveria i ka kursyer sërish për fundvit energjitë për të investuar. Flitet edhe për 40% të fondit vjetor prej 63 miliardë lekësh që duhen shpenzuar në dy muaj.

Sipas të dhënave financiare, investimet janë luhatur ndër muaj duke shënuar vlerat më të larta në prill e shtator, por ato gjithnjë rezultuan nën vlerën e parashikuar nga financat.monitor 710.indd

Ne total, në dhjetë muaj, investimet e kryera dy vitet e fundit rezultojnë më të tkurrurat prej 2008-s. Këtë vit, ato janë vetëm 2% më të larta se në 2014-n. Shuma e kufizuar për investime pritej që me nënshkrimin e marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar, kur u bë e ditur se nuk do të ketë investime të mëdha, por vetëm plotësim i investimeve të nisura. Por, më pak para në dispozicion për të injektuar në ekonomi, nuk e nxitën qeverinë të rrisë efektivitetin e këtyre investimeve.

Vështirësitë për të realizuar investimet hasen kryesisht te fondet e huaja. Ministria e Financave, në njoftimin zyrtar, arsyeton se mosrealizimi i shpenzimeve kapitale ka ardhur si pasojë e faktorëve të ndryshëm, por më kryesori ka qenë vonesa në procesin e tenderimeve apo parashikimi për t’u realizuar në tremujorin e fundit.

monitor 710.indd

Pavarësisht përpjekjeve dhe reformave, prej vitesh qeveria po dështon të përmbushë detyrim e saj ndaj qytetarëve për të investuar në kohë paratë e parashikuara. Siç shihet, edhe nga grafiku i mëposhtëm, gjatë viteve të fundit të vlerësuara, investimet publike kanë kërcyer në muajin dhjetor. Një fakt që shihet me shqetësim nga ekonomistët, të cilët vlerësojnë se, investimet publike janë efektive për ekonominë (gjenerojnë punë e prodhim) nëse shpërndahen drejt në kohë. Kur lihen për momentin e fundit, ato nuk kanë vlerë ekonomike të shtuar atë vit nga njëra anë, e rrezikojnë të jenë shpenzuar në fusha ku jo domosdoshmërisht do të ndikojnë në rritjen e prodhimit edhe në të ardhmen. Në fundin e vitit të kaluar, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, u vu në qendër të vëmendjes për përdorim e letër-kredisë si formë pagese për të blerë disa mjete për shëndetësinë e policinë. Ministria e Financave prej dy vitesh nuk është përgjegjëse për investimet publike, por në këtë rast, ministri Cani po “korrigjonte” gabimet e kolegut në Ministrinë e Ekonomisë, duke u përpjekur të vërë në vend edhe objektivin e qeverisë për realizimin e investimeve. Pavarësisht kësaj, vitin e kaluar, plani i investimeve nuk u realizua plotësisht.

monitor 710.indd

monitor 710.indd

Fondet e huaja për investime duken më të vonuara çdo vit në raport me fondet e brendshme. Por muajt e parë të vitit duken të vakët për shpenzimet e të dyja këtyre fondeve. Vitin e kaluar, Drejtoria e Investimeve pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik bëri të ditur se ishte marrëveshja me FMN-në që vonoi investimet, pasi duheshin qartësuar detajet e planit të investimeve. Në fakt, kalimi i kompetencave për realizimin e investimeve publike nga Ministria e Financave tek ajo e Ekonomisë duket një lëvizje në tranzicion. Fondi Monetar Ndërkombëtar në rishikimin e katërt të Marrëveshjes me Shqipërinë, evidentoi se kalimi i funksionit të shpenzimeve buxhetore nga Ministria e Financave te Ministria e Ekonomisë ka qenë një ndër faktorët themelorë që po pengon alokimin e investimeve sipas planifikimeve.

Shtimi i procedurave burokratike ndërmjet institucioneve zbatuese, Ministrisë së Ekonomisë dhe asaj të Financave kanë sjellë vonesa në miratimin projekteve dhe disbursimin e fondeve. Kjo situatë ka çuar në zbatimin joeficient të investimeve. Ministri i Financave, vitin e kaluar, nëpërmjet letër-kredive parapagoi rreth 3 miliardë lekë investime në ditët e fundit të muajit dhjetor për të shpëtuar “djegien” e fondeve.

monitor 710.indd

2015, Investimet publike 5% e buxhetit

Në buxhetin e vitit 2015, investimet publike u planifikuan 5% e Produktit të Brendshëm Bruto ose 73 miliardë lekë (duke përfshirë dhe Fondin e Zhvillimit Rajonal). Për vitin 2015 ishte parashikuar rritje e mëtejshme e financimit të Fondit të Zhvillimit Rajonal dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit me synimin e reduktimit të diferencave në zhvillim mes rajoneve (qarqeve) të ndryshme të vendit. Kjo përbën risi dhe një instrument për realizimin e politikave të qeverisë për orientimin e investimeve dhe të shërbimeve publike te qytetarët dhe në funksion të përmirësimit të kushteve të jetesës së tyre. Në planifikimin e investimeve për vitin 2015 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm të trashëguara nga viti 2013 dhe më parë. Ashtu si në 2014-n, përparësi këtë vit i është dhënë shmangies së detyrimeve të reja dhe bartja e tyre në vitet e ardhshme, si dhe minimizimi i detyrimeve kontraktuale për projektet në proces zbatimi, duke u fokusuar me përparësi në financimin e projekteve në vazhdim.

Për sa i takon shpërndarjes së investimeve sipas sektorëve, këtë vit, më shumë se gjysmën, 52% të investimeve gjithsej, i mori sektori i transportit dhe ujësjellës-kanalizimeve. Në transportin rrugor nuk po flasim për projekte ndërtimi të rrugëve, por për ato forma investimi që do të ulnin aksidentet rrugore, pra përmirësim i sinjalistikës dhe mirëmbajtje e njollave të zeza e mbyllje e disa akseve kryesore.

Për arsimin, shëndetësinë dhe mirëqenien sociale u parashikuan në fillim të vitit 8,3% e fondeve gjithsej.

2016, investimet publike e rrisin peshën në buxhet vetëm 0.1%,

Investimet publike për vitin 2016 janë planifikuar në masën 5.1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose 76 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe Fondin e Zhvillimit Rajonal prej 10.05 miliardë lekësh, si dhe mbështetjen buxhetore për Sektorin e Energjisë prej 5 miliardë lekë). Ministria e Financave në planifikimin e investimeve për vitin 2016 ka mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm të trashëguara nga viti 2013 dhe më parë.

Për vitin e ardhshëm janë planifikuar 31.4 miliardë lekë financim i brendshëm dhe 28.4 miliardë lekë financim i huaj, duke shënuar një rritje të kërkesës për financim të brendshëm në raport me kërkesën për financim të huaj. Për sa i takon strukturës së investimeve në raport me statusin e projekteve të programuara për financim, vlerësohet se rreth 84,9% e vlerës së investimeve gjithsej të planifikuar në planin buxhetor afatmesëm për vitin 2016 shkon për financimin e projekteve në vazhdim. Ndarë sipas burimit të financimit, vlerësohet se rreth 87% e planit të investimeve me financim të brendshëm është parashikuar për financimin e projekteve në vazhdim dhe vetëm 13% e investimeve për financimin e projekteve të reja. Një situatë të ngjashme kemi edhe për financimin e huaj, ku vlerësohet se rreth 83,8% e planit të investimeve për vitin 2016 shkon për financimin e projekteve në vazhdim.

Plani i investimeve për vitin e ardhshëm nuk u ka shpëtuar debateve në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, kur u prezantua nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj. Kryetari i Komisionit, Erion Braçe, kërkoi nga ministri që të jepet një afat për mbarimin e Rrugës së Kombit. Por, ministri e bëri të qartë se nuk do të ketë investime të mëdha apo projekte të reja. “Duhen së paku edhe 160 milionë euro, fond të cilin qeveria nuk e disponon. Rruga e Kombit ka thithur deri më sot 1,4 miliardë euro. Nuk ka mbaruar ende, ka segmente të pambaruara, sinjalistikë e munguar, ura të pabëra. Kjo rrugë futet në mesin e koniunkturave të rëndësishme. Për të qenë në standardet e duhura duhet edhe 160 mln euro minimalisht. Këto para nuk i kemi. Kjo rrugë ka nevojë edhe për 7% fonde për mirëmbajtje, ende nuk kemi përfunduar procesin e tenderimit”,- tha Ahmetaj.

Për vonesën e investimeve të huaja, këtë vit Ahmetaj theksoi se “investimet e huaja nuk ecin aq shpejt sa investimet e vetë shtetit. Projektet janë monitoruar nga ministritë e linjës. Ndërsa tani, ky monitorim do të ndryshojë. Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë do të bëjnë monitorimin procedural të këtyre investimeve, për të përshpejtuar projektin”.

Pas dy viteve që qeverisë iu desh të “mësohet” me procedurat rutinë, mbetet për t’u parë nëse vitin e ardhshëm do të menaxhohen më mirë investimet.