Mal Berisha sjell realitetet e munguara britanike

Nga Kliton Nesturi

Në historinë tonë, qysh pas Luftës së Dytë Botërore e deri në fund të shekullit XX, mjaft gjëra nuk janë thënë siç janë dhe duhet. Janë shpikur armiq edhe kur nuk kane qenë të tillë, janë prodhuar situata dhe konflikte të paqena, dhe për një arsye apo një tjetër janë fshehur dobësitë tona.

Mbreteresha Elizabeta e II me ambasadorin Mal Berisha

Mbreteresha Elizabeta e II me ambasadorin Mal Berisha

Pas rënies së komunizmit, shoqëria shqiptare vuri re se ajo kishte dalë prej sistemit me dije të sipërfaqshme e të cunguara. Ajo ishte mësuar të merrte inat e të urrente të tjerët, të shfrehej me duf, por jo të mësonte të vërtetat. Njëra prej tyre ishte marrëdhënia me Mbretërinë Britanike. Në tekstet e historisë, qëndrimi i Britanisë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, shfaqej gjithnjë si armiqësor, indiferent, përfitues, e të tjera etiketime të këtij lloji, qëndrime që nisnin qysh në shekullin XIX me Kongresin e Berlinit, vazhdonin me Konferencën e Londrës, ndarjen e kufijve të Shqipërisë, Traktatin e fshehtë të Londrës, Konferencën e Parisit në 1919, incidentin e Kanalit të Korfuzit, e të tjera, e të tjera. Sipas kësaj logjike, dilte se armiku më i madh i Shqipërisë dhe i shqiptarëve ishin britanikët, një prej monarkive më të vjetra të Evropës dhe njëkohësisht vendi që i dha një frymëmarrje të madhe politikës, ekonomisë, zhvillimit industrial, artit, sportit dhe kulturës botërore.

mal-berisha 4Me këto dije të cunguara, shqiptarët iu drejtuan shekullit XXI. Për të hedhur dritë në realitet e vërteta britaniko-shqiptare, ambasadori Mal Berisha ka sjellë në shqip veprën e tij “Realitete shqiptaro-britanike”, në të cilat përfshihen zhvillimet ndërmjet dy vendeve në histori, diplomaci dhe kulturë. Duke hulumtuar imtësisht, ambasadori i nderuar na jep një panoramë të plotë të të gjithë këtyre zhvillimeve. Duke vështruar thellë në histori, në këtë vepër shohim interesin e hershëm të Anglisë ndaj Shqipërisë, i cili nis qysh me udhëtarët e parë që u shfaqën ndër viset tona, hulumtimet që ata bënë dhe reflektimin e tyre në vepra të ndryshme me karakter njohës apo studimor. Pikërisht ata, si misionarët e parë, luajtën një rol të madhe në marrëdhëniet dhe vëmendjen e mëpastajme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj nesh, veçanërisht gjatë shekullit XX.

Në këtë vepër, pavarësisht, qëndrimit pasqyrues, ambasadori Berisha, plot finesë, mban edhe qëndrimet e tij, në lidhje me çështje të caktuara, duke mos qenë thjesht një studiues i kronikave historike, por një publicist i mbështetur në reflekse dhe refleksione të forta, sa i përket të metave dhe dobësive tona. Në këtë vepër, shohim një interes të vazhdueshëm të Britanisë së Madhe ndaj Shqipërisë dhe çështjes shqiptare, e cila kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ndryshe nga sa mund të mendohet, qëndrimi i Blerit në mbështetje të luftës në Kosovë, nuk ishte thjesht një trill i tij, por rezultat i gjithë interesit dhe mbështetjes britanike ndaj shqiptarëve.

Mal Berisha 2E ndërsa britanikët e bënë të tyren në lidhje me ne, tashmë na mbetet neve që ta vazhdojmë dhe të thellojmë këtë lidhje, e cila nis që orientimi drejt këtij aleati strategjik, e më pas bërja prezent gjithnjë e më shumë e vlerave tona historike e kulturore në jetën angleze. Vet ambasadori Mal Berisha, punën e tij si diplomat i lartë i shtetit shqiptar në Londër e mbështeti mbi diplomacinë kulturore, duke tërhequr kështu gjithnjë e më shumë vëmendjen e autoriteteve dhe personaliteteve britanike.

Është realitet se sot në Britaninë e Madhe ka më shume miq të mëdhenj të Shqipërisë dhe shqiptarëve se sa më parë, ashtu siç në të po përvijohet edhe një komunitet shqiptar me profil të lartë e gjithnjë në rritje. Këto ura janë gjithnjë një ogur i mirë, jo vetëm për të sotmen, por më shumë për të ardhmen e afërt, është drita e perspektivës.

Vepra “Realitete shqiptaro-britanike” e ambasadorit Mal Berisha, hap një udhë të re në botimet mbi njohjen e aleatëve tanë të vërtetë historikë. Ajo hedh dritë, pa ezauruar asgjë, duke lënë mundësi dhe shtigje për studime të reja prej autorëve që vijnë më pas.