Luljeta Nuzi: Dritë shprese për komunitetin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar

Esmeralda Sadikaj

Tashmë ajo është një dritë shprese së bashku me shoqatën e themeluar prej saj në Mbretërinë e Bashkuar, por fillimet e saj kanë qenë të vështira. Edhe ajo ka patur frikë, është lodhur, është stresuar në ditët e para në Londër. Është zemëruar dhe inatosur ndaj institucioneve shtetërore, që mund t’ia kishin lehtësuar përpalljen me një jetë krejtësisht të re. Këto janë përjetimet e para në Londër për Luljeta Nuzin. ‘Duke u përballur me vështirësitë e fillimit të jetës në një vend të huaj, ku nuk dija as gjënë më elementare gjuhën përjetova se sa të rëndësishme janë të pasurit e informacionit, krijimit të besimit, të qënurit mirënjohës për gjithçka dhe devotshmëria dhe përkushtimi për të përballur sfidat me të cilat jeta të përball pa fajësuar të tjerët. Ky udhëtim për të dalë nga kjo situatë u kthye për mua në mision për të ndihmuar këdo me të cilin unë bie në kontakt,’na tregon Luljeta.

luuEdhe pse e diplomuar në degën e Inxhinierisë elektrike, sot ajo gjendet larg këtij profesioni. Ndoshta me ‘elektricitetin’ që ajo përcjell ju vjen në ndihmë njerëzve nëpërmjet shoqatës të komunitetit shqiptar në Londër ‘Shpresa Programme’. Është një ndër shoqatat që merret me shërbime dhe aktivitete të ndryshme, me karakter humanitar. Ka në fokus kryesor mësimin e të lexuarit, shkruarit dhe të folurit të gjuhës shqipe nga të rinjtë shqiptarë që kanë lindur në Britaninë e Madhe dhe përçimin e traditave, kulturës e zakoneve brez pas brezi. Gjithashtu veç aspektit që i përkon fushës së arsimit, i mëshon fort dhe problemeve sociale të familjeve shqiptare në emigrim: keqtrajtimi i bashkëshortëve, dhuna që ushtrohet, divorci, etj. Disa nga parimet bazë të ‘Shpresa Programme’ janë: Respekti për këdo pa dallim feje , orientimi seksual, prejardhje, çiltërsia, cilësia e lartë e shërbimeve, komunikimin dhe informacion aktual dhe i saktë. Luljeta është lidere e kësaj shoqate, që ka arritur deri në këto faza në saj të mbështetjes nga komuniteti dhe bashkëpunëtorë e vullnetarë të shumtë. Është fituese e disa çmimeve në saj të punës dhe përkushtimit që punohet për komunitetin shqiptar. ‘Detyra jote mbetet si t’i përballosh këto sfida dhe të dalësh fituese pa humbur mirësinë dhe çiltërsinë që të karakterizon,’ thekson ajo.

lul
Veçse një grua e suksesshme, ajo është edhe një nënë shembullore. Ka tre fëmijë përkatësisht të moshave 18, 15 dhe 7 vjeçare.
Për të nuk është e rëndësishme të jesh e suksesshme në jetë, nëse nuk je një nënë e suksesshme. Roli i prindit në edukimin e fëmijës, sipas saj është i pazëvendësueshëm. Ja se si shprehet Luljeta:’Kam përjetuar shumë ndjesi në jetë: të jem motër për motrën dhe vëllain tim; të jem bijë me të cilën prindërit kënaqen për sjelljen dhe edukimin; të mbaroj shkollën me sukses; të njoh burrin ideal, të ndjehem e dashuruar dhe më pas të martohem me të; të filloj punë në profesion menjëherë pas shkollës; të jem teze, hallë, mbesë, kushurirë, mike.
Kam takuar shumë njerëz të rëndësishëm madje një numër herësh edhe Mbretëreshën Elizabeth dhe ish kryeministrin Britanik Z.Toni Blair, por ndjesia më e bukur për mua ka qenë momenti kur unë kam sjellë në jetë fëmijët e mi. Në ato momente jeta ime ndryshoi. Para vetes tashmë ishin tre krijesa engjëllore të magjishme për të cilat unë isha mbrojtësja, edukatorja, shoku, isha gjithçka. Më gufon zemra nga prania e tyre, më punon mendja çdo minutë se si t’i përgatis ata për jetën, si të jem miku i tyre i ngushtë, si t’i bëj ata të lumtur’.

luljeta-nuzi-with-the-ex-prime-minister-tony-blairTë njëjtat gjëra përcjell edhe në takimet mes grave të komuntetit shqiptar, se sa e rëndësishme është të jesh një prind i mirë. Sipas saj, duhet që fëmijëve t’i japim kohën dhe t’i dëgjojmë me kujdes si ankesat po ashtu edhe argumentat e tyre, të bëhemi shokë me ta dhe t’i kuptojmë, të vëmë ata në dijeni se si ne ndjehemi dhe çfarë janë pritshmëritë tona. Në këtë mënyrë edukohen breza që do të jenë jo vetëm shembull në Mbretërinë e Madhe, por edhe për atdheun tonë, Shqipërinë. Luljeta nuk ka harruar se dijet e para dhe hapat e parë i ka hedhur pikërisht në Shqipëri. Ndihet krenare se është shqiptare dhe kurrë nuk e ka fshehur një fakt të tillë. ‘Atdheu është vendi ku unë jam lindur; ku unë jam formuar; ku vlerat, parimet, historia mësohen jo vetëm nga librat e historisë, por jetohen dhe tregohen në çdo nivel; është vendi që më ka brumosur dhe frymëzuar me vetitë më të mira të mundshme. Në zemrën time, atdheu zë një vend të veçantë që më shkakton dhembje për gjërat e padrejta dhe lumturi të pamasë për sukseset apo fitoret,’ shprehet plot emocion Luljeta.
Në Mbretërinë e Bashkuar kanë lindur disa organizata bamirësie në shërbim të komunitetit shqiptar, të cilat Luljeta nuk i sheh aspak si penguese, pasi sipas saj konkurrenca shërben për një qëllim të dobishëm në rritjen e cilësisë së shërbimeve.

Mesazhi që ajo dëshiron t’u përcjellë bashkëkombësave kudo që ndodhen në Britani, Shqipëri e më gjerë është: ‘Mirëinformohu, edukohu, puno dhe kontribuo më të mirën tënde, bëhu qytetar i nderuar i këtij vendi dhe ndero vendin tënd me sukseset dhe arritjet e tua! Mos vuaj në heshtje në këtë vend, nëse je një grua, fëmijë apo burrë i dhunuar, kërko ndihmë! Nëse je i abuzuar sepse ke orientim të ndryshëm seksual apo fetar, mos hesht kërko ndihmë!’