Lufta kundër krimit dhe korrupsionit, Franca e Gjermania mbështetje Shqipërisë

Ministrat Sazanëv dhe De Mazier u njohën nga kryeministri Rama me projektin për reformimin e njësive ligjzbatuese dhe fuqizimit të procedurës së hetimit, përmes ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit
Kryeministri Rama pret Ministrat e Brendshëm të Francës dhe të Gjermanisë Kryeministri Edi Rama priti sot në një takim të përbashkët Ministrin e Brendshëm të Francës, Bernard Sazanëv (Bernard Cazeneuve) dhe Ministrin e Brendshëm të Republikës Federale të Gjermanisë, Tomas de Mazier (Thomas de Mazière).
Në takim u theksua rëndësia e forcimit të partneritetit midis vendeve tona në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve ilegale dhe korrupsionit, si fenomene që kalojnë përmasat e një vendi.
Kryeministri Rama i njohu ministrat me projektin për reformimin e njësive ligjzbatuese dhe fuqizimit të procedurës së hetimit, përmes ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit, projekt i cili u vlerësua nga të dy ministrat.
Ministrat Sazanëv dhe De Mazier, duke njohur përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nënvizuan se bashkëpunimi dhe një komunikim më i fortë mes vendeve është e rëndësishme në suksesin e kësaj lufte.
Ata siguruan për mbështetjen e vendeve të tyre në përballimin e këtyre sfidave që kërkojnë bashkimin e përpjekjeve, të ekspertizave dhe mundësive.
Në takim u vlerësua gjithashtu, suksesi i aksionit të Policisë së Shtetit në Lazarat, si dëshmi e vullnetit të fortë të qeverisë në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.