Lufta kundër kancerit, kontrolle falas në Maqedoni

Gjatë ditëve të fundit në Maqedoni po zbatohet depistimfalas me PAP test për gratë e një grup moshe të caktuar, njofton Instituti për Shëndet Publik. Kjo nismë është në pajtim me Programin për zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje.

Sipas detyrave që përfshin ky program për parandalimin e kancerit në qafën e mitrës, këtë vit PAP test falas do mund të bëjnë gratë në moshë nga 24 deri në 35 vjet.

PAP testi ose testi Papanikolau është një metodë e lehtë dhe jo e dhimbshme për marrjen e strishios nga qafa e mitrës për të bërë analizë mikroskopike të qelizave dhe për të zbuluar procese inflamatore, shkaktarë të infeksioneve, ndryshime beninje dhe malinje dhe ndryshime të tjera histopatologjike.

Kontrolli gjinekologjik me PAP test jo vetëm që mundëson zbulim të kancerit në qafën e mitrës në një fazë të hershme, por edhe zbulim të lezioneve parakancerogjene të cilat mund të shërohen lehtë.

Në vendet, sidomos ato të zhvilluara, ku ky program për kontroll po zbatohet me sukses, është vënë re një rënie dramatike e incidencës dhe vdekshmërisë nga kanceri në qafën e mitrës.