You are here: Home » Lajme » Aktualitet » “Ekskluzive” Lufta e Koshares dhe shembja e kufirit shqiptaro-shqiptar

“Ekskluzive” Lufta e Koshares dhe shembja e kufirit shqiptaro-shqiptar 

Cilat ishin rrethanat që çuan në marrjen e vendimit për shembjen e kufirit shqiptaro-shqiptar?   A pati mosmarrëveshje mes grupeve dhe si u arrit bashkëpunimi mes tyre?

 

 Intervistë me komandantin e Koshares Hisen Berisha

Cilat ishin rrethanat në të cilat nisi beteja e Koshares?

Viti ‘98 shënoi përballjen e parë ‘frontale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  me ushtrinë e aq përfolur dhe paradigmuar ‘qiellore’ të regjimit okupues të Millosheviçit. Pra, nga format e veprimit gueril të grupeve nacionaliste dhe të armatosura lehtë që vepronin nëpër Kosovë e gjetiu, ne emër të kauzës kombëtare, si dhe rezistencës institucionale të identifikuar si paqësore aktive e që përfshinte masat e gjera të strukturuara në formacione polititike me institucione shtetërore që vepronin në paralelizëm nga forcat okupuese serbe. Viti 1998 dhe sakrifica e familjes Jasharaj të Prekazit e Drenicës historike, shënoi momentin e thirrjes së ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve të Kosovës për luftë të përgjithshme çlirimtare. Kështu edhe ndodhi. Shqiptarët e Kosovës , nga të gjitha trevat dhe diaspora u organizuan në njësitë vullnetare për luftë të përgjithshme çlirimtare kundër forcave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, në mbrojtje të vlerave të lirisë.  Krahas organizimit vullnetar që daton me vite e dekada në Kosovë, në përpjekje e sakrifica për liri të prirë nga figura emblematike kombëtare që sot  radhiten në piedestalin e nderit dhe lavdisë kombëtare, në Kosovën e  dekadës së viteve 1988/90/99. Në kuadër të jetës institucionale nën okupim ishte ndërtuar dhe organizuar funksionalisht edhe Ministria  Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, e cila me tu intensifikuar momenti i vazhdimit të politikës me mjete të tjera, u vu në veprim direkt operativ duke nominuar fillimisht tri brigada (131, 133, 134), të cilat me urdhër operacional u futen në Kosovë ne qershor 1998, me detyra luftarake për një luftë të organizuar frontale kundër forcave policore ushtarake serbe.

Përballjet e para të formacioneve ushtarake të UÇK-së, shënuan një kthesë me rendësi triumfale në perceptimin popullor, se Serbia është e thyeshme dhe se forcat serbe nuk janë ‘qiellore’ por janë të konsoliduara mbi koncepte dhe doktrina kriminale, dobët të motivuar apo te motivuara mbi qëllime te liga që i bëjnë edhe me të dobët në çfarëdo përballje frontale dhe kundërpërgjigje të barabarte. Pra, nevojitej vetëm një mobilizim dhe vendim për t’iu kundërvënë me luftë të armatosur dhe botërisht u tregua se janë të thyeshme dhe të mundshme deri dhe me marrjen e primatit  dhe dominim në terren.

Brigada 131 njëra ndër tre brigadat e themeluara nga MMRK, aktivitetin e vet luftarak, zyrtarisht dhe me urdhër (e theksova ketë ngase shumë kuadro të brigadës edhe nën nivel komandues por dhe  në nivelet tjera operative vepronin që në ditët e para të luftës, por edhe më herët në forma të tjera të organizimit anti-jugosllav) e filloi pikërisht në 22 qershor 1998, kur u bë futja e organizuar luftarake në Kosovë.

Atëbotë, pjesa qendrore e brigadës u urdhërua të marshonte për në ‘Lugun e Baranit’  në Rrafshin e Dukagjinit sipas detyrës operacionale nën komandën e zv.komandantit Nazif Ramabaja, ndërsa komandanti i brigadës Rrustem Berisha dhe ndihmësi i tij oficeri dhe strategu i lartë ushtarak Agim Ramadani, me urdhëresë të veçantë mbeten me një njësi mbështetëse në zonën e Vokshit dhe Junikut në fshatrat Gjocaj dhe Jasiq me detyra të caktuara luftarake. Qëndrimi i tyre në këtë zonë luftimi ishte i fokusuar krahas detyrës së veçantë edhe në organizmin e forcave lokale.

Andaj  nën përkujdesjen dhe përgatitjen profesionale të vetë komandantit Agim Ramdani themelohet edhe njësia për veprime zbulimi dhe diversione ‘COBRA’ e cila e intensifikoi veprimtarinë e vet luftarake në fushëbeteja me aksione të shumta luftarake që i shkaktuan humbje te renda armikut. Luftimet në vitin 98, me theks për njësitë  luftarake të brigadës sonë me luftimet në zonën e Vokshit e Juniut si dhe Reken e keqe , Lug te Baranit dhe Dushkaje , shënuan  një kthesë të madhe në dimensionin taktiko-operativ dhe në mobilizimin dhe shtimin e radhëve të luftëtareve. Kjo  domosdo imponoi edhe nevojën e riorganizimit të formave të luftimit dhe strukturimit të forcave në terren, si dhe ri-dimensionimin operativ sipas luftës që impononte fuqia ushtarake e armikut.

Duhej marre masa në evakuimin e popullatës civile nga zonat e luftimit, sigurimin e të mirave materiale për ushtrinë dhe popullatën civile nën përkujdesje, punët xheniere, ri-organizimin e drejtimeve operative te luftimit, organizimi i linjave të ndërlidhjes dhe komunikimit me njësitë në terren si dhe koordinimi i veprimeve luftarake në Dukagjin e më gjerë nëpër Kosovë, sigurimi i armatimit të nevojshëm kalibrash të ndryshëm për mbështetjen e luftës e që ishte dy-burimor : të rrëmbehej me luftë nga armiku dhe sjellja nga Shqipëria qe ishte një sfide me vete.

Pas kësaj njësi të caktuara morën detyra specifike, që i ngarkonin me përgjegjësi fushash  që nuk kishin të bënin vetëm me luftimin por dhe me  gamën e gjerë të organizimit shtabor dhe operacional.

Brigada jonë edhe pse e ndarë në dy pjesë, shënoi suksese të shumta në luftën kundër armikut dhe detyrat shtesë qe mori në kuadër të riorganizimit të sistemit të luftimit, si në rajonin e Vokshit dhe Junikut, Rekës së Keqe, Zharre, Gjocaj e Jasiq dhe në alpet shqiptare, ashtu edhe në lugun e Baranit e luftën e Logjes, Gllogjanit e Dushkajës, fshatrave të rrethit të Klinës, Rugovë etj.  Pas këtyre sukseseve  nëpër  fushëbeteja, lufta e UÇK-së filloi të marrë një dimension të ri, po ashtu dhe veprimet e armikut ishin më të sofistifikuara. Format e luftimit kishin avancuar gjithandej nga ato guerile e partizane në luftë të hapur e frontale që kërkonte një sistemim të avancuar zjarri.

 

Cilat ishin përgatitjet që i paraprinë luftës së Koshares?

 

Me të përmbushur  detyrat  luftarake që i ishin ngarkuar nga komanda operacionale e zonës operative të Dukagjinit, Brigada jonë dislokohet në repartin ushtarak në Papaj të Shipshanit me detyrën luftarake mobilizimin dhe përgatitjen e të gjithë luftëtarëve të shpërndareë nëpër Shqipëri, diasporë dhe me theks në veri të Shqipërisë zonën e Tropojës dhe Malësisë.

Ne koordinim dhe me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqi,  themelohet Qendra Stërvitore Ushtarake Papaj si qendër akademike meqë si stërvitore tanimë veç ishte në veprime shumë kohë më pare, që kishte për mision përgatitjen e luftëtarëve për lufte . Pas një pune konsultative akademike vendosëm që me një program intensiv dhe të ngjeshur të bëhet përgatitja e kuadrit të ulët, të mesëm komandues për nivelet komanduese , skuadër, togë dhe kompani, në të gjitha profilet/njesitë për armë, si: këmbësori, artileri,  luftë kundërajrore,  lufte kundërblinduese, vëzhgim dhe lajmërim, logjistike, xhenio, komunikim, si dhe në kurse speciale si : Njësiti tankist me 5 ekuipazhe; komunikim dhe ndërlidhje, rrëshqitje me ski dhe motosaj si dhe qitje me arme zjarri;  arte marciale /lufte e afërme; Policia ushtarake, Njësiti i forcave speciale DELTA; Njësiti për vëzhgime, zbulim dhe diversione COBRA, që tanimë kishte krijuar një tradite luftimi dhe përbënte bërthamën kryesore të brigadës sonë.

Kjo përfshin një punë profesionale 7 mujore të ndarë në dy faza sipas nivelit të kursit të përgatitjes profesionale ushtarake, ku përshihen të gjithë pjesëtaret. Pastaj  kursi themelor për  nënoficerë dhe kursi themelore për komandant toge dhe komandant kompanie, përkatësisht 4 dhe 3 muaj.  Implementimi i  njohurive  teorike dhe ushtrimeve taktike bëhej drejtpërdrejtë në stërvitjen e luftëtarëve të rinj që rekrutoheshin dhe që përbenin bërthamat e batalioneve si dhe njësive për armë veçanërisht armëve kolektive, ndërsa implementimi i stërvitjeve taktike dhe doktrinave të luftimit behej drejtpërdrejtë në luftime me forcat e armikut

 Mund te potencohen aksione luftarake të njohura për humbjet e shkaktuara armikut si: ai i sulmit mbi posten ushtarake ‘Vujinoviç’ne shtator 15,1998, ne afërsi te kufirit; aksioni i koduar ‘FENIX si kundër përgjigje kasapit te Ballkanit Millosheviç, se gjoja ishin zhbërë njësitë e UÇK-së ne Kosovë,në 30 shtator 1998, në ‘zhillavic’ ku armiku pati humbje të mëdha në mjete teknike dhe forca të gjalla; sulmi mbi kazermën e koshares në po të njëjtën ditë; aksioni diversant mbi kamionët transportues të armikut në drejtim të kufirit mbi Zogaj, në po të njëjtën ditë; sulmi mbi kazermën e Qafë Morinës në natën e ndërrimit të moteve 98/99: aksioni mbi posten kufitare të ‘7 korrikut’ dhe diversioni në rrugët lidhëse të forcave kufitare serbe, e shumë aksione të tjera e shoqëruan procesin e edukimit dhe trajnimit ushtarak të kadetëve në Qëndren Stervitore Ushtarake Papaj, e që armikut i krijuan pasiguri dhe humbje te mëdha të evidentuar në teknikë dhe forca të gjalla.

Duhet potencuar këtu se faza përgatitore implikoi një mori përgatitjesh teknike dhe operative , që kërkonin angazhimin e një numri të madh oficeresh me përvojë në fushën e mësimdhënies dhe stërvitje praktike cka imponoj nevojen qe krahas oficereve te brigadës ne mësimdhënie dhe stërvitje teorike dhe taktike u përfshinë dhe oficerë të ushtrisë shqiptare përkatësisht brigadës së Bajram Currit, dhe repartit tankist te Dizdarit, kontributi i të cilëve ishte jetik për arritjen e nivelit përgatitor taktik dhe teknik për një luftë të sukseshme si ajo e Koshares.

Më që pas fazës së parë të kursit të përgatitjes profesionale ushtarake, u çertifikuan edhe kursantët e parë që ishin te aftë për stërvitjet bazike të ushtareve, për të përmbushur objektivat përgatitore për luftë u nevojit që të zgjerohen bazat e trajnimit, andaj zgjerohemi me dy qendra stërvitore atë në Babinë për stërvitje bazike dhe në Rragam për stërvitje në taktikat e luftimit me njësi. Ndërsa ne QSU Papaj behej stërvitja në armët kolektive dhe  qitjet.

 Cilat ishin rrethanat në të cilat nisi beteja e Koshares?

Pas përfundimit të procesit përgatitor të luftëtarëve  dhe kuadrit komandues për nivelet skuadër, togë , kompani si dhe në njësitë për armë dhe armë kolektive, njësive me destinim special, një gamë të gjerë parapërgatitjesh të karakterit logjistik, konsultave , bisedimeve dhe përgatitjeve të karakterit operativ, ne ishim të gatshëm për luftë.  Ky konstatim nuk ishte thjeshte deklarativ, por, erdhi pas një faze gjithëperfshirëse vlerësuese nga komisione profesionale,  përkatëse në çdo fushe dhe gjini ushtarake, ku bëhej një testim shumëdimensional taktiko-teknik, qitjet taktike nga të gjitha armët në dispozicion si dhe vlerësim organizativ i sistemit te komandimit, kontrollit, komunikimit koordinimit dhe informimit.

Në përdorimin taktiko-teknik të pajisjes dhe armatimit, njohurive teknike dhe taktike te doktrinave te luftimit etj.  Ndërkohë gjatë procesit të organizimit kishin ndodhur ndryshime pozitive në strukturën komanduese të brigadës. Bërthamat e njësive të brigadës 134, që udhëhiqej atë kohë nga vizionari ushtarak dhe veterani i lëvizjes kombëtare për liri Sali Çeku si dhe njësia e forcave speciale Delta, e udhëhequr nga Anton Çuni, u shkrinë në njësi të përbashkët operative me brigadën 131 për të formuar njësinë me mision operativ Grupin Operativ 3, apo siç u kodua GO3.

Komandant i GO3 ishte Komandanti i Brigadës 131 Rrustem Berisha. Me vendim të komandës emërohet dhe shtabi i avancuar i brigadës nën udhëheqjen e dy kolosëve të mëdhenj të luftës e tani me heronj të Kosovës, Agim Ramadanit dhe Sali Çeku.

Krahas veprimeve tjera përgatitore të shtabit të GO3, u punua intensivisht në integrimin e njësiteve të dezorgaizuara të UÇK-së, që operonin nëpër lokacione të ndryshme të malësisë, për t’u strukturuar  në një forcë të përbashkët me mision luftë çlirimtare. Takimet e kësaj natyre nuk ishin vetëm në nivelet taktike por edhe  në ato operative, me njësitë dhe komandat e tjera.

Nga takimet e shumta rezultoi se instancat që pretendonin drejtimin e luftës, kishin koncept doktrinar që nuk përputhej me konceptin tonë mbi luftërat çlirimtare që mbështetej jo vetëm në eksperiencat në Kosovë por edhe nga përvojat në Kroaci e Bosnjë. Por, edhe bazuar në doktrinat e luftërave çlirimtare, nëpër botë që ka si princip bazë filmin e luftës në njërën anë të kufirit dhe përfundimin kur të arrijmë në anën tjetër të kufirit bashkë me lirinë. Ky ndryshim konceptual na çoi dhe drejtë shkrirjes së forcave në njësi më të mëdha operative. Shtabi i avancuar i GO3 dislokohet në Padesh afër kufirit, me detyrë përgatitjen operative taktike  për luftë me pikënisje sulmi kufirin.

(Ju miku im gjatë vizitave që me ke bërë, si ish-shok i studimeve apo dhe si gazetar atë botë,  ke patur rastin që t’i shohësh edhe natyrën e stërvitjeve që  bënim  Edhe pse ende s’kishte ndonjë vendim të qartë të definuar se kur, si dhe ku do të sulmohej, mëqë ishte fazë më e hershme, stërvitjet kishin të bënin me improvizimin e marrjes së objekteve të caktuara në natyre me toponime të improvizuara siç i kishin objektet natyrore të rendësisë strategjike operative që planifikoheshin të merreshin në brendi të Kosovës dhe në vijat kufitare, duke ia ngjasuar me ato nëpër poligonet e trajnimit, si dhe ke patur rastin t’i shihje disa herë stërvitjet tona mbi caqe të identifikuara si objekte me ngjashmëri me ato të kazermave ushtarake të forcave serbe në brendi të Kosovës apo vije kufitare siç ishin ajo e Papaj e analoge me atë të Qafës  së Morines, si dhe ajo e Babinës anoaloge me atë të Koshares, apo objekte të natyrës që kishin analogji me vijat kufitare që përshkonin ndarjen kufitare në mes Kosovës e Shqipërisë në regjionin e gjerë të Koshares.)

Për 41 dite rresht u bënë vëzhgime të detajuara përgjatë brezit kufitarë nga tre kufiri deri në zonën e Kukesit dhe në brendi të Kosovës. Të gjitha informatat e nevojshme  për të marrë “vendimin për luftë” ishin tashmë në shtab. Pas vëzhgimit të komandantëve kryesorë dhe përgatitjes së hartës operative, përgatitet dhe “urdhri për sulm”  dita “D” arriti shumë shpejt.   Ndërkohë i tërë armatimi dhe municioni e pajisjet e nevojshme ishin dislokuar në vijë të kufirit pozicione në brendi të kufirit, në pritje të çastit “D”.

 A mund te na e përshkruani momentin e vendimit për sulm?

Koncepti ynë për luftë çlirimtarë nuk përputhej me konceptet e instancave që pretendonin drejtimin e luftës. Andaj edhe vendimi erdhi nga vlerësimi ynë profesional ushtarak dhe pas shumë analizash ushtarake dhe operative. Ketë e mundësonte fakti se kishim bërë një vëzhgim disa ditor të detajuar mbi të gjitha lëvizjet e armikut , numrin e forcave dhe veprimet.

Pas një koordinimi të mirë të brendshëm dhe me brigadën e Bajram Currit si dhe shërbim spitalor që ishte një shërbim i përsosur që nga vija e frontit deri në trajtimin spitalor në Bajram Curri e deri në spitalin ushtarak në Tiranë, informimit të instancave të rëndësishme ndërkombëtare në emër të koordinimit të veprimeve si drejtoria operative e Nato-s në Tiranë, shërbime inteligjente si ai amerikan , britanik, dhe qarqe të caktuara mbështetëse në Shqipëri, u njoftuan edhe të dy instancat paralele që mëtonin  drejtimin e luftës në Kosovë por vetëm me informatën se do të hyjmë në luftë, pa detaje të këtij sulmi mbi vendin dhe kohën, dhe me premtimin e shtabit se do të veprohet njëkohësisht në drejtimin e Pashtrikut dhe me udhëzimin e ministrisë për veprim nën hierarkinë ekzistente me tu futur në luftë,komandës së zonës operative të Dukagjinit dhe shtabit të përgjithshëm, Komandati i Brigadië  dha urdhrin për sulm në pasditen e vonë të dt.08.04.99.

Sulmi do të fillonte ne pasmesnatën e dt.09.04.99, me sulmin mashtrues mbi posten kufitare “7 Korriku” mbi majën e hekurit,  të një njësiti të përbërë kryesisht nga djem te malësisë të fshatrave Shipshan e Papaj.  Sulmi u organizua mbi pozicionet mbështetëse përreth kazermës së Koshares të identifikuara tashme, me qëllim që marrja e objektivit kryesorë që ishte kazerma ushtarake në koshare të ishte më e mundur. Faza e parë e operacionit u realizua me sukses.

U kapën të gjitha objektivat e planifikuar me urdhër për sulm edhe vet kazerma e Koshares. Pas riorganizimit të sistemit të zjarrit dhe rikonicionit të vijës së frontit nga komanda lëshohen urdhëra shtesë për kapjen e të gjitha pozitave dominante dhe futjen nën kontroll të zonës kufitarë nga rrasa e Zogut deri në shkallën e Radanit që lidhej me majën e hekurit dhe fshatin Zogaj, përkatësisht me njësitë qe duhej të vepronin si bashkëluftëtari ynë i djathtë. Për një kohë të shkurtër nën kontrollin e njësive tona ishin afërsisht 24 km, gjerësi dhe deri në 7 km thellësi fronti.
Ndërsa me  zjarrin e armëve mbulonim nga ai i armëve të këmbësorisë 400m e deri të zjarri i mitralozave deri ne 1,5 km, pastaj zjarri i artilerisë së lehtë në distanca deri në 3 km, mortajat 60 dhe 82mm, topat pz. Deri në 6.6 km, mitralozi kundërajror 12.7 deri 7km dhe mortajat 120mm deri në 6 km, mortajat 160mm deri në 9 km, topat kundërajror 20 dhe 30mm me rreze veprimi dhe qitjeje mbi 7 km. Artileria e rendë Obus 122mmm me fuqi zjarri deri ne 24km, qitje me planshetë dhe zjarri shkatërrues i tankeve në dispozicion të brigadës të komanduara nga ushtaraku i guximshëm e profesional Idriz Kuca.

Tendenca jonë ishte e karakterit strategjik. Pas organizimit të vijës së frontit në tre drejtime operative kryesore te koduara 333 i cili komandohej nga Hisen Berisha, 555 që fillimisht komandohej nga komandanti i batalionit të parë Skender Hasangjekaj deri sa plagoset rënde dhe më pastaj radhëve tona u bashkëngjit njësia e udhëhequr nga Pren Marashi, i cili dhe e merr komandën në këtë drejtim, dhe DOp. 777 qe fillimisht deri ne rënje, komandohej nga koordinatori i operacionit komandanti Agim Ramadani dhe pas rëniës së tij me 11 prill 1999, komandën e merr Sali Ceku deri sa dhe ai  bije në altarin e lirisë me 18 prill 1999. Tanimë radhëve të brigadës iu bashkëngjitet oficeri Fadil Hadergjonaj i cili e merr komandën e batalionit të dyte dhe drejtimit operativ 777.

Me  zgjerimin e vijës së frontit sipas forcave që angazhonte armiku, e që kapnin një numër deri në 10 mijë trupa, me pajisjet përkatëse të luftimit, me të gjitha mjete e sofistifikuara, në planin stategjik të kompanisë së brigadës, ishte krijimi i tri brigadave dhe batalionit të forcave speciale DELTA, batalionit për vëzhgim, lajmërim, dhe diversione COBRA dhe batalionit të Policie Ushtarake.

Njësive të mbështetjes me zjarr të artilerisë së rëndë dhe batalionit  të logjistikës dhe atij të shërbimit shëndetësor se bashku me spitalin fushor. Divizioni tankist i Dizdarit kishte vënë ne dispozicion të njësisë tanket deri ne pese ekipazhe që tashme i kishim të përgatitura për operacione dhe me të komandonte vet komandanti i divizionit Idriz Kuca. Kështu që do të avanconim ne divizionin e parë të Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës.

Drejtimet strategjike ishin: brigada e drejtimit operativ 333, do të operonte ne drejtimin operativ Gjakovë- Suahrekë dhe në zonën e Nerodimes e Karakdakut Ferizaj e Gjilan deri në Luginën e Preshevës,; brigada e drejtimit operativ 555, do të operonte ne drejtim të Dushkajes-Malishevës- Prishtinë- Podujeve; Brigada e drejtimit operativ 777, do të operonte në drejtim të Pejes-Istogut- Mitrovicës. Kuptohet se gjatë operimit edhe shumë njësi në brendi të Kosovës do te riorganizoheshin në njësi me të mëdha operative dhe do te bashkonim forcat deri në krijimin e armatës së Kosovës për çlirimin përfundimtar.

Bisedoi P.Kuçana

http://www.youtube.com/watch?v=VH_9Dk1gHzk&feature=related

(Vijon )

Related posts:

Add a Comment