Luan Xhixha: “Mos harroni se kush jeni dhe nga vini!”

Nga Esmeralda Sadikaj

Rrugëtimi i tij drejt Mbretërisë së Bashkuar ishte i guximshëm por në të njëjtën kohë I mbushur plot emocion, përzierje ndjenjash ajo e frikës edhe shpresës shoqëronin këtë rrugëtim.
Nisur drejt viseve të panjohura por mbushur plot ëndrra të cilat nuk ngelën thjesht të tilla .Ishte një sfidë e cila duhej përballuar dhe është kënaqësi kur rikthehesh kujtimeve të vyera të cilat sollën rrugën drejt suksesit.
Bëhet fjalë për zotin Luan Xhixha, ekonomisti nga Durrësi që nuk e braktisi profesionin e tij edhe pse u largua nga Shqipëria. Ka plot 16 vite në Britaninë e Madhe. ‘ Fillimi ishte i vështirë si për këdo tjetër edhe për mua. Me aq njohuri të gjuhës angleze që kisha, nisa të njihesha me njerëzit dhe vendin.
E dashurova Anglinë që në fillim. Mendova se ky do të ishte vendi ku unë do të mund të realizoja dëshirat e mia,’ na thotë Luani.
Mbaroi studimet në vitin 1991 në Universititin Bujqësor të Tiranës, në një nga degët e ekonomisë. Ishte i aftë në profesionin e tij, gjithashtu edhe i përkushtuar.

Pavarësisht pengesave që u përball në një vend të huaj, ai arriti të specializohej në CIMA (Chartered Institute of Management Accounts). Në saj të investimeve për karrierën e tij dhe suksesit të arritur, hapi në vitin 1999 firmën e tij të quajtur ‘Albaccounting’. Kjo firmë ka për qëllim të merret me menaxhimin e financave të kompanive të mëdha, këshillime rreth shërbimeve të ndryshme, sistemet e taksave e shumë gjëra të tjera.
Firma ndodhet në veri- perëndim të Londrës, përkatësisht në këtë adresë: Park House, 111 Uxbridge Road, London, W5 5LB. Mund ta gjeni online në websit-in: www.albaccouting.co.uk, ku çdokush mund të shikojë se cilat janë shërbimet që ofrohen dhe mund të kontaktojnë, nëpërmjet email-it apo numrave të telefonit të vënë në dispozicion të klientëve.
Ka përzgjedhur rreth vetes një staf të kualifikuar. Fokusi kryesor është kujdesi ndaj klientit. Klienti është ‘A-ja’ e kësaj firme.
‘Për të qenë këtu ku jam sot, nuk ia kam dalë vetëm. Më kanë mbështetur dhe përkrahur familja ime, miqtë, shokët dhe bashkatdhetarët,’ shprehet në mënyrë modeste z. Xhixha.
Madje në firmën e tij ka të punësuar shqiptarë të suksesshëm në fushën përkatëse.
Nuk është e lehtë të jesh drejtor i një firme e cila merret me menaxhimin e të ardhurave dhe financave. Normalisht, për të qenë i kompletuar në të gjitha drejtimet, duhet të dish edhe të menaxhosh jetën tënde.
Të diturit sesi të shfrytëzosh mundësitë që të ofron jeta me ose pa qëllim, është një shenjë që ke prirje menaxhuesi. Shembull për këtë është Luan Xhixha. Përpos arritjeve profesionale, ai nuk e mohon origjinën dhe prejardhjen e tij. Është krenar që është shqiptar.
“ Në Shqipëri, mora njohuritë e para në fushën në të cilën po korr sukses në Britani. Kështu, është e pamundur që unë të harroj se vij nga Shqipëria. Asnjëherë nuk jam munduar t’a fsheh këtë fakt. Si shqiptarët, po ashtu edhe të huajt më përgëzojnë për arritjet e mia, duke mos u ndikuar nga prejardhja ime. Ata ndihen krenar që kanë një mik të suksesshëm dhe mbi të gjitha një mik besnik,’ na thotë Luani.
Që në fëmijëri , rrinte me stilolaps në dorë dhe shkarraviste çdo letër që i dilte përpara, ndonjëherë edhe muret. Kushedi se sa qortime e sa dënime ka marrë nga prindërit në atë moshë, ku mendohet se fëmijët shpalosin prirjet e tyre në mënyrë të pavetëdijshme. Kjo ishte një shenjë që ai do kishte një post, do të punonte në një zyrë dhe s’do të ndalonte së shkruari e së llogarituri.
Po cili është çelësi i suksesit të Luan Xhixhës? ‘Shifrat janë gjëra që nuk mund të luash, janë fakte. Në matematikë një dhe një bëjnë dy. Duhet të jetosh në atë mënyrë dhe të ecësh në ato rrugë, në të cilat edhe në jetë ndiqet i njëjti parim dhe barazim se një dhe një bëjnë dy, nuk bëjnë një apo tre. Dinjiteti, besnikëria, përkushtimi ndaj asaj gjëje që duam, të punuarit fort për ta arritur mund t’i veçoja si shtysat që më kanë bërë të jem sot në këtë pozicion.
Jeta është matematikë; veçse nuk duhet harruar se përtej shifrave në jetë ka edhe ndjenja, ka edhe njerëz, të cilët nuk mund t’i llogarisësh vetëm si një numër më tepër në jetën tënde, në rrugën tënde. Kujdes të veçantë duhet të tregosh sidomos me familjen. Koha e duhur për të, themelin e shoqërisë, si dhe një ndër vlerat e çmuara të shqiptarëve,’ shpjegon Luani.
Gjatë karrierës së tij, ka pasur kontakt me qindra mijëra njerëz. Shumica prej tyre shqiptar. Është përpjekur t’i ndihmojë dhe të bashkëpunojë me ta, kur janë krijuar mundësitë. Ka një numër të konsiderueshëm të bashkatdhetarëve që jetojnë dhe punojnë në Londër.
Secili ka zgjedhur një mënyrë për të qenë dikushi. Në planet e së ardhmes ai mendon të hapë edhe ndonjë firmë të tillë si ‘Albaccounting’ në Shqipëri, pasi për të nuk është e rëndësishme vetëm të jesh i suksesshëm jashtë Shqipërisë. Investimi më i madh dhe më me vlerë, është kur kontribuon për atdheun tënd.
Mesazhi që Luan Xhixha ju drejton të gjithë bashkëkombësave kudo që ndodhen është: ‘ Duajeni dhe ndihmojeni njëri – tjetrin. Respektoni veten, tjetrin dhe punën tuaj. Përkushtohuni ndaj punës, që të merrni frytet e dëshiruara. Mos harroni se kush jeni dhe nga vini! Me vepra tregojini botës se kush janë shqiptarët dhe Shqipëria!’