Luan Dranga në udhën e dijes

Nga Bashkim Metalia

Ikja! Ishte e madhe, e pandalshme, plot aventura. E uritur, e vendosur; ëndërrimtare për tu kthyer përsëri. Ikje për punë, arsimim, për të shpëtuar ,ikje për një jetë më të mirë.
Rrugëtimi njeriut i gjarpëron pafundësisht duke stigmatizuar kohen që e vë në sfidë dhe dilemë. Shqiptarët kanë përvojën e ikjes, nga luftërat e njëpasnjëshme, kataklizmi piramidal i fajdeve, duke u dëbuar nga atdheu papandehur. Por, akoma deri me tani ikja nuk ka të ndalur, shkak varfëria ; kushtet ekonomike tejet e të mjerueshme për një kategori të konsiderueshme.
Arsyetimi i shendosh e mban atë në këmbë, të frymoj shpresë dhe vitalitet .
E gjitha kjo përkthehet në sukses ndaj kësaj kohe të pakohë, kësaj nebuloze planetare. Kudo ku kanë shkuar kanë treguar se mbizotërojnë vlerat dhe atributet e një kulture të gjallë dhe pozitive.
Në hallkat e këtij rrugëtimi jemi të gjithë me historitë, peripecitë, suksesin dhe gjurmët e pashlyeshme në mërgim.
Shqiptarët e Britanisë janë një komunitet në rritje e sipër duke u rritur në të njëjtën kohe dhe ndikimi, si brendakomunitar ashtu dhe me gjerë.
Do të ishte jo vetëm interesante por në të njëjtën kohë dhe një shembull frymëzues nëse mësojmë në rreshtat e “Udhëtimi im”, jetën e individëve të veçantë nga ikja deri në hierarkinë më të fundit të rrugëtimit .
A nuk do të ishte një rast i vlefshëm për ta shkëmbyer me ju veprimtarinë e shqiptarit Luan Dranga ?
Me insistimin më të madh të tij dëshiron dhe kërkon që të punojmë e studiojmë sa më shumë, të mbrojmë vlerat e traditat shqiptare, dhe së bashku të ngremë sa me lart imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve jo vetëm në Mbretërinë e Bashkuar por dhe në botë.
Suksesi i tij është një nga rastet që personifikon shkallën e lartë të mendimit por dhe veprimeve intelektuale.
Për të njohur kapacitetin dhe rrugën që ka përshkruar Zoti Dranga , i kërkuam që të na elaburoj gjithçka që ka hasur dhe kaluar gjatë gjithë këtyre viteve deri në ishull.

luanSi do ta përkthenim historinë e ikjes së tij nga Shqipëria?

Historia e tij është një pjesëz si e mijëra emigrantëve të tjerë. Ëndrra për një jetë më të mirë e për të ndërtuar një familje të lumtur. “Nuk ka si vendlindja, si toka dhe njerëzit mes të cilëve je rritur. Nuk ka si atdheu e vatani yt që të thërrasin çdo ditë. Herët a vonë ne do të rikthehemi atje. Është çështje kohe”, – shprehet zoti Dranga

Pasi përfundoi studimet në Shqipëri nuk u ndie i plotësuar. Gjendja në të cilën ndodhej vendi nuk të ofronte asgjë, as punësim, as shpresë e as perspektivë. Ndaj si mjaft të tjerë, edhe Luani mori udhën e mërgimit.
“Nuk ishte një vendim i lehtë. Nga pas do të lija familjen time, njerëzit më të dashur e të shtrenjtë, do lija kujtimet që ende më mbërthejnë çdo ditë. Por shpesh jeta të vë para alternativave dhe shpesh ne jemi të kushtëzuar të vendosim jashtë dëshirës sonë” – vrazhdët shton ai .
Me tone pikëllimi dhe vazhdon duke thënë se : “..dhe pse qëllimi i “Udhëtimi im”është që të përvijohet uria, pagjumësia , lodhja, rrëfimi manual e stërmundon dhe e plevitos mendjen e secilit dhe timen njëkohësisht ndaj është më e drejtë të kapërcejmë ato kodra dhe fusha, rrugë dhe shtigje të panjohura, pa i ndjerë e përmendur….”
Si u gjend Zoti Dranga para një realiteti tjetër nga ai që kishte lënë pas, në vendlindje?
Pas shumë e shumë mundimesh, në vitin 1999 arriti në Mbretërinë e Bashkuar. Kishte menduar se do ta kishte më të lehtë. “…Por jeta në kurbet nuk është siç mund ta kesh besuar. Ndaj, kur u ndesha në fillim me këtë realitet, u përballa me disa vështirësi që i ktheva në sfida. Fillimisht e kisha të vështirë të adoptohesha me gjuhën, me ushqimin, me klimën, me njerëzit (kot nuk thonë shqiptarët sillesh si anglez) e gjithçka tjetër. Në fakt vështirësia me të cilat haset çdo emigrant dhe dëshira e tij më e madhe është që të pajiset me dokumente të rregullta qëndrimi. Ato të japin siguri, mund të kërkosh punë pa pasur asnjë frikë, ndjehesh i barabartë dhe nis e realizon gjithë ëndrrat që ke pasur. Por të pajisesh me dokumente në Mbretërinë e Bashkuar është një odise më vete. Sepse duhet t’i përshtatesh legjislacionit, kërkesave, duhet të japësh prova që je i denjë për shoqërinë angleze, që je një qytetar me vlera dhe i përkushtuar ndaj punës, familjes e shoqërisë. Megjithatë, pas mjaft peripecish, unë arrita të pajisem me dokumentacionin e nevojshëm e tani jetoj me të gjitha të drejtat bashkë me familjen time. Kujtoj se në fillim e kisha mjaft të vështirë të gjeja një punë. “
Emigrimi
Në emigracion ka mjaft rëndësi solidariteti dhe “patriotizmi” siç shprehet Luani . Me shoqëri ,-,shton ai , shpesh ndihmonim njëri-tjetrin sa për të mbajtur “frymën gjallë”. Bashkë me ata ka punuar në punë mjaft të vështira, të cilat shpesh nuk i konceptonin në Shqipëri. Por një njeri që të jetë i suksesshëm në jetë duhet t’i vërë objektiva vetes. Ndaj nuk u tërhoq. Vazhdoi përpara. Më pas e ndjeu të domosdoshme të nis kursin e anglishtes. Me shumë përpjekje e punë arriti ta përvetësoj atë.
Kapitalizmi të jep shanse të mëdha, thekson ai . Mjafton të kesh dëshirë të punosh, të studiosh, të këmbëngulësh, të kesh ide dhe të guxosh. Gjithnjë e kam dëshiruar edukimin. Ndaj pas disa vitesh punë, vendosa bashkë me një mikeshën time të hapnim një kolegj privat. Nuk është një sipërmarrje e lehtë. Por ne menduam se e gjithë bota sot është e orientuar drejt anglishtes, gjuhës universale në botë. Pastaj i gjithë planeti është në lëvizje.
Jetojmë në një shoqëri globale. Kolegjin e pagëzuam me emrin “GLOBAL LONDON COLLEGE”. Kjo ishte një sipërmarrje sa e guximshme, aq edhe vështirë. Por e thashë edhe me lart. Me punë e përpjekje arrihet gjithçka. Pasi plotësuam të gjitha standardet e kërkuara u liçensuam nga Ministria e Arsimit (ISI) dhe nga UKBA (Home Office) si dhe British Council. Kolegji është një mundësi për gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë në Londër ose edhe ata që kanë dëshirë ta ndjekin nga Shqipëria apo Kosova. Kush ndjek dhe përfundon kolegjin tonë pajisen me diploma që njihen në të gjithë botën ose edhe mund të kryejnë masterin në UK.

Të realizosh ëndrrën!

Tani mendoj se kam arritur atë që kam ëndërruar që kur isha fëmijë,- shprehet me entuziazëm Luani. Arsimi ishte ëndrra ime e parë. E për më tepër kur e arrin mijëra kilometra larg atdheut tënd, merr një rëndësi tjetër, me mjaft domethënie.
Luani i përket atij brezi që kaloi vitet e vështira të tranzicionit. Nuk i harron ato vite që lanë boshllëqe të mëdha tek bashkëmoshatarët e tij. Ndaj dëshiron që të jap kontributin e tij , t’i ndihmoj që të arrijnë ato ëndrra e shanse që humbën atëherë, duke i ftuar që të rinisin ashtu si ai, pasi nuk është asnjëherë vonë.
Kur bëhet fjalë për Atdheun nuk ka gjë që e zëvendëson. Të jesh larg tij e kupton se sa i rëndësishëm është. “Ne kemi fjalën e urtë e të bukur popullore me një domethënie të madhe ”Guri i rëndë në vendin e vet”. Ne përpiqemi ta mbajmë lart ndjenjën kombëtare këtu në mërgim. Por nuk ndjehemi mirë kur këto tradita e vlera nuk marrin rëndësinë e duhur në Shqipëri. Gjithsesi po vijnë kohë më të mira. Mbi të gjitha ne duhet të ruajmë historinë, kulturën, traditat, karakteristikat, cilësitë virtytet e racës sonë. Ne jemi ndër popujt më të vjetër në Evropë e në gjithë botën. Ne jemi pasardhës të ilirëve, kemi heronjtë tanë legjendarë, kemi memorien historike të gdhendur në çdo pëllëmbë të tokës sonë. Veç komunitetit, edhe shteti duhet të jetë më i ndjeshëm e të bëjë më shumë për çështjen kombëtare për ti dhënë vendit dinjitetin e merituar mes popujve të tjerë. Le të jemi ne bashkatdhetarët këtu në Britaninë e Madhe që të bëhemi protagonistë më shumë për atdheun tonë, të ngremë më lart imazhin e tij, të jemi ambasadorët e vendit tonë. Të promovojmë e ti dëshmojmë botës se si shqiptarët nuk ka. Se bijtë e shqipes janë vlera mbi këtë rruzull, se ne e meritojmë që të jemi pjesë e familjes së madhe Evropiane. “
Në përmbyllje për “Udhëtimi im”zoti Dranga shton “aty ku ekziston dhe bëhet pjesë e jotja dëshira, vullneti, këmbëngulja dhe puna, do të të shërbejnë dhe do të bëhen udhërrëfyesit e suksesit në jetë.
Pa këto njeriu nuk mund të përparoj , nuk mund të çaj përpara , përballë sfidave të jetës. Mjafton të bësh zgjedhjen e duhur ku njeriu e gjen veten më së miri, dhe padyshim që suksesi është i garantuar duke pasur këto cilësi…”