Liderët botërorë, sfida të vështira në Samitin për Klimën

Obama: Duhet të jetë një strategji afatgjatë që i jep botës besim në të ardhmen

Siguria – Megjithëse prej ditësh i blinduar, për shkak të sulmeve të 13 nëntorit, Parisi ka shtuar edhe më tej masat e sigurisë për të siguruar mbarëvajtjen e eventit të rëndësishëm botëror mbi klimën

Assad – Barak Obama dhe Vladimir Putin shfrytëzuan Samitin e Klimës në Paris për t’u takuar kokë më kokë, ku në qendër të bisedimeve ishte kriza siriane dhe këmbëngulja e Obamës për të pasur një të ardhme pa Assad-in

Bataclan – Në Paris, ku mbërriti për Konferencën e OKB-së për Klimën, Obama e shfrytëzoi edhe për një vizitë të shkurtër në skenën e sallës së koncerteve Bataclan, që u përgjak më shumë nga sulmet e 13 nëntorit

Më shumë se 150 udhëheqës botërorë u mblodhën dje në Paris për samitin e nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara, me synimin për t’u marrë vesh mbi masat ndaj ndryshimeve të klimës dhe për të penguar rritjen e temperaturës globale në shkallë të tillë që mund të kishte ndikim katastrofik. Ministri peruan i Mjedisit, Manuel Pulgar Vidal, me cilësinë e atij që kishte drejtuar takimin e fundit, hapi takimin e djeshëm, duke thënë se një marrëveshje do t’i dëshmonte botës se vendet mund të punojnë së bashku kundër ngrohjes globale dhe terrorizmit. Qëllimi i samitit është të kufizojë ngrohjen mesatare globale deri në 2 gradë Celsius, ndoshta më pak, në krahasim me shkallën para revolucionit industrial, me frenimin e djegies së karburanteve fosile që shihen si fajtorë për ndryshimet klimatike.

 

Obama: Bashkërendim me Kinën

Para hapjes së takimit, Presidenti amerikan, Barak Obama, nënvizoi “domosdoshmërinë” e bashkërendimit në luftën kundër ndryshimit të klimës ndërmjet vendit të tij dhe Kinës, gjatë takimit me Presidentin kinez, Xi Jinping. “Si dy vende me shkallë të lartë të emetimit të karbonit, ne jemi të përkushtuar ndaj faktit se është përgjegjësi e jona që të ndërmarrim veprime”, tha Presidenti Obama. Presidenti amerikan, Barak Obama, gjatë fjalimit të tij në samit, u bëri thirrje udhëheqësve botërorë të përballen me sfidën e kohës për të ruajtur planetin nga ndryshimet e klimës. Presidenti Obama u tha udhëheqësve botërorë se përparimi që ata do të arrijnë në takimin e Parisit për klimën do të matet me “vuajtjet që do të shmangen dhe me ruajtjen e planetit.” Ai tha se vendet e pranishme në takim ndajnë një sens urgjence për synimin e tyre – frenimin e djegies së karburanteve të ngurta dhe kufizimin e rritjes së temperaturave globale: “Të kuptuarit tonë për mënyrën se si njerëzit po e prishin klimën po rritet dita-ditës. Katërmbëdhjetë ndër 15 vitet më të ngrohta që njihen janë ato nga viti 2000 e sipër dhe 2015-a pritet të jetë viti më i ngrohtë nga të gjithë. Asnjë vend, i madh apo i vogël, nuk është i imunizuar nga kjo që po ndodh”. Më tej, Presidenti Obama bëri thirrje për një marrëveshje të qëndrueshme mbi klimën. Kjo, tha ai, nuk duhet të jetë një masë gjysmake, por një strategji afatgjatë që i jep botës besim për një të ardhme me nivele të ulëta në çlirimin e gazit karbonik.

Ai përmendi gjithashtu disa përparime që janë bërë tashmë nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera. Presidenti Obama u bëri thirrje delegacioneve të bien dakord për një sistem që është transparent dhe u jep atyre besim se edhe të tjerët po i përmbushin angazhimet.

 

Objektivat e OKB-së

Agjencia e OKB-së për klimën thotë se pritet që temperaturat mesatare globale të rriten deri në 1 gradë Celsius – gjysma e kufirit që përpiqet të imponojë OKB-ja për të parandaluar efektet, të cilat mund të jenë katastrofike për botën. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, tha se samiti “duhet të shënojë një pikë vendimtare kthese”, dhe se udhëheqësit “kanë fuqinë për të siguruar mirëqenien e brezit të tanishëm dhe të atyre që do të vijnë”. Negociatorë nga 195 shtete në total do të tentojnë vulosjen e një marrëveshjeje brenda dy javëve të ardhshme. “Krerët e shteteve do të jenë në Paris për t’u dhënë tonin këtyre negociatave. Ne përsërisim thirrjen tonë për një marrëveshje ambicioze, të fuqishme dhe detyruese të klimës, e cila të mos lërë prapa më të dobëtit e të cenueshmit mes nesh”, deklaroi dje nga ana tjetër, Giza Gaspar Martins, nga Angola. Drafti i paktit të hedhur në diskutim është një tekst prej 50 faqesh të mbushura me fjali në kllapa, një shenjë kjo e qartë mosmarrëveshjesh. Një nga përplasjet kryesore është ajo mbi termin “diferencim”: Shtetet e Bashkuara e vende të tjera të pasura nuk janë dakord me përkufizimet e bëra më 1992-shin, koha kur u krijua ky organizëm, i cili përcaktimin e një shteti si “të zhvilluar” apo “në zhvillim” e bën në bazën e pasurisë që ka. Argumenti i vendeve në fjalë është se marrëveshja duhet të reflektojë pozicionin aktual të shtetit, çka do të thotë se barrën e uljes së emetimeve të karbonit duhet ta ndajnë tashmë një numër më i madh vendesh nga sa parashikohej më parë.

 

Nishani: Shqipëria, e angazhuar në arritjen e objektivave

Presidenti Bujar Nishani, në fjalën e tij në Konferencën për Klimën që po mbahet në Paris, ka deklaruar se Shqipëria është e gatshme të punojë për përmbushjen e objektivave për reduktimin e çlirimit të gazit serë. “Shqipëria është në një pozicion unik sa u përket emetimeve të ulëta të gazeve me efekt serrë, pasi sektori i prodhimit të energjisë elektrike është plotësisht i dekarbonizuar dhe afro 1/3 e prodhimit parësor të energjisë, bazohet në energjitë e rinovueshme. Aktualisht në Shqipëri, emetimi i gazeve me efekt serrë është 1.4 tonë për frymë. Por, pavarësisht këtyre avantazheve, autoritetet shqiptare, nëpërmjet vënies në eficiensë të burimeve kombëtare, si dhe me ndihmën e donatorëve të ndryshëm, miratuan dhe dorëzuan INDC-në brenda afateve të përcaktuara nga Konventa. Kontributi kombëtar do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në shqyrtimin e zhvillimit të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë dhe do të përcaktojë dekarbonizimin si një rrugë të re zhvillimi”, ka deklaruar Nishani. Duke përfituar nga rasti, kreu i shtetit ka shprehur edhe solidaritetin e Shqipërisë për popullin francez, “pas sulmeve barbare të 13 nëntorit”.