Lëvizja surprizë e May: Zgjedhje të parakohshme më 8 qershor

Arben Manaj

Kryeministrja britanike, Theresa May erdhi në krye të Downing Street pas dorëheqjes së paraardhësit të saj David Cameron, i cili fitoi zgjedhjet e fundit parlamentare, por humbi referendumin për Brexit.

 Ajo kërkon tashmë mandatin e saj, që nëse e merr do të drejtojë Britaninë për pesë vitet e ardhshme deri në 2022, kohë e cila do t’i jap më shumë kohë dhe dorë të lirë për të negociuar për Brexit.
Nëse do të rinte në këtë post deri në 2020, May do ishte kryeministrja në detyrë me kohën më të gjatë pa zgjedhje që nga koha e Churchill gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sondazhet e opinionit publik janë në favor të konservatoreve britanik, që ndodhen 21 pikë përpara Laburistëve të Jeremy Corbyn.

Ky fakt duket se është edhe nxitësi kryesor për zgjedhje të parakohshme. Laburistët do e mbështesin këtë kërkesë dhe votimi në parlament do të jetë një formalitet. Dilema është nëse britanikët do votojnë për një qeveri të re që do ketë dorë të fortë në negociatat e ardhshme për Brexit apo do duan të ç’bëjnë deri diku rezultatin e referendumit, duke votuar një qeveri tjetër, e cila do të ndryshonte shumë gjëra që nga koha e referendumit të Brexit.

Situata do kishte qenë akoma më të qarta nëse laburistët do kishin një udhëheqës që gëzonte më shumë mbështetje në parti dhe në elektorat. Pikëpyetja mbetet; a do të votojnë kundërshtarët e tij pro konservatorëve për të pasur më shumë shanse për largimin e tij nga kreu i opozitës, apo përveç tyre do ketë edhe nga parti të tjera anti-Brexit që do votojnë për laburistët për të përmbysur apo zbehur efektet e rezultatit të referendumit për Brexit.

Nuk dihet nëse laburistët do ndryshojnë udhëheqësin deri në zgjedhjet e 8 qershorit ose jo. Gjasat janë se konservatorët në pushtet mund të fitojnë sërish dhe ndoshta më shumë deputetë nisur nga sondazhet. Ajo që kanë treguar vitet e fundit në politikën britanike është se ajo është shumë e vështirë për t’u parashikuar.

Enigma më e madhe e këtyre zgjedhje të parakohshme është nëse rezultati i tyre do të ofrojë më shumë stabilitet apo destabilitetet politike, në një kohë mjaft decisive për lundrimin e anijes britanike në ujëra të trazuar larg brigjeve europiane pas negociatave për Brexit.