Lejonte prerjen e pyjeve, pranga efektivit të policisë

Një punonjës policie është vënë në pranga sot për veprën penale të “Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Policia ekzekutoi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër me masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për punonjësin e policisë N/Komisar Ardian Çuli.

Arrestimi i punonjësit të policisë Çuli u krye si rezultat i një hetimi dymujor nga SHÇBA (Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat), në MPB, në bashkëpunim me njësinë Task-Forcë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, në funksion të një procedimi penal të regjistruar në vitin 2015.

Hetimet kanë provuar se në disa raste, duke shpërdoruar detyrën, oficeri i policisë lejonte kundrejt përfitimit, shtetas të ndryshëm të prisnin dhe tregtonin drurët e pyjeve në mënyrë të kundraligjshme.