Policia gjyqësore që nga dita e djeshme dhe sot po vijon me sekuestrimin e dokumentacionit në drejtorinë e planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit të territorit në Bashkinë e Durrësit.
Me urdhër të Prokurorisë, Policia Gjyqësore po sekuestron të gjithë dokumentacionin e objekteve, për të cilat janë dhënë leje ndërtimi gjatë 15 viteve të fundit si dhe dokumentacionin e legalizimit të objekteve të ndërtuara pa leje e kryesisht shtesave në objekte banimi e njësi shërbimi.

Ndërkohë që po kryhen veprimet dhe në terren nga grupet e hetimit. Prokuroritë e Tiranës, Durrësit dhe e Krujës kanë nisur tre hetime për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit, ku nga shembja e disa godinave humbën jetën 51 persona.

Hetimi i parë nga Prokuroritë po kryhet për godinat e shembura që nën rrënojat e tyre zunë poshtë njerëz ku shumë prej tyre nuk mundën të dalin të gjallë. Hetimi i dytë po kryhet për dëmtimin e rëndë të godinave në qytetin e Durrësit por edhe në Thumanë, për të cilat do të hetohet e gjitha puna se si janë ndërtuar dhe personat përgjegjës. Ndërsa hetimi i tretë po kryhet për godinat e dëmtuara në Tiranë.