Kush po dekriminalizohet ?

Nga Heraldo Panozaqi
Miratimi i Ligjit të Dekriminalizimit u ciësua si një nga arritjet më të mëdha politike të vitit që sapo lamë pas. Në muajin dhjetor, prokuroria jonë nxorri emrat e parë të personave të prekur, si rrjedhojë, sigurisht që një veprim i tillë u shoqërua me përgëzime nga të gjitha partitë në vend dhe nga ambasadat më të rëndësishme.
Edhe pse një arritje shumë e madhe, mua më lind pyetja se: “ Kush janë personat që po dekriminalizohen? ” Ajo që mendoj unë është se në jetë asgje nuk është rastësi, aq më tepër në politik. Sistemi jonë elektoral bën të mundur që individët që vendosen në listat shumë emërore, të jenë analizuar nga partitë politike. Në rastin më të mirë dhe duke qenë disi naiv, mund të mendohet se ky “kriminalizim” i Parlamentit është pasojë e neglizhencës.
Sigurisht një mendim i tillë është shumë i vakët duke pasur parasysh realitetin në të cilin ndodhemi. Realitet është aq tmerrues, sa cdo herë që zhvillohen zgjedhjet, dëgjojmë se votat fitohen nëpërmjet dhunës apo shantazhit. Është evidente se koherenca logjike që të imponon realiteti i hidhur, është se janë pikërisht këta individë me precedent kriminal përgjegjës për veprimet e kryera.
Duhet theksuar se ata nuk janë rastësisht në ato lista, janë persona të “rekrutuar” nga partitë respektive. Këta individë përdoren si gjatë kohës së fushatës, ashtu dhe në kohën e procesit të votimit për të bërë manipulime të caktuara. Në disa raste të tjera janë përdorur qoftë për të sjellë në pushtet persona të caktuar, të cilët më vonë detyrohen t’i shpërblejnë, duke i emëruar : kryetar bashkie, deputetë, drejtor drejtorie, apo duke i favorizuar në procedura tenderash. Sigurisht që personat me pushtet janë kryetarë të partive respektive ose persona me influencë në parti, të cilët edhe pse në momente të caktuara mund të duan të distancohen nga faktorë kriminalë, por që shumë vonë.
Edhe pse një shprehje thotë “më mirë vonë se kurrë”, unë mendoj se sado që të vazhdohet në këtë mënyrë, duke kapur individë të caktuar, sërish do të dalim në të njëjtin përfundim. Kjo për arsyen se “partitë” do fusin sërish të tillë individë nëpër lista. Unë mendoj se në këtë rast “është qelbur peshku nga koka”. Pikërsht këta kryetarë, nënkryetarë, sekretarë partish në pushtet, janë personat më të “kriminalizuar”. Janë ata që me vetëdije të plotë përdorin një ndihmë jo ligjore, për përfitime personale ose për të ardhur në pushtet. Ama sigurisht që është një gjë mjaft pozitive, sepse më në fund dikush është duke zbatuar ligjin edhe pse nën tutelën e “Amerikanëve” dhe “BE”.
Pyetja që lind natyrisht është se kush do t’i largojë këta persona që kanë marrë peng partitë duke i kthyer në cifligje personale. ASNJË. Asnjë, sepse pushteti që ata kanë është shumë i madh, kjo duke pasur parasysh se dhe ligjet që i largojnë “banditët” ata i hartojnë, ata i miratojnë dhe në shumicën e rasteve po ata i zbatojnë. Dhe që të dënosh veten duhet te kesh këllqe dhe unë mendoj se në politikën tonë ndonjë ose asnjë i ka ato…
E vetmja shpresë që ngelet, e që e kam ende edhe unë, është se ata mund të tremben disi, sepse jam i sigurt që nuk ndërgjegjësohen, dhe se këto 20 vite janë shembulli kryesor që nuk ndërgjegjësohen. Nuk do të tremben nga prokuroria jo, sepse atë e kontrollojnë tashmë, por nga trysnia ndërkombëtare dhe nga frika se pa miratimin ndërkombëtar do të zhduken nga skena politike pa lënë gjurmë.