Kuptimi i historisë, rasti i “Rilindjes” së Edi Ramës në Shqipëri

Nga Dritan Hoti*

“Historia mvishet me një sens, kur aty ekziston logjika”, Raymond Aron “Opiumi i intelektualëve”.

Çdo aksion domethënës në historinë e një kombi, shteti, apo të mbarë njerëzimit që mishërohet në veprimtarinë politike të një prijësi së dikurshëm apo lideri politik të epokës aktuale, përmban kuptueshmërinë, e artikuluar me termin filozofik, sensi, kuptimi i historisë. Kështu, kapërcimi i Rubikonit nga Cezari, lufta franko-prusiane 1870, ultimatumi i ministrave austriakë përkundrejt Beogradit (1914), apo sulmet ajrore të SHBA-së nën kryesimin e presidentit Klinton ndaj Serbisë (1999), përmbajnë një emërues të përbashkët. Aktet e sipërpërmendura paraqesin një kuptueshmëri autentike, e ndërlidhur me projektin e aktorit dhe me situatën në të cilën ai ndodhet dhe çfarë synon të realizojë. Çdo epokë e historisë ka lajtmotivin e saj, Rilindja e spikatur evropiane zëvendësoi epokën mesjetare, e cila ishte kryesisht me përmbajtje fetare, thelbi i së cilës vërtitej rreth arsyes. Gjithashtu, çdo etapë e historisë është ngritur në një dimension kontinental apo universal. Ja pra sesi iniciuesit dhe mishëruesit e Rilindjes reale kombëtare shqiptare ishin të frymëzuar pikërisht nga perceptimet e Rilindjes evropiane, të cilat mandej ata u rrekën t’ua përshtatnin realiteteve të vendit të tyre, me synim në vetvete shpëtimin e tij. Ndërkohë që Rilindja si epokë u zëvendësua nga nacionalizmi i fundshekullit XIX si dhe fillimshekullit XX, i cili si vektor kishte forcën motivuese si një vizion historik. Ndërsa shkenca dhe teknologjia janë konceptet drejtuese të epokës sonë, që ka prodhuar si model politik të botës aktuale ndërvarësinë e globalizimit, e kombinuar me fragmentarizimin politik. Paralelisht me këto prirje, kryeministri aktual shqiptar, Edi Rama, pak kohë më parë si drejtues i opozitës socialiste shpalli e shpalosi projektin e tij për një Rilindje kombëtare, e cila do të implementohej sakaq me marrjen e pushtetit. Rilindja përbrenda një hapësire, pra në një kontinent apo në një vend të caktuar, i tillë objekti i artikullit në fjalë, si përkufizim nënkupton kapërcimin, kalimin nga një përmbajtje, fizionomi gjithëpërfshirëse e normave e principeve drejtuese të një vendi duke çelur një epokë të re e të ndryshme, nëpërmjet një transformimi madhor. Ja sesi që në pikënisje, emërtimi i periudhës së re qeverisëse si Rilindje është i pavend, madje-madje tingëllon i pakuptimtë. Momenti aktual historik që po kalojnë shqiptarët, mund të konsiderohet pa asnjë mëdyshje si ndër më të volitshmit në historinë e tyre politike. Kësodore, paralelisht “Rilindja” e Ramës u lajmërua si platforma e duhur që do të lançonte mbarëvajtjen e zhvillimeve të brendshme socio-politike të vendit, nëpërmjet funksionalitetit të munguar të shtetit, duke vendosur sensin e drejtësisë për nga pikëpamja etike, sociale e politike, shkurt, me anën e asaj që njihet nën termin mbizotërimi i ligjit. Në traditën politike shqiptare, në të shumtën e rasteve platformat e pretenduara politike në vigjilje të marrjes së pushtetit nuk janë mbajtur parasysh, bile-bile kanë rezultuar asimetrike me mënyrën sesi ai është ushtruar. Për më tepër në një vend të tillë si Shqipëria, ku standardet e një demokracie reale kanë munguar apo kanë ekzistuar me deviacione të mëdha, me një mungesë të mekanizmave frenues apo ekuilibrues, ndjesitë, vullnetet apo botëkuptimi shpirtëror i liderit drejtues imponohet, mbizotëron dhe shembujt janë jo të pakët, kur ata janë shënjuar nga negativiteti, duke kondicionuar apo mbajtur peng kësisoj zhvillimin e vendit. Në vitin 1945, Enver Hoxha u deklaronte diplomatëve e misionarëve anglo-amerikanë se dëshira dhe synimi i tij politik ishte instalimi i një Shqipërie demokratike, ndërkohë pak muaj më vonë ai nisi konturimin e një prej diktaturave më mizore e shkatërrimtare mbi popullin shqiptar për 45 vite me radhë. Jo se Edi Rama ndodhet nën premisa analoge, aq edhe më pak ai synon projektimin e diçkaje të ngjashme, mirëpo parimet e pretenduara prej tij për një “Rilindje” të vendit, që në orët e para të qeverisjes nisën të shthureshin, duke rrëzuar modelin e tij politik. Si rrjedhojë, zotimi për drejtësi sociale ia la vendin egërsisë përëmuese përkundrejt shtresave të pambrojtura të këtij vendi. Imponimi i përmbushjes së detyrimeve shoqërore e shtetërore, kurrsesi nuk mund të realizohet në mënyre selektive: Nga njëra anë, shtrëngimet e ndëshkimet e sipërpërmendura, nga ana tjetër justifikimi apo tolerimi i simptomave të korrupsionit në sferat e larta, klientelizmit, të shoqëruara nga doza paditurie e papërgjegjshmërie institucionale. Integrimi e promovimi i individëve me precedentë penalë në Parlamentin shqiptar reflekton vërtetësinë e perceptimeve të Ramës për sa i përket korrelacionit midis moralit dhe politikës, i cili përgjatë historisë njerëzore rezulton si mekanizmi rigjenerues i institucioneve nëpërmjet politikës. Diletantizmi i shfaqur hera-herës në diplomaci, aq i rrezikshëm për konjukturat mbi të cilat aktualisht lundron Shqipëria, apo çështja shqiptare edhe më gjerë. Piketat e sipërpërmendura skicojnë më së miri vijat e trasha të qeverisjes Rama. Të identifikosh momentin historik, pra periudhën qeverisëse të Ramës me definicionin se çfarë një Rilindje e mirëfilltë kombëtare, është nonsens, e thënë më mirë, e pakuptimtë. Si konkluzion, modeli qeverisës nuk përfaqëson asnjë risi dhe është në substancë një tejzgjatje e modelit të tranzicionit shqiptar. Virtytet, cilësitë, gjithashtu edhe cenet e karakterit kombëtar shfaqen përgjatë historisë së kombit në varësi të mënyrës sesi qeveriset. Në këtë vazhdë, mirëqeverisja, me një fjalë, një demokraci e plotë favorizon anët pozitive; keqqeverisja, të kundërtat e tyre, inkurajojnë anët negative. Mirëpo, nëse keqqeverisja vazhdon të zgjasë në një formë të pandërprerë, duke u toleruar apo hasur në një reagim të shoqërisë, kësisoj formohet një traditë e pak më vonë një mendësi. Thyerja e kësaj tradite do të çelte siparin e një rigjenerimi moral të vendit, apo një Rilindje, nëse u pëlqen ta cilësojnë kështu, ndërsa ajo e tanishmja meriton të etiketohet një absurditet, i cili jo rrallëherë është hasur në historinë e shqiptarëve, i përzierë me tragjiken, duke e dëmtuar jo pak evolucionin e kombit shqiptar.

*studiues, shkenca politike