Kukësi, Laçi e Tërbuni, pro ndryshimit të numrit të të huajve në fushë

Kukësi, Laçi dhe Tërbuni i bashkohen nismës së Flamurtarit për të shtuar numrin e të huajve në fushë gjatë një ndeshje të kampionatit.

Iniciativa e klubit vlonjat, pasi ka marrë mbështetjen e menjëhershme nga drejtuesit e klubit të Partizanit dhe Bylisit tashmë po gjen përkrahje edhe nga klubet e tjera të Kategorisë Superiore. Prej kohësh disa nga klubet e Superligës po mendojnë që të lobojnë për të ndryshuar rregullin e të huajve në fushë gjatë një ndeshjeje, por hapin konkret e ka marrë klubi i Flamurtarit. Prej disa ditësh drejtuesit e kuqezinjve kanë përpiluar kërkesën që i drejtohet Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, duke vendosur dhe emrat e të 10 klubeve të Kategorisë Superiore.

Të Premten, përveç klubit iniciator të kësaj kërkese, firmën në këtë dokument e kishin vendosur edhe drejtuesit e Partizanit dhe Bylis. Ndërkohë, mësohet se së fundmi kanë firmosur këtë kërkesë edhe drejtuesit e Kukësit, Laçit dhe Tërbunit duke e çuar momentalisht në 6 numrin e skuadrave që kërkojnë shtimin e futbollistëve të huaj në fushë. Burime nga klubi Flamurtari bëjnë të ditur se përgjigje negative ka dhënë për momentin Tirana, ndërkohë që ende nuk ka një reagim nga drejtuesit e Teutës, Vllaznisë dhe Skënderbeut. Mësohet se drejtuesit e Flamurtarit po presin rikthimin e kampionëve nga Spanja për t’i bërë të ditur kërkesën e tyre dhe më pas do të mësohet se cili do të jetë numri i plotë i skuadrave që kërkojnë ndryshimin e këtij rregulli.