Ku (nuk) besojnë shqiptarët?

Nga Afrim Krasniqi

Një sondazh i kryer nga partnerë shqiptarë e ndërkombëtarë (UNDP, IDM dhe EU) në nëntor 2015, njëherësh me sondazhe të njëjta në disa vende të rajonit, pasqyron nivelin e besimit të qytetarëve tek institucionet, si dhe problematikat e tyre kritike. Në rastin shqiptar sondazhi tregon se shqiptarët besojnë 2-3 herë më shumë tek institucionet ndërkombëtare sesa në institucionet vendore shqiptare. Shqipëria vijon të jetë nga vendet e pakta në botë që ka NATO institucionin më te besueshëm, dhe në mes të krizës së BE-së shqiptarët e shikojnë këtë institucion më të besueshëm se çdo institucion tjetër. Pas NATO e BE, vijnë komunitetet fetare.

Në konceptin praktik të mirëqeverisjes dhe jetësimit të standardeve më të larta të jetesës NATO, BE dhe komunitetet fetare kanë rëndësi simbolike, ashtu si edhe sektorët e sigurisë, policia dhe ushtria. Rol thelbësor për mirëqeverisje dhe standarde demokracie e jetese kanë institucionet e tjera: qeverisja efektive, parlamenti efektiv, një sistem drejtësie efektiv, cilësia e përfaqësimit, shërbimet sociale efektive, sistemi efektiv arsimor, shëndetësor dhe i punësimit etj. Dhe kur bëhet fjalë për institucione e sektorë të tillë prioritar, sondazhi tregon se ato kanë besueshmërinë më të ulët publike. Vetëm një në tre shqiptare beson tek qeveria, një në katër tek parlamenti dhe një në gjashtë shqiptarë tek partitë politike e gjyqësori. Më pak se një në tre qytetarë beson tek sistemi arsimor e shëndetësor, një në dy qytetarë tek policia, dhe më shumë se një në tre qytetarë beson tek media dhe shoqëria civile.

Referuar dallimeve 2014-2015 rënia më e madhe e besimit publik është shënuar tek parlamenti (- 7%) ndjekur nga sistemi shëndetësor, partitë politike, sistemi arsimor, qeveria dhe në fund, drejtësia, kurse rritjen më të madhe të besimit e kanë shënuar institucionet fetare (+8%) ndjekur nga Presidenti, shoqëria civile, policia, EU dhe NATO.

Në brendësinë e sondazhit, tregohet se partitë politike, të cilat gëzojnë mbështetjen e plotë të vetëm 3% të qytetarëve, kanë influencë midis 40-60% tek KQZ, sistemi i drejtësisë, policia, sistemi shëndetësor, sistemi arsimor si dhe sistemi i shërbimeve sociale. Institucionet më me pak ndikim politik janë institucionet fetare. Referuar 2014 dhe krahasimin me 2015 ka rritje të pavarësisë nga influenca politike nga 6-10% tek policia, drejtësia, KQZ dhe institucionet fetare, kurse në sektorët e tjerë është minimale. Në përformancën e varfër të institucioneve kuotat më të larta i ka policia, ndjekur nga ushtria, qeverisja vendore, qeveria qendrore, Presidenti dhe parlamenti.

Nga sondazhi dalin të dhëna të detajuara mbi perceptimet e korrupsionit, format e korrupsionit, problematikat e punës së institucioneve publike, etj, si dhe lista e institucioneve nga të cilat ka pritshmëri të madhe publike. Për ironi, institucionet më rënien më të madhe publike shihen edhe si institucionet që duhet të ndikojnë më shumë për rritjen e besimit publik.
Kjo pasqyrë e raportit të besimit të institucioneve me qytetarët vjen në kohën kur Parlamenti (2015) është përballur me një numër skandalesh dhe me debatin mbi de-kriminalizimin, kur kritikat ndaj partive politike dhe mënyrave klienteliste sesi ato veprojnë janë rritur ndjeshëm dhe kur faktori ndërkombëtar po udhëheqës reformën në drejtësi. Në kontekst më të gjerë rezultatet pasqyrojnë rëndësinë e sigurisë dhe tolerancës fetare në kohën e rreziqeve terroriste, si dhe diferencën midis reformave ligjore të marra në disa sektorë, me rezultatin e munguar praktik të tyre.

Fakti se shumica e qytetarëve të përfshirë në sondazh janë individë me arsim të lartë, pra me kualifikim dhe me njohuri mbi çështjet mbi të cilat shprehen, paralajmëron se të dhënat e sondazhit në një shtresë popullsie më sociale do të ishin edhe më negative. Trendi nuk është vetëm shqiptar, është rajonal dhe vë në diskutim aftësinë e klasës politike brenda nesh dhe rreth nesh, përfshirë Kosovën dhe Maqedoninë, për të krijuar një ndjesi më demokratik dhe më transparent sesa sistemi hibrid aktual. Kritikat masive tek cilësia e shërbimeve publike, sidomos në sektorë si arsimi e shëndetësia, të cilat janë në kontakt të përditshëm me qytetarin, duhen lexuar edhe si konsensus publik për reforma të thella dhe për strategji afatgjata përmirësimi të tyre cilësor. Ligjet e shkruara nuk janë gjithnjë zgjidhje, jetësimi i ligjeve dhe produkti konkret, mbeten pritshmëri kryesore për qytetarët.

Në kontekstin politik referimi i partive politike si burim kryesor mosbesimi, roli dhe mbipushteti i tyre ndaj institucioneve të tjera, sidomos atyre të administrimit dhe shërbimeve, jep sinjali negativ për produktin e pluralizmit 25 vjet pas rrëzimit të sistemit të partisë – shtet. Edhe më alarmant bëhet fakti se të njëjtat kuota negative mbi partitë vijojnë prej mëse një dekade, pra nuk kemi të bëjmë me ndarje majtas – djathtas, por me modele e sjellje të njëjta që prodhojnë zhgënjim e pakënaqësi qytetare.

Një mësim tjetër thelbësor për Shqipërinë është kuota minimale e besimit që qytetarët kanë tek sistemi ynë politik dhe qeverisës. Qeveria është më e besueshme sesa parlamenti, kur trendi global është i kundërt; kontrolli i ekzekutivit nuk ka pritshmëri nga instit8cionet e ngarkuara me kushtetutë dhe ligje, pra ato që paguhen edhe me taksat tona, por qytetarët besojnë se këtë e kryejnë më mirë media dhe shoqëria civile, dy sektorë sa privatë aq edhe publikë.

Për një vend, si Shqipëria, ku liderit politikë dhe vendimmarrës e bazojnë punën e tyre në numrin e like në faceboook apo mesazheve që iu vijnë nga militantët e tyre besnikë, sondazhe të tilla janë një pasuri, një rast i mirë për të parë realitetin në pasqyrë dhe për të përmirësuar politikat e deritanishme. I njëjti leksion vlen edhe tani. Duke iu larguar praktikave të gabuara të kapjes pas detajeve për të gjetur alibi suksesi apo dështimi, por duke lexuar thelbin e mesazhit, dhe duke menduar e ofruar zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë për problematikën që ngrenë qytetarët. Sondazhi, i cili për më tepër, bëhet burim referimi ndërkombëtar për Shqipërinë gjatë vitit të ardhshëm, me gjithë ndonjë hollësi teknike të tepërt apo të diskutueshme, në thelb mbetet një dokument me vlerë, një udhëzues për axhendën politike dhe një ftesë për më shumë demokraci direkte dhe funksionale, më shumë premtime të mbajtura dhe presion pozitiv publik ndaj elitës së vogël vendimmarrëse.

12642724_10208644127078526_2914805259513347419_n