Kronikë e një imazhi të paralajmëruar

Çfarë po ndodh në Shqipëri ?
Si tu përgjigjemi anglezëve?

Nga Petrit Kuçana

Është një postim krejtësisht i sinqertë i një të riu shqiptar, që u përhap shumë kohë më parë në rrjetet sociale.
Ishte një kërkesë shumë normale, ku i kërkohej të parit të vendit , që të hapë vende pune në Shqipëri dhe ai do të kthehej menjëherë, në të kundërt paralajmëron se do e marrë në qafë, pasi do të detyrohet në futet në hullitë e rrugëve që nuk do i dëshironte.
Ai mesazh/postim, ndonëse tepër prekës, mbeti dhe vazhdon të mbetet kaq i papërfillshëm, saqë thuajse asnjë media nuk e pa të arsyeshme që ta botonte, aq më tepër ta analizonte dhe “të detyronte” ndonjë zyrtar, qoftë atë më të voglin që t’u hedhë një sy, këtyre emigrantëve të ardhur rishtaz në Britani.
Madje sot e kësaj dite nuk dihet numri i të rinjve shqiptarë, që kanë ardhur dy vitet e fundit në ishullin britanik. Më fatlumët janë ata që “kanë qëlluar” të jenë nën 18 vjeç, që kanë të drejtë qëndrimi dhe përkujdesjeje nga shteti i këtushëm dhe duhet theksuar se shqiptarët janë të dytët pas sirianëve, e në shumë zona të Londrës janë të parët. (Nuk ka bir nëne që mund t’i përgjigjet pyetjes angleze se; çfarë po ndodh në Shqipëri?) Çfarë lufte, çfarë dreqin po ndodh?…. (thua të kenë lexuar FT-në?) Ata më fatzinjtë, mbi 18 vjeç, janë në mbijetesë.
A mund të imagjinohet jeta e një mërgimtari “në të zezë” që ska të drejtë pune, që jetojnë të strukur në çdo kuptim të fjalës, pra me lepur në bark, edhe nëse mund të sigurojnë ndonjë punë, natyrisht në të zezë, nga të afërmit apo “për sevap”?
Layout 1Fatkeqësisht prej shumëkujt, kryesisht zyrtarëve, një jetë e tillë mbetet e pakonceptueshme.
Në bazë të ligjeve britanike , këta mërgimtarë jo vetëm që s’mund të punësohen, por tashmë as nuk mund të strehohen. (Minimumi pronarët e shtëpive gjobiten nëse në banesat e tyre gjenden emigrantë të jashtëligjshëm).
Në situata mbijetese, mesazhi i të riut flet më shumë s gjithçka. Është ai mesazh që përshkruan gjendjen reale të këtyre fatzinjve, (prej tre vitesh nuk ka mundur të paguajë shpenzimet e rrugës 6 mijë paund).
Çdonjëri që mund të shikojë “Press release” të policisë britanike, do të shokohet nga numri i arrestimeve dhe dënimeve të bashkatdhetarëve tanë.
Paralajmërim ishte i qartë. Tani erdhi radha e mediave që absolutisht bëjnë punën e tyre dhe …patjetër lajmi janë shqiptarët… statistikat janë plot dhe të faktuara dhe ja ku qëndiset shkrimi bukur bukur, duke shkatërruar nga themelet imazhin e përmirësuar rrënjësisht prej një dekade, nga ata mërgimtarët e hershëm, që kanë mundur të integrohen në shoqërinë britanike.
Padyshim që janë të shumë ata që përfaqësojnë denjësisht vlerat shqiptare këtu, me të cilët krenohemi çdo ditë, por ja ku na behën këto shkrimet dhe venitja e këtij imazhi të mirë, ka marrë tatëpjetën.

Është kjo tablo që po errësohet çdo ditë, jo nga ata fqinjët e shqetësuar nga mbipopullimit e shqiptarëve… nëpër dhoma e shtëpira…por pikërisht në median britanike, edhe në ato gazeta që shpërndahen falas nëpër metropolin londinez.

Sikur të mos mjaftonte kjo çdo ditë drejt Britanisë (“molla e ndaluar”) po vijnë me qindra shqiptarë, si rrugëzgjidhja e vetme për të shpëtuar nga pamundësia për të jetuar në tokën mëmë…
***
Ndërkohë është miratuar në komisionin e ligjeve (vetëm me votat e maxhorancës) projektligji “Për regjistrimin e adresave të shtetasve shqiptarë që jetojnë në emigracion” siç ishte propozuar nga Ministria e Brendshme.
Është e papranueshme, (madje neveritëse), kur mendon se në projektligjin e ri të qeverisë, parashikohet një afat prej 90 ditësh për emigrantët kudo që janë, që të deklarojnë banesat ku jetojnë jashtë vendit, në të kundërt do t’u ndërpriten shërbimet në ambasada, apo konsullatat shqiptare.

Të ndërpriten shërbimet në ambasadë? Po edhe kjo kishte mbetur. Jetimë? Nga Ministri Tahiri u dëgjuan ca thënie që emigrantëve duhet t’ua kthejmë borxhin e madh… etj etj, por nuk po rezulton kështu.
A ka njeri t’i informojë ligjvënësit, t’i informojë, të zgjedhurit, përfaqësuesit, (edhe të emigrantëve) se një pjesë shumë e madhe e shqiptarëve të Britanisë, jetojnë në të zezë, e tu shpjegojë që nuk guxojnë të deklarojnë asnjë adresë, (pasi së paku) paralizojnë edhe strehuesit…?
Mbase Ministrit të Brendshëm z.Tahiri i kujtohet deklarata e tij…se duhen shkurtuar procedurat për rikthimin e tyre, pasi po tërheqkan të tjerë…, por të paktën mbase dikush do t’i tregojë sesi jetojnë të ardhurit rishtaz në Britani.
Të paktën përfaqësuesit e mbetur në ambasadën në Londër (shteti shqiptar nuk e ka parë të arsyeshme të përfaqësohet me ambasador në Mbretërinë e Bashkuar), duhet t’i dërgojnë ndonjë raport Ministrit, apo komisionit të ligjeve, e të paktën ato shërbime konsullore që garantohen, të mos ndërpriten se ky do të ishte krim…

Duhet dikush t’u trgojë pushtetarëve se në bazë të ligjeve britanike , këta mërgimtarë, jo vetëm që s’mund të punësohen, por tashmë as nuk mund të strehohen… në Britaninë e Madhe. E cilën adresë të japin?
A mund të flitet për përgjegjësi shtetërore…për…

Imazh? A është kjo gjëja e fundit që u bie ndërmend pushtetarëve shqiptarë? E mbase një ditë do të kujtohen se ka qenë një kronikë e paralajmëruar…