Kostot e kooperimit shkencor

Nga Dr. Besarta Vladi*

Duke mos dashur aspak t’i hyj debatit se kush e meriton të quhet intelektual e kush jo, në ditët e sotme një gjë është thuajse e sigurt, nuk mund të jesh intelektual apo kërkues i mirëfilltë pa qenë pjese e një network-u apo rrjeti të fortë kërkimi shkencor, në të cilin ndan sfidat dhe arritjet akademike dhe intelektuale. Në këtë kontekst, ekziston një numër i madh iniciativash dhe rrjetesh ndërkombëtare që synojnë pikërisht nxitjen dhe forcimin e bashkëpunimeve ndërmjet kërkuesve të disiplinave të ndryshme në mbarë botën. Një prej nismave më të suksesshme në Europë, në kuadër të kërkimit shkencor dhe inovacionit, edhe pse jo shumë i njohur në Shqipëri, është Programi COST (European Cooperation in Science and Technology). Kjo iniciativë është themeluar në vitin 1971, me synim minimizimin e barrierave mes kërkuesve nga vende të ndryshme, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet tyre dhe orientimin e kërkimit drejt politikëbërjes dhe shoqërisë në tërësi.

Çdo vit BE shpenzon shuma të konsiderueshme parash për të financuar aktivitetet e Aksioneve të COST, të cilat zhvillohen në formën e simpoziumeve, konferencave, trajnimeve, workshop-eve dhe publikimeve të përbashkëta ndërkombëtare. Në listën e 36 vendeve anëtare të COST, të bën përshtypje fakti që të gjitha vendet e rajonit janë anëtare me të drejta të plota, si Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Kroacia, Bosnje-Hercegovina, përveç Shqipërisë. Po cilat janë realisht kostot e mosanëtarësimit të Shqipërisë në këtë iniciativë europiane të bashkëpunimit në shkencë dhe teknologji? Dy janë kostot më të rëndësishme që lidhen me mosanëtarësimin e Shqipërisë në COST.

Kostoja e parë vërehet në nivel nacional. Aktualisht janë vetëm 37 kërkues shqiptarë të përfshirë në aksionet e ndryshme të COST (4 prej të cilëve janë staf akademik në UET). Kjo shifër anëtarësimi në nivel nacional ka ardhur gjithnjë duke u rritur, falë kjo edhe organizimit të ‘Cost Information Day’ nga AKTI, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të COST në Shqipëri. Sidoqoftë Shqipëria ka ende një nivel shumë të ulët përfaqësimi në raport me shtetet e tjera anëtare në COST. Pjesëmarrësit nga Shqipëria kanë statusin e ‘Near Neighbour Countries’ së bashku me vende të tjera si Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Palestina, Siria, Tunizia etj. Pjesëmarrësit e vendeve më këtë status nuk kanë të drejtën e votës në nivel menaxherial të aksionit ku bëjnë pjesë. Pavarësisht këtij fakti, thuajse në çdo aspekt tjetër pjesëmarrësit janë të barabartë me përfaqësuesit e tjerë të vendeve anëtare të COST.

Kostoja e dytë vërehet në nivel individi dhe lidhet me aspiratat e secilit kërkues shqiptar që synon të ndërtojë karrierën akademike dhe kërkimore brenda apo jashtë Shqipërisë. Në ditët e sotme kapitali human nuk vlerësohet më thjesht nga niveli i arsimit dhe përvoja profesionale. Një indikator i ri që duket se po fiton çdo ditë e më tepër vëmendje nga ekspertët e burimeve njerëzorë është ‘network-u’ në të cilin individët bëjnë pjesë. Në këtë kontekst, COST ofron një mundësi të jashtëzakonshme për ndërtimin e rrjeteve të qëndrueshme ndërmjet hulumtuesve shqiptarë dhe atyre të huaj. Çdo aksion i COST zakonisht ka një kohëzgjatje 4-vjeçare, e cila lehtëson procesin e krijimit dhe ruajtjes së network-ut afatgjatë, falë bashkëpunimeve sistematike dhe ekspertizave të përbashkëta në punë kërkimore, në nivel ndërkombëtarë. Mos-shfrytëzimi i një mundësie të tillë është mbi të gjitha, një kosto individuale për çdo hulumtues shkencor shqiptar.

Si përfundim, kush mund dhe duhet t’i adresojë këto kosto të mosanëtarësimit të Shqipërisë në COST? Sa i përket kostos së parë, të lidhur kryesisht me përfaqësimin e ulët të hulumtuesve Shqiptarë në COST, zgjidhja duhet iniciuar fillimisht nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri, në bashkëpunim me IAL-të e tjera në vend, pavarësisht kostove financiare fillestare që mund të ketë ky proces. Ndjekja e procedurave të anëtarësimit në nivel kombëtarë do t’i hapte kështu rrugën adresimit të kostos së dytë e cila lidhet me kostot individuale të mospjesëmarrjes së hulumtuesve shqiptarë në COST. Gjithsesi, përtej mungesës së vullnetit apo mundësisë së shtetit shqiptar për tu anëtarësuar në COST, secili hulumtues shqiptar potencialisht mund të aplikojë për anëtarësim individual, duke forcuar kështu network-un dhe rritur nivelin e përfaqësimit të kërkuesve shqiptarë në projekte kërkimore ndërkombëtare. COST nuk është e vetmja mundësi për t’iu atashuar projekteve të përbashkëta ndërkombëtare, por është një prej mundësive më të mira për të zgjeruar gradualisht dhe në mënyrë të qëndrueshme network-un individual dhe bashkëpunimet afatgjata me partnerë ndërkombëtarë.