You are here: Home » Lajme » Aktualitet » Konferenca e Ambasadorëve në Londër

Konferenca e Ambasadorëve në Londër 

17 dhjetor 1912, mbledhja që caktoi territorin e shtetit shqiptar

 Nga Kastriot Dervishi
Shpesh herë Shqipëria e sotme quhet “Shqipëria londineze”. Me këtë shprehje kuptohet përcaktimi i tërësisë territoriale të shtetit shqiptar nga 6 fuqitë e mëdha, një vullnet i shprehur me anë të ambasadorëve të tyre.
Ballkani, duke filluar nga 8 tetori 1912 ishte përfshirë në luftime midis koalicionit ballkanik të përbërë nga Mali i Zi, Bullgaria, Serbia dhe Greqia kundër pjesën europiane të Perandorisë Osmane. Një territor i konsiderueshëm i pjesës europiane të perandorisë ishte ai shqiptar. Aleanca ballkanike e konsideroi këtë territor si të Perandorisë Osmane, pa i njohur asnjë të drejtë shqiptarëve për të pasur shtetin e tyre. Pavarësisht se disa muaj më parë shqiptarët kishin fituar disa kryengritje në ballafaqim me Perandorinë Osmane, ata nuk kishin mundur ta përmbyllnin këtë fazë me shpalljen e shtetit të tyre. Fuqitë ballkanikë në aksionin e tyre politik, ushtarak, por deri edhe terrorist (janë zhvilluar masakra të shumta kundër shqiptarëve) përkraheshin nga Rusia. Fuqitë europiane si Italia dhe Austro – Hungaria, të trembur nga një depërtim rus në brigjet e Adriatikut, përkrahën idenë e krijimit të një shtetit shqiptar. Përditë e më shumë po bëhej e qartë se Shqipëria nuk mund të ishte një principatë autonome në varësi të Stambollit. Më 28 nëntor 1912 një kuvend i shqiptarëve në funksionin e një asambleje kishte shpallur pavarësinë e Shqipërinë. Ky vendim nuk u njoh nga aleanca ballkanike.
Në mes të dhjetorit të vitit 1912, qeveria e krijuar në Vlorë, zotëronte një territor që shtrihej në trekëndëshin Kavajë – Berat Vlorë. Pjesa më e madhe e vendit ishte e pushtuar. Fuqitë e mëdha u mblodhën në vendin më të fuqishëm të botës, në Britaninë e Madhe, jo për të dhënë drejtësi, por të të ruajtur paqen midis fuqive si dhe për të gjetur një rrugë të mesme. Fakti që faktori shqiptar ishte ushtarakisht i dobët i jepte mundësi vendimmarrësve të caktonin një territor sa gjysma e asaj që ishte Shqipëria natyrale. Territore të mëdha shqiptare, me potencial të madh ekonomik do ngeleshin jashtë shtetit.

Konferenca

Fuqitë e mëdha ndërmorën hapat e duhura për zhvillimin e një konference me pjesëmarrjen e tyre. Austro – Hungaria, Rusia, Franca, Italia dhe Gjermania vendosën përfaqësimin me ambasadorë (përkatësisht Mendorf, Benkendorf, Cambon, Imperiali, Lichnowski), ndërsa vendi mikpritës Britania e Madhe me ministrin e Jashtëm Edward Grey. Palët e përfshira në konflikt kishin të drejtë vetëm të paraqisnin mëtimet e tyre dhe jo të merrnin pjesë në konferencë, e cila pasi Perandoria Osmane kishte kërkuar paqe, u hap më 17 dhjetor 1912 duke pasur si objekte themelore të saj, të ardhmen politike të Shqipërisë dhe caktimin e kufijve të rinj në Ballkan. Më të interesuara për çështjen shqiptare u shfaqën Austro – Hungaria, Italia, Franca dhe Rusia. Dy të parat kishin si qëllim kryesor pengimin e shtrirjes së mëtejshme të sllavizmit në Ballkan, ndërsa dy të tjerat si përkrahëse të shteteve ballkanike mëtuese ndaj Shqipërisë, mbështesnin interesat e tyre. Në ditën e parë të konferencës, u pranua krijimi i një shteti autonom shqiptar i varur nga Turqia. Në këtë mbledhje përfaqësuesi i Vjenës, konti Mensodorf tha se qeveria e tij ishte e mendimit që asnjë territor shqiptar të mos shkëputej nga Shqipëria e ardhme. Në lidhje me këtë pikë përfaqësuesi rus ishte shprehur kundër. Më 20 dhjetor 1912, Austro – Hungaria paraqiti projektin fillestar mbi Shqipërinë ku ripërsëritej sërish kërkesa e datës 17 dhjetor. Austro – Hungaria kërkoi për Shqipërinë 48 mijë km2.

Delegacioni shqiptar

Më 2 janar 1913, paraqiti kërkesat e saj edhe Qeveria e Vlorës, e përfaqësuar nga Rasih Dino, Mehmet Konica dhe Filip Noga. Qeveria e Vlorës kërkoi një kufi që të fillonte nga kufiri ekzistues me Malin e Zi e duke vazhduar me zonat e Pejës, Mitrovicës, Prishtinës, Shkupit, Manastirit, Meçovës e Prevezës. Më 25 janar 1913 këtij memorandumi iu bashkëngjit edhe një shtojcë me të dhëna statistikore mbi karakterin etnik të trojeve shqiptare. Në thelb Qeveria e Vlorës kërkoi 57 mijë km2. Një ditë më vonë, Qeveria Greke paraqiti memorandumin e saj, në të cilin e quante “luftë çlirimtare” pushtimin e viseve shqiptare. Grekët i mbështetën “arsyetimet” e tyre në kolonat “strategjike”, “ekonomike”, “etnologjike dhe qytetëruese”. Ata mëtonin trojet shqiptare që përfshiheshin brenda vijës Himarë – Pogradec. Si “argumente” kryesore të tyre, grekët paraqisnin ato “historike” dhe “fetare”, të cilat ishin thellësisht të gënjeshtërta dhe nuk bazoheshin në asgjë të vërtetë. Po në janar 1913, paraqiti memorandumin e saj edhe Qeveria Serbe. “Argumentet” e saj bazoheshin “në të drejtën” serbe për “Serbinë e vjetër” gjatë mesjetës. Serbët mëtonin trojet në të djathtë të rrjedhës së Drinit.

Projekti gjerman

Më 6 shkurt 1913, përfaqësuesi i Gjermanisë paraqiti projektin e tij për kufirin verior dhe lindor të Shqipërisë, sipas së cilit Plava e Gucia mbeteshin jashtë Shqipërisë, ndërsa brenda saj, Gjakova e Dibra. Më 13 shkurt 1913 përfaqësuesi i Rusisë paraqiti projektin e shtetit të tij në formën e kundërpropozimeve ku parashikoheshin lëshime të ndjeshme së favor të Serbisë dhe të Malit të Zi. Si kufi verior dhe lindor i Shqipërisë, propozohej lumi Drin.

Projekti i Romës dhe Vjenës

Më 19 mars 1913, Austro – Hungaria dhe Italia paraqitën projektin e përbashkët për kufirin jugor të Shqipërisë me pikënisje nga Shën – Naumi duke vazhduar në liqenet e Prespës, afër Kosturit e Grebenesë (duke i lënë këto jashtë Shqipërisë), një pjesë të Çamërisë dhe duke përfunduar në portin e Spiancës. Kjo kërkesë e tillë bëhej pas rënies së Janinës në duar të forcave greke. Nëse ky qytet do të ishte mbajtur, me siguri që kërkesat do të ishin më të mëdha. Dy ditë më vonë, këtë dy shtete kërkuan që të përfundohej sa më shpejt kufiri i Shqipërisë dhe të largoheshin trupat e huaja nga trualli i shtetit të ardhshëm shqiptar, qoftë ky i pavarur apo autonom. Në këto kushte, kur kërkohej përfundimi i çështjes së kufijve, Konti Berthold hoqi dorë edhe Gjakova, por këmbënguli që Shkodra t’i përkiste patjetër dhe me çdo kusht Shqipërisë. Njoftimi i përbashkët i Romës dhe i Vjenës kërkonte pushimin e menjëhershëm të luftimeve dhe largimin e shpejtë të forcave ushtarake të shteteve pushtuese.

Kufiri verior

Më 22 mars 1913, konferenca e Ambasadorëve mori vendimin e parë në lidhje me kufirin verior dhe verilindor të Shqipërisë që është në vija të përgjithshme (delimitacion) kufiri i sotëm. Shkodra i ngeli Shqipërisë. Për këtë merita i takonte Esat Toptanit, i cili si komandant i ushtrisë atje, bëri të mundur ta ruante qytetin nga malazezët deri në çastin kur u mor vendimi nga konferenca.
Caktimi përfundimtar delimitacion i kufijve të sipërpërmendur, zgjoi edhe njëherë interesin në lidhje me statusin e ardhshëm të Shqipërisë në kushtet kur Perandoria Osmane kishte një shkëputje tokësore nga shteti autonom shqiptar. Për një gjë të tillë, diplomacia e Vjenës dhe Romës filluan të përpunojnë projektin e një shteti të pavarur shqiptar.
Më 21 maj 1913, ata bënë propozimet e tyre në lidhje me kufirin jugor të Shqipërisë, duke marrë parasysh atë që kishte ndodhur në terren dhe kundërshtitë në lidhje me propozimin e parë. Edhe ky propozim fillonte nga Shën Naumi, i linte Shqipërisë krahinat e Korçës dhe Gjirokastrës dhe përfundonte në kepin e Stillos. Më 11 qershor ambasadorët e Romës dhe Vjenës deklaruan se e kishin të pamundur të ndryshonin propozimin e tyre.
Ndryshime të tjera priteshin të ndodhnin pasi më 30 maj 1913 në Londër, u nënshkrua traktat i paqes midis Serbisë, Bullgarisë, Greqisë, Malit të Zi dhe Perandorisë Osmane. Si pasojë edhe çështja shqiptare do të merrte zgjidhje për pak kohë.
Më 15 korrik 1913, Austro – Hungaria dhe Italia paraqitën një projekt të përbashkët në lidhje me statusin e ri të Shqipërisë, sipas së cilit kjo e fundit duhej të “formohej si principatë autonome dhe e trashëgueshme sipas radhës së paralindjes, nën garancinë e 6 fuqive të mëdha”, të shkëputej çdo lidhje me Perandorinë Osmane, të ishte neutrale dhe nën garancitë e fuqive të mëdha; kontrolli i administratës civile dhe ushtarake t’i besohej një komisioni ndërkombëtar të përbërë nga 6 fuqitë; mbreti i ardhshëm të caktohej brenda 6 muajsh, etj. Më 29 korrik 1913, në bazë të këtij propozimi fuqitë e mëdha dhanë vendimin përfundimtar në lidhje me Statusin e Shqipërisë të përbërë nga 11 nene. Në këtë vendim, ruheshin pikat e sipërpërmendura të propozimit të Vjenës dhe të Romës si dhe i caktohej Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, një mandat fillestar 10-vjeçar, i ngarkuar ky edhe me hartimin e statutit të shtetit. Ndërkaq qetësia dhe siguria e brendshme, iu ngarkuan xhandarmërisë, për organizimin e së cilës u caktua Suedia. Pasi kjo hoqi dorë, u ngarkua Holanda.

Kufiri jugor

Pas mbarimit të kësaj çështjeje, përfaqësuesit e fuqive diskutuan më 5 gusht për kufirin jugor të Shqipërisë mbi bazë të propozimeve të Vjenës dhe të Romës. Më 11 gusht 1913, u dha edhe vendimi përfundimtar në lidhje me kufirin jugor të Shqipërisë dhe përcaktimi në vend iu la një komisioni ndërkombëtar i cili duhej të fillonte punë më 1 shtator e të përfundonte më 30 nëntor 1913. Ky kufi është përafërsisht ky e sotmi. Vendimi i 11 gushtit përbëhej nga 11 pika kryesore. Sipas tij Greqia duhej të zbrazte truallin shqiptar brenda një muaji pas përfundimit të punës së komisionit. Duke përfituar nga një pikë e tillë, grekët vazhdimisht i nxorën pengesa komisionit të kufirit.

Related posts:

One Response to Konferenca e Ambasadorëve në Londër

  1. aida

    nuk me erdhi i plote teksti i konferences se londres

Add a Comment