Komiteti shqiptar i Kulteve: Komuniteti Mysliman Shqiptar të dalë nga sektarizmi

Kur tryezat për masat antiterror po intesifikohen pas sulmeve në Francë, kryetari i Komitetit të Kulteve ka shfrytëzuar një takim të ngjashëm ekspertësh për t’i drejtuar një apel Komunitetit Mysliman Shqiptar.

“Komuniteti Mysliman Shqiptar është institucioni, që normalisht duhet t’i kontrollojë të gjitha objektet e veta të kultit dhe ne po përpiqemi ta ndihmojmë për këtë. Por, siç e kam thënë, KMSH duhet të largohet nga sektarizmi, duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe, mbi të gjitha, duhet të rrisë nivelin teologjik”, tha Ilir Dizdari, kryetar i Komitetit të Kulteve.

Por pyetjes së Top Channel për ta shtjelluar më tej mesazhin e tij, kreu i Komitetit të Kulteve iu përgjigj:

“Pyetja e parë ishte për sektarizmin. Ky është një mesazh i drejtpërdrejtë për KMSH-në, nuk ka nevojë për shtjellime, sepse ata dinë ta kuptojnë mirë këtë që po u them”, shtoi më tej Dizdari.

Kreu i Komitetit të Kulteve replikoi madje edhe me raportin e shërbimit informativ, që pak ditë më parë raportoi se, mbi 80 xhami ndodhen jashtë kontrolli. Sipas zotit Dizdari, veçanërisht në zonat rurale kontrolli është inekzistent, e për këtë kanë nisur verifikimet e të gjitha objekteve të kultit në vend dhe, së shpejti, do të publikohet një panoramë e qartë.

“Mbi bazën e cilit standard është dhënë kjo shifër? Mbi bazën e standardit ligjor, do të duhet të dimë nëse ky objekt ka pasur leje, është në legalizim, është brenda kontrollit të KMSH? Ne sot, në objektet e kultit kemi rreth 727 – të paktën nga një verifikim paraprak, – objekte kulti të tipit xhami, që ndodhen në territorin e Shqipërisë. Rezultojnë se rreth 200 prej tyre nuk hapen kurrë”, deklaroi Dizdari.

“Nuk mund të jenë 89 xhami jashtë kontrollit të komunitetit fetar, por vet komuniteti fetar është jashtë funksionit të tij”, tha Ermir Gjinishti, ish-nënkryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Gjatë prezantimit të raportit kombëtar nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare, përveç se u diskutua për lindjen e një ndikimi të ri radikal në vendin tonë, u prezantuan edhe të dhënat statistikore të qytetarëve, që janë rekrutuar në luftimet në Siri.

“Sa u përket shtetasve shqiptarë në Siri dhe në Irak janë rreth 140-150 vetë. Ndër shtetasit kosovarë janë rreth 150 individë gjithashtu”, tha Endri Hide, Instituti shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare.