Kodheli: NATO përballet me rreziqe nga lindja e jugu

Ministrja e Mbrojtjes, e pranishme në takimin që po zhvillon Shoqata e Këshillit të Atlantikut të Shqipërisë, ka deklaruar se vendet anëtare të NATO-s janë duke u përballur me rreziqe që vijnë nga lindja e jugu. “Vendet anëtare të NATO po përballen kohët e fundit me rreziqe që vijnë nga lindja dhe jugu sipas veçorive të ndryshme, por ato kanë të përbashkët parimet e mbrojtjes kolektive, menaxhimin e krizës dhe sigurinë bashkëpunuese”,- tha ministrja Kodheli gjatë fjalës së saj në takimin me temë “NATO përballë sfidave të reja euroatalantike“. Ajo u shpreh se shqetësimet e të gjithë krahut lindor dhe jug-lindor të Aleancës janë të dukshme, ndërsa shtoi se vendet anëtare kanë diskutuar, vendosur, planifikuar dhe organizuar të gjitha masat e nevojshme në lidhje me rreziqet e reja që vijnë nga Rusia dhe xhihadistët. “Në këto konflikte të reja, ne nuk duhet të harrojmë rajonet të cilat mund të preken lehtësisht nga trazirat ndërkombëtare, si pasojë e paqëndrueshmërisë dhe cenueshmërisë së tyre. Ballkani Perëndimor është një prej tyre, relativisht larg nga Rusia dhe Lindja e Mesme, por i ndikuar plotësisht nga paraja dhe ideologjia e Moskës dhe fondamendalizmit. Bosnia-Hercegovina, Kosova, Serbia, së bashku me Malin e Zi dhe Maqedoninë, nuk i janë bashkuar ende klubit Euroatlantik”,- deklaroi ministrja Kodheli. Ndër të tjera ministrja e Mbrojtjes bëri me dije se dyshimet politike dhe kufizimet ekonomike po dobësojnë ëndrrën e integrimit, ndërsa shtoi se “në këto kohë konfliktesh, ne të gjithë biem dakord që konflikte të tilla mund të parandalohen lehtësisht nga procesi i integrimit”.