Kinezëritë e Edi Ramës

Partia Socialiste po shndërron në vijë sjellje një qëndrim të Edi Ramës nga ato që një kohë e largët na ka mësuar ti etiketojmë si kinezëri.

Gramoz Ruçi së fundi ka bërë thirrje për mospërzjerrjen e politikës me reformën në drejtësi pasi procesin duhet ta vazhdojnë ekspertët. Në fund të vitit që shkoi, kreu i PS- tha pak a shumë të njëjtën gjë, por duke shtuar (nuk di kush mund ta besojë këtë) se ai nuk e kishte lexuar draftin dhe se çdo përfishirje e aktorëve kryesorë politikë në lojë vetëm do të prishte punë.

Natyrisht kuptohet se përse Rama mban një qëndrim të tillë. Ai e di se edhe opozitën edhe aleatin e tij kryesor, LSI-në i ka kundër këtij projekti. Ai e di se, as njëri dhe as tjetri, jo vetëm që nuk e duan këtë reformë, por dyshojnë se ajo mund të jetë çelësi që do të hapë dyert e burgut për liderët e tyre.

Prandaj duke propoganduar idenë e reformës së ekspertëve, ai do të arrijë në fakt vetëm një qëllim: që njerzit e Berishës dhe të Metës mos përfshihen në proces duke e zvarritur apo minuar atë.

Dhe deri këtu nuk ka ndonjë gjë të keqe. Sistemi aktual i drejtësisë duhet shkallmuar nga rënjët. Berishës dhe Metës që merakosen vetëm për fatin e tyre personal, i duhet thënë ndal. Qeverisja e mëkatarëve të djeshëm nuk mund të shërbejë si alibi, që edhe sot “krimet” dhe “hajnitë” e tyre të mbeten të pandëshkuara.

Por, problemi qëndron tek Rama. Sepse ai nuk mund ta arrijë dot këtë duke u fshehur përmes ekspertëve.

Nëse biem dakord që në drejtësi duhet bërë qilizëm dhe nëse paranojmë se dy partitë e qeverisjes së vjetër po kërkojnë ta pengojnë këtë proces, kjo vetëm punë njerzish teknikë nuk është më.

Kjo gjë kërkon një angazhim mirëfilli politik.

Së pari, sepse piketat se si duhet përmirësuar sistemi, se ç’reforma duhen kryer për këtë nuk mund të mos jenë objekt i një partie të madhe politike. Madje një parti e tillë e ka “detyrim” të shprehet për to. Të thotë se ku sipas saj çalojnë punët dhe ku duhen rregulluar ato. PS-ja nuk mund ta japë edhe drejtësinë me koncesion tek ekspertët.

Dhe së dyti sepse obligimi politik është edhe më i madh, kur PS-ja e di që ka përballë kundërshtarë të fortë, dy parti që duan ta pengojnë dhe zvarrisin reformën, PD dhe LSI-në.

Së treti, ai shndërohet në një domosdoshmëri kur ajo e di se do ti duhet duhet ta mbrojë në kuvend apo me një referendum të mundshëm këtë reformë.

As Edi Rama dhe as njerzit e tij, nuk e shmangin dot përgjegjësinë politike për këtë proces.

Prandaj fshehja si struci pas ekpertëve është një manovër qesharake dhe e pavlerë që se beson askush.

Po atëherë, ç’kuptim kanë kinezëritë e Ramës i cili po përjashton veten me shpresën se një taktikë e tillë do të mbajë larg edhe rivalët?

Në fakt ai, shpreson se reformën do tia sjellin në pjatë të argjendë ndërkombëtarët. Janë ata që do të bëjnë betejën, janë ata që do të ushtrojnë presion dhe janë ata që në fund do të arrijnë rrezultatet.

Deri më tani, me rakordimin e tyre, ai ka vendosur të mos luajë rolin e një lideri, por rolin e fshesaxhiut që i pastron rrugën Lu-së dhe Vlahutinit.

Por, kjo taktikë e fshehjes pas të tjerëve, në vend që të krijojë beshushmërinë e një reforme të pavarur ekspertësh mund të rrisë dyshimet për qëllimet e saj.

Ajo mund të ngrejë pikëpyetjen se pse ndërkombëtarët që e kanë theksuar shpesh se në këtë vend të gjitha palët janë të korruptuara, tani po zgjedhin vetëm njërën prej tyre për aleat?  A kanë ata një pakt me Ramën? Dhe nëse është kështu a është kjo vërtet një reformë e ndershme?

Prandaj për ti shmangur sadopak këto dyshime Rama duhet të dalë dhe ta mbrojë politikisht reformën. Ti vërë gjoksin zgjedhjeve që do të jepen dhe për të cilat ai do të votojë. Vetëm kështu, vetëm duke pasur një proces të hapur ku secila nga palët ta thotë ballazi qëndrimin që ka, publiku mund të gjykojë për qëllimet e gjithësejcilit. Sepse kjo reformë atij nuk mund ti shitet, si një mall kinez që ka mbetur pa zot.