Kënga e Ermal Metës në “Sanremo” frymëzim nga jeta e tij e vështirë në Shqipëri

Një baba i dhunshëm, një djalë që rritet dhe një nënë që imagjinon se çfarë burri do të bëhet i biri.

Kjo është historia e këngës “Vietato morire”, këngë me të cilën shqiptari Ermal Meta është prezantuar sivjet në Sanremo. Bëhet fjalë për një histori autobigrafike që merr spunto nga jeta e kantautorit.

“Është një histori që kishte urgjencë të tregohej. Është autobigrafike por nuk është kjo gjëja e rëndësishme. E rëndësishme është që të bëhet historia e të gjithëve, që të japë një sinjal shprese. Do të doja që të bëhej një mënyrë për të përqafuar personal që janë në situata të ngjashme, duke i thënë që mund t’ia dalësh duke u rebeluar, edhe nga diçka që duket e pandryshueshme.

Mesazhi është të mos bindesh për të mbijetuar. Sa i takon muzikës, është shumë e thjeshtë ta transformosh këtë tekst në një baladë. Ndaj kërkova të krijoja një kontrast me fjalët, duke përdorur një muzikë të lehtë dhe të rimuar”, shprehet Meta për mediat italiane. Kujtojmë se “Vietato morire” është një këngë që u prit mjaft mirë nga publiku italian dhe se konsiderohet pretendente për çmim.

Sakaq në një tjetër këngë të artistit shqiptar “Lettera a mio padre”, (Letër babait tim), Meta i drejtohet të atit me fjalë shumë të forta: “Kafshë si ty ka përqark. Të pështyjnë në botë vetëm për të pasur një vakt lehtë. Unë jam ende këtu dhe e kam lëkurën e fortë, madje më të fortë se ty”./Revistawho.com/