Këndova me Besën dhe bëra realitet ëndrrën time

“Zemra jeme është e jotja. Ëndrra u bë realitet falë kësaj super këngëtareje. Faleminderit Besa.” Kështu ka shkruar djaloshi 19-vjeçar, Riger Çela, në “Instagram”, krahas fotos së publikuar me këngëtaren Besa. Rigeri është student në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, por dëshira dhe ëndrra e tij më e madhe është që të ketë një të ardhme muzikore. Ai ka të ruajtura në memorien e tij rreth 500 tekste këngësh shqiptare dhe të huaja. Por Besën e konsideron një këngëtare të veçantë prej vokalit të saj të paarritshëm. Kur mësoi se Besa do të performonte një mbrëmje në një nga klubet e kryeqytetit, ai rendi të rezervonte një tavolinë pranë saj. Ëndrra iu bë realitet, sepse Besa i dha mundësinë që të këndonin një këngë së bashku. Në intervistën për “Shekulli”-n, Riger Çela tregon detaje nga ajo mbrëmje, por edhe për pasionin e tij për këngën.

Sa këngë të Besës di?

Di disa këngë të saj, por mund të them që janë rreth 4-5 këngë, tekstet e të cilave i di nga fillimi deri në fund.

Po të artistëve të tjerë?

Janë të shumtë artistë që unë i di tekstet e këngëve të tyre, sepse pasioni im për muzikën është shumë i madh.

Ndikon këngëtari/ja apo tekstet e këngëve që ti t’i mësosh dhe këndosh ato?

Jo, mendoj që nuk ka të bëjë këngëtari/ja që unë t’i mësoj këngët. Thjesht është pasioni që më shtyn drejt mësimit të teksteve dhe këndimit të tyre.

I frekuenton klubet e natës?

Ndonjëherë, kur nuk më pengojnë për shkollën.

Një nga ato herë kur i ke frekuentuar, këndove me Besën. Si ishte ai moment për ty?

Po, është e vërtetë. Ajo natë do mbetet në kujtesën time, sepse ishte një nga ëndrrat e mia që të këndoja me një artiste të vërtetë. Besa është e veçantë nga vokali i saj i paarritshëm. Unë isha me disa shokë për Krishtlindje dhe menduam të shkonim në klubin ku do të këndonte Besa. Rezervuam një tavolinë në radhën e parë me qëllim për të parë edhe nga afër Besën gjatë performancës së saj. Erdhi Besa dhe e nisi me disa nga këngët e saj, tepër të veçanta njësoj si edhe Besa. Erdhi momenti që ajo të këndonte këngën në bashkëpunim me Dr.Mic. Unë e kam shumë për zemër këtë këngë, e cila titullohet “Zejemër” dhe unë këtë këngë e kisha mësuar disa kohë më parë. Në momentin e parë që Besa kuptoi se unë e dija tekstin, duke më drejtuar mikrofonin dhe me një shtysë nga shokët, mora guximin dhe shkova e këndova pjesën e mbetur nga Dr.Mic, bashkë me të. Sigurisht ishte një nga momentet më të bukura që mund të më ndodhte.

Cila është ëndrra jote më e madhe?

Pasioni për muzikën është shumë i madh. Muzika për mua është si gjaku që rrjedh nëpër vena dhe ëndrra ime ka qenë gjithmonë që të bëhem këngëtar.

Sa e vështirë është për ty të mësosh dhe mbash mend shumë tekste këngësh në të njëjtën kohë?

Jo, nuk është e vështirë. Ka shumë këngë në mendjen time, edhe të vjetra që i mbaj mend sot e kësaj dite.

Si ka filluar pasioni për këngën?

Që i vogël dija këngët e disa këngëtarëve të huaj dhe me kalimin e kohës jam rritur me disa amerikanë, të cilët dëgjonin rap dhe gjithashtu performonin në praninë time. Që në atë kohë kisha idhull Eminem ose Marshall Mathers dhe pjesën më të madhe të këngëve të tij i di përmendësh edhe sot. Pastaj, duke dëgjuar bashkëpunimet e tij me këngëtarë të tjerë, si Lil Wayne, Sia, 50 cent, Dr. Dree etj., duke dëgjuar edhe këngët e tyre, m’u thellua pasioni për muzikën.

Ke tentuar të provosh të këndosh në mënyrë profesionale, në një studio?

Po, e kam menduar, por nuk më ka ardhur asnjëherë rasti për të kënduar në një mënyrë profesionale. Unë falënderoj shumë Besën që më dha atë emocion që s’ma ka dhënë askush tjetër. Kaq është pak për të folur për pasionin që kam unë për muzikën, por e kam një ëndërr që një ditë të jem atje në skenë dhe të këndoj këngët e mia, dhe shpresoj që një ditë kjo ëndërr të realizohet edhe pse duket e pamundur.

Besa: Pse zgjodha Rigerin

Riger Çela, në intervistën për “Shekullin”, u shpreh se ishte hera e parë që një këngëtare e mirënjohur si Besa, i jepte mundësinë që të këndonte live, bashkë me të. Ai e konsideron këtë eksperiencë si të jashtëzakonshme dhe i është mirënjohës Besës për këtë mundësi, duke e cilësuar si nder dhe kënaqësi. Por edhe Besa e përgëzon fansin e saj për entuziasmin që tregoi, duke u shprehur se, “Rigerin e pikasa në publik tek sa interpretonte me përpikmëri të gjitha fjalët e këngës “Zejemër”, ndërkohë që unë isha në skenë”. “Më shtyu kureshtjen kjo gjë dhe i afroj mikrofonin. Kaq mjaftoi që Rigeri të futej në rol dhe të rreponte në mikrofon. U kënaqa nga interpretimi i tij dhe u duk se la shenjë edhe te publiku i befasuar nga kjo rastësi e këndshme. Sigurisht që i mbështes dhe gjithnjë me entuziasmon talenti, i çdo fushe apo moshe!”, shprehet Besa Kokëdhima.