Këmbët e shkelura të Presidentit dhe dinjiteti i shqiptarëve të Britanisë

The Albanian

“Kurrë mos qëndroni si spektatorë përballë pandershmërisë dhe budallallëkut. Varri do ju japë mjaft kohë për të heshtur” – Christopher Hitchens

Vizita e presidentit të Republikës është një nga ngjarjet më të shënuara për çdo komunitet aq më tepër që vizita të tilla janë vërtet të rralla. Fatkeqësisht jo vetëm që shqiptarët e Britanisë nuk mundën ta takojnë presidentin, por thjesht kreu i shtetit në Londër u përball me një luftë të pështirë bërrylash për të siguruar një foto me të. Është më tepër se e turpshme të shikoje luftën e bërrylave mes disa tipash, (që u pëlqen të vetëquhen kryetarë apo përfaqësues, por që kurrë nuk janë votuar, por që vazhdojnë të gëzojnë fatkeqësisht një status të favorizuar dhe ato pamje i ngjanin më tepër radhës së bukës në kohën e komunizmit), sesa qytetarëve shqiptaro-britanikë, që jetojnë prej kaq vitesh në Londër.
Kreut të shtetit i është dashur që të përballet me shkeljen e këmbëve, dhe atë lukuni bërrylash të atyre që kjo foto ishte shanci i madh i jetës së tyre, për të dëshmuar “statusin e tyre” si përfaqësues, të atyre që nuk ngurojnë të japin darka lart e poshtë, që patjetër të jenë afër apo në tavolinën e presidentit, të jenë mundësisht ngjitur me presidentin, ndërsa ai mundohej të mbante ndonjë fjalë siç ndodhi tek busti i “Skënderbeut”; të atyre që nuk kishte bodyguard t’’i ndalonte, duke mos kursyer shtyrjen brutale të zonjës së parë, si një lemeri e pështirosur…
Atë tufë lukunie i gjeje gjithkund (dhe as që mund të imagjinohej që ata të mungonin) dhe profilet e tyre të medieve sociale shkëlqenin me fotot me presidentin, ndërkohë që fatkeqësisht mungonin shqiptarët,( jo thjesht ata që janë mësuar të paktën të mbajnë radhë bie fjala siç ndodh në Post Office apo në çdo vend ku ka radhë) ata që na përfaqësojnë denjësisht në të gjitha fushat e jetës.
Duket se ka qenë pamundësi organizimi i një pritje, ku të ftoheshin edhe ata që zakonisht mungojnë, që thjesht i përçmojnë grupin e gjel-komikëve, së paku nuk mund ta barazojnë veten me ta, por ata që kanë kontribuuar aq shumë për komunitetin dhe çështjen kombëtare (kur gjelat akoma ishin në vezë), qoftë para gjatë apo pas luftës së Kosovës.
Munguan ata me të cilët krenohemi dhe që janë shndërruar në ambasadorët më të shkëlqyer të vlerave shqiptare, që do të ishin tmerruar duke parë” kryetarët” tek shkelin këmbët e kreut të shtetit për të dalë në një foto.
Duket se kjo qasje ka krijuar një antimodel vërtet të dëmshëm për imazhin e shqiptarëve të Britanisë, pasi janë të njëjtit “kryetarë” që i shikon gjithandej, duke shkatërruar në mënyrën më brutale dinjitetin e shqiptarëve të Britanisë.
Mos vallë një profesionisti apo një shqiptari të denjë, një ambasadori të shkëlqyer të vlerave shqiptare, i duhet të shtrojë dreka apo darka lart e poshtë, i duhet të përvetësojë një sjellje prej batakçiu që të ftohet në evenimente të tilla?
Në të vërtetë ata s’mund ta bëjnë kurrë këtë dhe thjesht ikin, largohen gjithë pezm duke mbajtur një distancë higjienike prej “kryetarëve”.
Presidenti u largua e mbase dikush do t’i tregojë se ata që i shkelën këmbët, nuk janë përfaqësuesit e shqiptarëve të Britanisë, por thjesht u gjenden aty… dhe nëse do të ketë ndonjë mundësi tjetër të patjetër do të takojë shqiptarët e tjerë, që jo vetëm që nuk do t’i shkelin këmbët , por do të ndjehet vërtet shumë krenar me ta, siç ndjehemi ne të gjithë.