‘Karteli i heshtjes’: Pse nuk raportoi media për ngjarjen shokuese?

Këto ditë Gjermania dhe mbarë Europa po flet për atë valë krimi në Këln dhe në disa qytete të tjera gjermane, që ka shokuar shumëkënd. Më shumë se 1 mijë të rinj u hodhën në sulm, në mënyrë të organizuar, duke ngacmuar seksualisht, përdhunuar e vjedhur më shumë se 100 femra në qendër të Këlnit. Tronditës është fakti se kjo qendër e rëndësishme europiane u shpall një zonë ku nuk mund të kalonin femrat. Por një pikëpyetje e madhe është ngritur: Përse media raportoi kaq vonë për ngjarjen, 4 ditë pasi ndodhi? Më poshtë një raportim i gazetës gjermane Bild për këtë pikëpyetje.

Sulmi nisi që vitin e vjetër.

Rreth orës 23:15, gjatë mbrëmjes së ndërrimit të vitit, turma e ngacmimeve seksuale nisi të mblidhej në stacionin kryesor të trenit në Këln. Menjëherë nisën sulmet e para. Deri në orën 4 të mëngjesit, turma kishte ngacmuar, përdhunuar e vjedhur më shumë se 100 femra. Edhe në Hamburg, Shtutgart e Bilefeld, banda meshkujsh sulmuan në mënyrë të ngjashme.

Por për krimin u raportua disa ditë më vonë.

Shumë njerëz në vend po pyesin: pse zgjati kaq shumë, që mediat të raportojnë?

A ndodhi kjo për shkak të kujdesit sepse autorët e krimit janë me origjinë nga vendet arabe dhe afrikano-veriore?

Apo sepse disa prej tyre mund të ishin refugjatë?

Ish-ministri i Brendshëm, Hans-Peter Friedrich, foli madje për një ‘kartel të heshtjes’ dhe një ‘bllokim të lajmeve’.

“Është një skandal, që u deshën ditë të tëra, derisa mediat të raportojnë për ngjarjen”, tha ai.

Fakt është se mediat lokale raportuan për një natë të qetë festimesh në Këln.

Edhe Bild raportoi për festime paqësore.

Shkak u bë një raportim i policisë vendore më 1 janar.

Ata flisnin për një situatë të qetë.

Por ditën e parë të vitit, në rrjetet sociale nisën të qarkullojnë thashetheme për sulmet seksuale.

Në orën 22:49 të asaj dite, gazeta e Këlnit, Express, shkruante në faqen e internetit: “Gjatë natës së ndërrimit të vitit, duket se ka pasur disa sulme seksuale në stacionin kryesor të trenave. Lajmet janë raportuar nga mediat sociale”.

Gazeta citonte edhe një 28-vjeçare, të prekur nga kjo valë krimi.

“Ishte horror,” tha ajo.

Megjithatë në këtë pikë, shkalla e krimit ishte ende e paqartë.

Për disa, ishin thjesht krime të vogla dhe të zakonshme.

Gazetarët nuk para raportojnë për të tilla ngacmime apo vjedhje, vetëm kur personazhi është i njohur.

Por e reja në këtë rast ishte dimensioni, që po bëhet i qartë gjithmonë e më shumë.

Është shokues numri i lartë i autorëve të krimit dhe viktimave-një ngjarje e rëndë në mes të një qyteti të madh gjerman, për orë të tëra, duke e lënë policinë të pafuqishme.

Aty u kthye në një zonë ‘no go’ për femrat.

Vetëm pas padive në polici, përmasa e krimit nisi të qartësohej.

Policia saktësoi se përllogaritjet e tyre ishin false.

Më 2 janar, policia bëri të ditur se ka rreth 30 padi.

Menjëherë lajmi u publikua nga Bild.

Të hënën, më 4 janar, kryebashkiakja e Këlnit, Henriette Reker thirri një takim krize.

Numri i padive ngrihej në mënyrë të frikshme dhe të gjitha mediat nacionale nisën raportimin.