Karl Menger: Ekonomia e kohës dhe ekonomia e dijes

Nga Adrian Civici

Karl Menger është një figurë e rëndësishme në historinë e mendimit ekonomik, një autor që ka firmën e tij në zhvillimin e ideve thelbësore ekonomike. I lindur në Poloni në një familje juristësh dhe i diplomuar e doktoruar në jurisprudencë në universitetet e Pragës, Vjenës dhe Krakovit, Menger hyri në historinë e ekonomisë si një nga themeluesit e shkollës neoklasike dhe asaj austriake të ekonomisë. Tek Menger dhe vepra e tij ka një përzierje komplekse të elitarizmit akademik universitar me burokracinë perandorake austro-hungareze, të liberalizmit ekonomik me konservatorizmin politik, të vlerësimit dhe interesit për faktet dhe evenimentet shkencore me kërkimin skrupuloz të së vërtetës shkencore. Menger vlerësohet veçanërisht në tri elemente kryesore: si iniciator i një revolucioni me përmasa kopernikane në ekonomi – marxhinalizmin, i cili lëkundi rëndë bazat teorike të “vlerës sipas sasisë së punës” së cilës i referohej ekonomia politike klasike e Adam Smith-it dhe David Ricardos, por dhe ekonomia marksiste e Karl Marksit; si autor i një revolucioni të rëndësishëm epistemologjik që pretendonte të themelimin e shkencës ekonomike si të barabartë me statusin e shkencave natyrore; si themelues i shkollës austriake të ekonomisë dhe doktrinës së saj liberale e libertariane.

Emri i Menger-it korrespondon me një ndryshim thelbësor teorik në shkencat ekonomike të njohur si “revolucioni marxhinalist”. Që nga koha e Adam Smithit e deri në fund të shek.XIX-të, ekonomia klasike dhe dishepujt e saj si David Ricardo, John Stuart Mill, etj., dominuan në debatin shkencor e akademik. Por në fund të viteve 1870, tre ekonomistë që kishin punuar në mënyrë të pavarur, William S.Jevons, Leon Walras dhe Karl Menger, krijuan një bazë të re për shkencat ekonomike: ekonominë marxhinaliste, e cila në shekullin e XX-të u bë ekonomia neoklasike. Thelbi i saj përbëhej nga tre principe: braktisja e teorisë së vlerës që mbështetej te koha/sasia e punës në favor të teorisë subjektive të vlerës utilitare; shpjegimi i formimit të çmimit me konceptin e përqindjen marxhinale të zëvendësimit; adoptimi i arsyetimit marxhinalist. E veçanta e pozicionit të Menger-it qëndron në faktin, se ndërsa Walras dhe Jevons me punimet e tyre janë në origjinë të ekonomisë matematike neoklasike të shek. XX, Mengeri devijoi në drejtim të një shkolle tjetër të mendimit ekonomi: shkollës austriake. Ai u përfshi në kërkimet për racionalitetin e zgjedhjeve individuale, por ndërkohë që Jevons dhe Walras kërkonin që ta zbulonin këtë nëpërmjet llogaritjes objektive të utilitetit marxhinal, Mengeri në të kundërt me këtë logjikë, e vuri theksin tek subjektiviteti i pastër i zgjedhjes ekonomike duke “zgjidhur” dhe ndërprerë çdo referencë me nocionin “homo economicus”, që ishte fondamental për neoklasikët. Thelbi i arsyetimit të tij ishte: “Çdo njeri është unik dhe i pazëvendësueshëm”… ”është eksperienca e vendimmarrësve, shijet e tyre, situata konkrete, informacioni që ata disponojnë, etj., ajo që përcakton atë që cilësohet si zgjedhja më e mirë e tyre”.

Menger futi konceptin e ekonomisë së “kohës dhe dijes”, karakteristika që sot përbëjnë thelbin e shkollës austriake të ekonomisë, influenca shkencore dhe politike e së cilës gjatë gjithë shek. XX ka qenë e konsiderueshme, duke u krahasuar me atë keynesianiste dhe monetariste. Dija, njohuritë, individualiteti dhe koha përbëjnë një element thelbësor dhe referues në traditën e teorisë ekonomike të shkollës austriake, një traditë që u zhvillua nga tri gjenerata ekonomistësh: nga “themeluesit”, Karl Menger, Eugen von Bohm-Bawerk dhe Friedrich von Wieser; nga “emigrantët”, Ludwig von Mises, Joseph Shumpeter, Friedrich von Hayek dhe Ludwig Lachmann të gjeneratës së dytë; dhe “bashkëkohorët”, Israel Kirzner, Murray Rothbard, Peter J. Boettke, David Prychitko,etj.

Veçoria thelbësore e Mengerit nuk qëndronte thjesht tek refuzimi i matematikës për studimin e fenomeneve ekonomike, apo standardizimi i sjelljes së “homo economicus”, por mbi të gjitha tek themelet filozofike dhe metodologjike që ai vendosi, tek realizmi filozofik i bashkuar me individualizmin ontologjik nga njëra anë, dhe “shpjegimet organike” në shkencat sociale nga ana tjetër. Në kuadrin e “luftës së metodave” të zhvilluar sidomos me përfaqësuesit e shkollës historike gjermane, Menger denoncon atë që ai e konsideron si “gabimi i rënies në historicizëm”, duke mbrojtur një koncept realist (në sensin filozofik), dhe individualist (në sensin ontologjik dhe metodologjik) të ekonomisë. Sipas tij, gabimi kryesor i shkollës historike gjermane qëndron tek konfuzioni ndërmjet teorisë dhe historisë.

Menger nënvizon se fenomenet mund të kuptohen e studiohen në dy mënyra, legjitime por të ndara qartë nga njëra tjetra: orientimi historik që interesohet për aspektet individuale të fenomeneve duke tentuar të nxjerrë specifikat e tyre, dhe orientimi teorik që tenton të përgjithësojë specifikat e të njëjtave fenomene. Pra, kërkimet teorike nisen nga postulati se fenomenet e studiuara nëpërmjet formave empirike, kanë të përbashkët një tërësi karakteristikash që mund të sintetizohen në ligje apo koncepte të përgjithshme. Qëllimi i shkencave teorike është pikërisht evidentimi i këtyre ligjeve apo “tipeve”, siç i quan Mengeri. Në shkencat ekonomike, është pikërisht ky dallim që diferencon teorinë ekonomike nga historia ekonomike. Sipas tij, elementët e analizës tradicionale të tilla si “çmimet”, “kostot”, “oferta” “kërkesa”, nuk përbëjnë objekt të mirëfilltë analize. Mund të shkohet dhe më tej drejt analizave fondamentale. Ekonomistët e kishin bërë zakon që t’i gruponin fenomenet ekonomike në grupe të caktuara dhe mbi këtë bazë t’i studionin ato, por Menger nënvizon, se në realitet këto lloj grupimesh nuk kanë rëndësi. Të rëndësishme janë vetëm elementet që janë pjesë e grupimeve të ndryshme. “Një njeri që lahet në një liqen nuk ka të njëjtin vlerësim për një gotë ujë në raport me dikë që është në mes të shkretëtirës. Për të kuptuar vlerën e ujit dhe çmimin e tij duhet të dimë gjithë detajet e kontekstit dhe jo thjesht çmimin dhe sasinë e ujit të ofruar në treg”.

E thënë ndryshe, ideja polemike e Menger bazohet në arsyetimin se kërkimet historike dhe analizat e dokumentuara të kushteve sociale, politike, juridike dhe ekonomike në vende dhe epoka të ndryshme, ashtu siç i realizonte ato shkolla historike gjermane e ekonomisë, janë të domosdoshme por të pamjaftueshme për të realizuar qëllimin teorik që duhet të plotësojë shkenca ekonomike. Për Menger-in, historia ekonomike dhe sociale ka qëllim kryesisht “përshkrues”, ndërsa shkenca ekonomike e konceptuar si një teori e shoqërisë ka qëllim të qartë “shpjegues”. Ndërsa analizat “përshkruese” na njohin me statistika mbi bazën e të cilave ndërtohen “ligjet empirike” që bazohen tek observimi, shpjegimi i mekanizmave që prodhojnë këto statistika duhet bërë me ndihmën e një “teorie ekonomike të vërtetë” e cila ka për funksion formulimin e “ligjeve ekzakte” të cilat shpjegojnë fenomenet ekonomike të përshkruara.

Menger shkon akoma më larg se kaq, duke diferencuar në kuadrin e kërkimeve teorike në fushën e ekonomisë, kërkimet “ekzakte” dhe kërkimet “empirike-realiste”. Nëse këto dy lloj kërkimesh interesohen për fenomenet në tërësinë e tyre, kërkimet ekzakte zhvillojnë një njohuri idealiste, abstrakte dhe të “pastër”, ndërsa kërkimet empirike-realiste konsistojnë në analizën e tipeve dhe lidhjeve tipike të fenomeneve ashtu siç paraqiten ato në realitetin empirik. Ndryshe nga kërkimet historike që interesohen vetëm për veçoritë e fenomeneve, kërkimet empirike kanë për qëllim të arrijnë në një njohje të përgjithshme të fenomeneve. Por, ndryshe nga kërkimet ekzakte, ato procedojnë përgjithësisht me metoda induktive. Sipas Mengerit, kërkimet empirike-realiste nuk mund t’i arrijnë plotësisht objektivat e tyre: fenomenet konkrete nuk shfaqen kurrë empirikisht të shkëputura nga specifikat që ato kanë me kontekstin historik në të cilin ndodhin. Përkundrazi, kërkimet ekzakte shkojnë akoma më larg: ato kërkojnë të kuptojnë fenomenet duke evidentuar thelbin e tyre, pra të zbulojnë ligjet “ekzakte” të tyre.

Për Mengerin, rëndësia e kërkimeve ekzakte lidhet me faktin se objektivi i çdo shkence është njohja dhe artikulimi i thelbit të fenomeneve që ajo studion, dhe në këtë këndvështrim, nuk ka ndonjë diferencë ndërmjet shkencave natyrore dhe atyre sociale, përfshirë këtu dhe ekonominë. Për pasojë, nëse njohuritë empirike-realiste mbështeten në forma induktive (observimi i fenomeneve dhe format e tyre empirike në kohë), kërkimet ekzakte duhet patjetër të procedojnë në një mënyrë tjetër: ato duhet të depërtojnë në njohjen e ligjeve ekzakte nëpërmjet dekompozimit të fenomeneve empirike për të arritur në format më të thjeshta të tyre, duke eliminuar efektet historike dhe ruajtur vetëm karakteristikat esenciale të tyre. Për shkencat sociale, kërkimet teorike ekzakte synojnë reduktimin e fenomeneve humane në elementin e tyre përbërës më të thjesht: individin. Nisja nga veprimet individuale për të shpjeguar fenomenet sociale është jo vetëm një strategji metodologjike por dhe një domosdoshmëri ontologjike: meqenëse individi është elementi më i thjeshtë dhe më i pandashëm në fenomenet sociale, pra dhe ato ekonomike, kërkimi teorik duhet ta konsiderojë atë si pika e nisjes.

Duke u nisur nga koncepti i individualizmit metodologjik, metoda më e përshtatshme për ta vlerësuar dhe kuptuar ekonominë në tërësinë e saj nuk mund të jetë “makro-ekonomike”, pasi sipas Mengerit, nuk është niveli i agregateve të mëdha makroekonomike vendi ku mund të gjendet origjina e pasurimit të kombeve, por janë vetëm sjelljet individuale ato që ta mundësojnë një gjë të tillë. Vetëm duke u nisur nga zgjedhjet individuale mund të shpjegohet qartë aktiviteti ekonomik. Ky ishte thelbi metodologjik i Mengerit, që me anë të këtij arsyetimi përjashton çdo lloj ideje për ekuilibrin e përgjithshëm që mbronte shkolla klasike, marxhinaliste apo neoklasike. Jeta ekonomike nuk është kurrë në ekuilibër, përkundrazi, është në lëvizje të vazhdueshme përderisa veprimet e njeriut ndryshojnë vazhdimisht në funksion të problemeve, situatave, informacioneve dhe mundësive që ai për t’i zgjidhur ato. Ka vetëm një sistem që mund të koordinojë tërësinë e vendimeve individuale: tregu, i konceptuar si një proces i decentralizuar arbitrazhi dhe harmonizimi që jep sinjalet e çmimeve dhe fitimit të cilat informojnë vendimmarrësit.

Përveç individualizmit metodologjik, Menger është autor dhe i një mënyre tjetër shpjegimi të ekonomisë të cilësuar si “gjenetike” apo “organike”. Ai zhvilloi gjerësisht idenë e një analogjie ndërmjet funksionimit të organizmave natyrorë dhe strukturave sociale, të cilat sipas Mengerit, kanë të përbashkët faktin se janë të “kompozuara nga pjesë ose organe të ndryshme”. Degradimi i njërit prej tyre turbullon dhe dëmton gjithë “organizmin”, ndërkohë që edhe vetë këto organe funksionojnë vetëm si pjesë e gjithë organizmit. Një pikë tjetër e përbashkët e natyrës me ekonominë apo shoqërinë rezulton edhe tek mënyra se si lindin fenomenet sociale dhe ato natyrore: në natyrë, ekuilibri ndërmjet organizmave të ndryshme dhe mjedisit nuk është fryt i llogaritjeve apo planifikimit, por një proces spontan. Një proces i ngjashëm ndodh edhe me lindjen e disa institucioneve sociale e ekonomike, të cilat Menger i quan “institucione organike”, d.m.th, si një produkt spontan që rezulton si pasojë e veprimeve individuale të qëllimshme, apo “pragmatike”, d.m.th, produkte të një veprimi kolektiv të pa planifikuar. Duke ju referuar analizës së filozofëve skocezë si David Hume apo ekonomistëve si Adam Smith, Menger arrin në konkluzionin se institucionet organike prodhohen nga “dora e padukshme”.

Sipas Menger, vëmendja kryesore duhet t’u kushtohet “institucioneve organike” lindja e të cilave, ndryshe nga “institucionet pragmatike”, nuk është rezultat i një marrëveshje të anëtarëve të një shoqërie apo pasojë e një “legjislacioni pozitivist” subjektiv. Në këtë sens, institucionet sociale duhet të konsiderohen si pasoja të pavullnetshme të sjelljeve individuale, por këto institucione, përmirësohen apo ndryshojnë vazhdimisht si efekt i njohurive individuale të anëtarëve të tyre. Për Menger, “zhvillimi dhe përsosja e njohurive përbën faktorin esencial të zhvillimit ekonomik”, duke qenë në njëfarë mënyre dhe ekonomisti që i hapi rrugën reflektimeve dhe teorisë së “ekonomisë së dijes”, “ekonomisë jo-materiale” dhe “shoqërisë së informacionit”, terma dhe praktika që në kohën tonë moderne janë dominuese.

Në analizat e tij për sjelljen ekonomike, Menger e vë theksin veçanërisht tek “rëndësia e shpërndarjes dhe shkëmbimit të dijes në kohë dhe hapësirë, e lidhur ngushtë me aktivitetet konkrete në të cilat angazhohen dhe ndërveprojnë individët e një shoqërie”. Plotësimi i dëshirave dhe kërkesave të çdo individi, është një oportunitet që realizohet në mënyrë të lirë në treg, është një lidhje rastësore, por që i krijon mundësi secilit të realizojë objektivat e tij, një oportunitet që kurrsesi nuk mund ta planifikosh apo orientosh sipas vullneteve qeverisëse. Plotësimi i nevojave dhe qëllimeve të çdo aktori në treg është një proces në axhustim të vazhdueshëm, ekuilibrin e përkohshëm të të cilit e përcaktojnë gjykimet dhe vendimet e agjentëve ekonomikë. Vlera e mallrave është subjektive në funksion të rëndësisë që i jep çdo konsumator atyre, rëndësi që është e lidhur ngushtë me evolucionin e nevojave dhe progresit ekonomik e social të çdo shoqërie. Shijet rivlerësohen dhe ridimensionohen vazhdimisht gjatë procesit të konsumit dhe zbulimit të shijeve apo preferencave të reja. Koha e modifikon në vazhdimësi perceptimin e individëve për marrëdhëniet ndërmjet ofertës dhe kërkesës.

Ky konceptim “subjektiv” i vlerës së mallrave bën që Menger të flasë dhe ta konceptojë kohën jo si diçka neutrale që rrjedh natyrshëm jashtë dhe pavarësisht individëve, por si një proces në të cilin individët shtojnë dhe përsosin njohuritë e tyre duke modifikuar njëkohësisht dhe vlerën e mallrave që ata përdorin apo konsumojnë. Teoria e Menger për vlerën mund të përmblidhet në sentencën “çdo gjë i nënshtrohet ligjit të rastësisë”, parim që gjendet dhe në konceptin e “veprimit njerëzor” të Ludwig von Mises, sipas së cilit “individi i plotëson dhe ndryshon kërkesat dhe nevojat e tij në funksion të njohurive që zotëron dhe ngjarjeve rastësore”. Progresi i njohurive njerëzore dhe liria maksimale për marrëdhënie rastësore në treg rrit ndjeshëm eficencën e veprimit njerëzor dhe zvogëlon apo minimizon gabimin dhe devijimin në raport me “çmimin optimal”.

“Koha e shkollës austriake”, ose siç cilësohet shpesh “koha austriake” është “kohë të mësuari, kohë e përvetësimit të dijes dhe njohurive”, në sensin që rrjedhja e saj i krijon mundësi çdo individi të zbulojë dhe përvetësojë njohuri. Sipas Hayek, ky “përvetësim njohurish, nëpërmjet modifikimit të planeve individuale,  përbën burimin thelbësor të zhvillimit ekonomik”. Njohuritë që individët disponojnë përcaktojnë veprimet e tyre. Progresi në përvetësimin e dijes dhe njohurive shkakton korrigjimin në vazhdimësi të teorive të gabuara apo të paplota duke përbërë thelbin e origjinës së institucioneve. P.sh, monedha dhe tregu mund e duhet të analizohen si “rezultat spontan i ndërlidhjes së veprimeve individuale, ndërlidhje që i krijojnë mundësi procedurave të caktuara të njohurive të përvetësuara që të shfrytëzohen në interes dhe sipas nevojave të agjentëve ekonomikë.

Në artikullin “On the Origins of Money” (1892), Menger kundërshton idenë e përhapur në atë kohë nga shkolla historike gjermane se “monedha është një produkt i pastër ligjor që rezulton nga vullneti i qeverive”, se “ekzistenca e saj i dedikohet tërësisht faktit që Shtetet garantojnë vlerën e saj të këmbimit”. Ai i kundërvihet kësaj teorie me një shpjegim “gjenetik” evolucionist që dëshmon se monedha, në rolin e një mjeti këmbimi i pranuar universalisht në gjirin e një komuniteti, ka evoluar progresivisht nëpërmjet kërkimit nga çdo individ të plotësimit të interesave të tij personale. Në kuadrin e ndarjes së punës, çdo individ identifikon mallrat që këmbehen më lehtësisht ndërmjet tyre. Kur konstatohet nga një grup i konsiderueshëm se cilët janë mallrat, apo malli që ka koston më të ulët të transaksionit në raport me mallrat e tjera, apo që këmbehet më lehtësisht, atëherë i gjithë komuniteti ka tendencë të jetë dakord me faktin se ky mall duhet njohur si “malli më i përshtatshëm për të realizuar këmbimet në treg”.

Në optikën e Menger, monedha ka lindur spontanisht si pasojë e ndërveprimeve individuale: “Ne vetëm mund ta kuptojmë në tërësinë e saj origjinën e monedhës duke e konsideruar lindjen e kësaj procedure sociale si rezultat spontan dhe i pavullnetshëm i përpjekjeve dhe sjelljeve individuale të anëtarëve të shoqërisë”. Këto ndërveprime i krijuan mundësi procesit të përvetësimit të njohurive sintetizimin e një institucioni të veçantë, i cili rezultonte “inovativ”, pra i vlefshëm dhe i pranuar nga shumica e anëtarëve të shoqërisë apo agjentëve të tregut. Objektivi i tyre i shitjes, blerjes apo konsumit favorizohej ndjeshëm nga institucioni i monedhës. Kështu e ka fituar dhe monedha rolin e saj si mjet këmbimi, pa patur nevojë për ndërhyrjen e qeverive. Megjithatë, Menger nuk e mohon faktin se ndërhyrja e pushteteve publike luan një rol të rëndësishëm në krijimin e institucioneve monetare moderne duke pohuar se “nëpërmjet emisionit monetar mund të luftohen çmimet e larta”. Problemi nuk qëndron tek eliminimi i Shtetit apo qeverisë, por tek qartësimi dhe eficenca e rolit të tyre në ekonomi dhe shoqëri.

Menger përshkruan me hollësi, nën të njëjtën optikë dhe zhvillimin e tregjeve. Një shkallë e caktuar e organizimit të tregjeve nuk është veçse një etapë në procesin e madh të lindjes dhe zhvillimit të ekonomisë së tregut. Etapa e ardhshme, sipas Menger, konsiston në shfaqjen e një grupi specifik agjentësh ekonomikë funksioni i të cilëve është përmirësimi i vazhdueshëm i organizimit të tregjeve. Këta janë “ndërmjetësit”, “një klasë speciale agjentësh ekonomikë të ngarkuar me pjesën cilësore të operacioneve të këmbimit në funksion të gjithë shoqërisë, të cilët paguhen nga fitimet tregtare pikërisht për këtë funksion specifik”. I gjithë ky proces, bën që ekonomia e tregut të evoluojë dhe konsolidohet si një “rregullim institucional”, duke qënë vazhdimisht nën presionin e ndryshimeve që vijnë nga njohuritë e reja dhe shkalla e përvetësimit të tyre nga individët e shoqërisë.

Qëllimi final i agjentëve ekonomikë është “të shesësh sa më lehtësisht” dhe “të blesh sa më lehtësisht”. Çdo njohuri dhe dije inovative që lehtëson këtë proces përfshihet spontanisht në procesin e strukturimit dhe ristrukturimit institucional të tregut duke rritur eficencën e aktivitetit ekonomik. Efikasiteti dhe etika e “middle men” ose “ndërmjetësve” në ekonomitë moderne kapitaliste krijon mundësi të mëdha për reduktimin e paqartësive dhe pengesave ndërmjet prodhuesve dhe konsumatorëve në tregje të caktuara, apo tregun në tërësi. Sipas Menger dhe traditës teorike të shkollës austriake, gjithçka fillon të shfaqet spontanisht e në formë të paorganizuar nga individë që zotërojnë njohuri më të plota e më të avancuara të perceptuar si “leaders”, “sipërmarrës”, “spekulatorë”, “individë promovues”, etj., të cilët gradualisht fillojnë dhe bëhen shembull masiv për anëtarët e tjerë të shoqërisë duke i dhënë jetë lindjes dhe konsolidimit të institucioneve të veçanta të tregut.

Për Mises, Menger, Hayek dhe Shumpeter, ekziston një dallim i qartë ndërmjet perceptimit statik të realitetit bazuar kryesisht në eksperienca të kaluara dhe perceptimit inovativ dhe perspektiv të tij. Liderët dhe sipërmarrësit, duke qenë motorët e zhvillimit ekonomik të një shoqërie, karakterizohen nga aplikimi i planeve të veprimit “për të ardhmen” duke parë tek inovacioni “një faktor për progresin ekonomik e social” dhe duke vendosur objektiva tërësisht të rinj për të cilat nuk ekziston akoma eksperienca, ndërkohë që pjesa dërrmuese e aktorëve ekonomikë mbështeten thjesht tek “rutina”. Sipas konceptit të “kohës austriake”, agjentët ekonomikë, megjithëse në të njëjtin mjedis veprojnë “në kohë të ndryshme”. Shkalla apo niveli I njohurive që ata zotërojnë bën që ata të veprojnë në një kontekst të vjetër ose të veprojnë në një horizont të ri të së ardhmes, shumë më eficent. Liderat në biznes dhe sipërmarrësit promovues janë “pionierët që e shtyjnë shoqërinë përpara drejt progresit, janë ata që Mises dhe Menger i quajë “gjenitë krijues” që prodhojnë rezultate, shembuj pozitivë dhe dije të reja, që e transformojnë informacionin në dije inovative.

Menger mbetet dhe vlerësohet si një personazh i rëndësishëm për mendimin ekonomik, si themeluesi i shkollës austriake të ekonomisë. Kjo shkollë, me frymëzim të qartë liberal, njohu zhvillime të rëndësishme në shek. XX dhe në fillim të shek. XXI, sidomos në analizat dhe shpjegimet e saj për shkaqet e lindjes dhe përhapjes së krizës financiare globale të viteve 2008-2012. Konceptet e Mengerit për “institucionet organike” u sistemuan dhe zgjeruan më tej nga Friedrich von Hayek nëpërmjet idesë së “rregullit spontan”. Hayek mbrojti tezën sipas së cilës “pjesa dërrmuese e institucioneve humane, duke filluar nga tregu, janë produkte emergjente jo të qëllimta të tërësisë së aksioneve apo veprimeve të decentralizuara të individëve. Duke denoncuar ekonominë e centralizuar dhe të planifikuar, Hayeku ju referua gjerësisht koncepteve të Mengerit për diferencën ndërmjet institucioneve organike dhe atyre pragmatike. Po kështu dhe ekonomisti tjetër liberal i gjeneratës moderne të shkollës austriake, Murray Rothbard në analizat e tij mbi rolin frenues dhe imponues të Shtetit dhe qeverisë në zgjidhjen e problemeve ekonomike dhe “imponimin e politikave më eficente të menaxhimit të krizave apo funksionimin optimal të tregut në ekonomitë kapitaliste”, i referohet gjerësisht Menger-it dhe koncepteve të tij mbi ekonominë e kohës dhe ekonominë e dijes.

Mbështetur në teorinë e Mengerit, sot ekziston një literaturë e gjerë rreth “teorisë së lojës” dhe “ekonomisë neoinstitucionaliste” që zhvillon një analizë evolucioniste për problemet sociale dhe ekonomike. Shumë punime të dekadës së parë së shek. XXI, nëpërmjet modeleve të formalizuara të teorisë së lojës, janë përqendruar në vlerësimin e shpjegimit organik të lindjes dhe përhapjes së monedhave të propozuar nga Menger, duke konfirmuar rezultatet e Mengerit. Këto modelime përdoren sot për të studiuar fenomenet sociale: praktikat diskriminuese apo korruptive, eficencën e kooperimit, lindjen dhe evolucionin e normave sociale, etj. Të gjithë këta shembuj tregojnë përse Menger vazhdon të vlerësohet si një personazh i rëndësishëm në historinë e ideve ekonomike e sociale.