Kanadaja pro kanabisit, Shqipëria refuzon debatin

Nga Genc Burimi

Por sikur Kokëdhima të kishtë të drejtë? Ditën kur shqiptarët do ta legalizojnë kanabisin për të kopjuar vende më të civilizuara se ajo, do të jetë mirë, por vonë. Në “biznesin” legal shtetëror, hapësirë perfekte për kanabisin, mbizotëron i njëjti parim si në biznesin privat. Mungesa e konkurrences garanton sukses. Dhe në tregtinë “e jashtme” të kanabisit, s’kemi thuajse fare konkurrencë. Por për sa kohë akoma? Vendi i fundit që hyn në valle, dhe jo më i pakti, është Kanadaja. Për herë të parë një nga shtatë shtetet më të pasura në botë (G7) i hap totalisht rrugën legalizmit të kanabisit. Ja dhe një vend më pak i interesuar eventualisht për të blerë kanabisin tonë, meqenëse do ta prodhojë vetë. Kur do të zgjohemi?

Si te fabula e Lafontenit

Shqipëria kishte filluar të thithte turistë “specialë” që po i përhapnin një nam komercial joshës, si vendi me cilësinë më të mirë të kanabisit. Janë të panumërta dëshmitë e këtij lloji në “Google” nga vizitorë të huaj që vinin në vendin tonë enkas për Lazaratin. Shqipëria po bëhej pa kuptuar një destinacion për një pjesë të rinise europiane që nuk ka qejf t’ja ndrydhin lirinë. Por përtej ketij aspekti anekdotik “peace and love”, nami i mirë i kanabisit shqiptar dhe sidomos çmimi thuajse badjava në krahasim me ato të trafiqeve në Europë, i hapnin atij një bulevard të gjerë për eksport legal nga shteti në shtet. Janë thuajse dy mijë tonë kanabis që shtete të ndryshme në Europë blejnë legalisht çdo vit për nevojat e sistemeve të tyre shëndetësore, me Danimarkën në krye. Momenti ishte ideal që Shqiperia të nxirrte përfitime kolosale nga “nafta” e saj e gjelbërt. Por në vend të një legjislacioni modern që do ta bënte shtetin shqiptar pronarin e kanabisit të prodhuar në vend me synim eksportin kundrejt rrogash për mijëra familje shqiptare, qeveria Rama e sapoformuar, zgjodhi “grykën e topit”.

Lafonten-i i famshëm ka një fabul domethënëse për llogarinë e gabuar që bëri qeveria në Lazarat. Te “Pula me vezë floriri”, i zoti vendosi të therte pulën që i bënte çdo ditë një vezë të artë, me shpresën se në bark do t’i gjente gjithë thesarin. “Thesarin”, kjo qeveri e priste nga Europa dhe asaj ia bëri kurban Lazaratin, me shpresën se shkulja e plantacioneve do të sillte integrim e prosperitet. Veçse një vit më vonë, negociatat për integrim janë nisur të presin për fat të keq për një kohë të gjatë pas valës migratore dhe terroriste që po e bën Europën hermetike. Shqipëria do të dalë kështu e humbur në të dyja frontet, as të ardhura nga kanabisi dhe as përfitime nga Europa. Pak a shumë si ai që shkoi për vetulla, por nxorri sytë, pasi shkatërruam kushedi sa milione euro korrje marijuanë.

Ja si e mbyllte Lafonteni fabulën e tij: “Ah ç’mësim i mirë për ata që ranë në varfëri kur synuan pasuri”. Nga Europa, të jemi të bindur, nuk do të mund të marrim më shumë se ç’kemi në gjendje të marrim. Të pakten në një periudhë afatmesme. Le Pen-i po troket në derën e pushtetit në Francë. Nëse arrijmë dhe shpëtojmë aksesin pa viza në hapësirën Shengen, kjo do të ishte fitore, por për të tjerat, të fillojmë të ndihmojmë veten para se të kemi shpresë se do të na ndihmojë Europa. Dhe anasjelltas, as Europa, nuk e besoj se do të jetë po aq intervencioniste ndaj nesh, nëse ne ndyshojmë kursin e politikës kombëtare ndaj kanabisit.

E para, pasi Europa vetë po bëhet gjithnjë e më tolerante ndaj kanabisit. Dhe e dyta, e pllakosur në një krizë ekonomike të pafund që nga 2008, Europa nuk është e gatshme të na propozojë paktin “ju shqiptarë vazhdoni të shkulni kanabisin dhe ne jua kompensojmë humbjet me ndihma”. Ka ardhur momenti që klasa politike shqiptare ta marrë seriozisht në konsideratë dosjen e kanabisit. Një shembull: vetëm dëmshpërblimi i ish-pronarëve që do të kryhet nga kjo qeveri, por dhe nga ato që do të vijnë mbrapa, kushton me qindra milionë euro. Janë gati 500 milionë euro që ka projektuar qeveria “Rama”.

Nga do të dalin këto fonde? Nga të gjithë shqiptarët. Edhe ai që s’ka bukë të hajë, me taksat që i merren që nga TVSH-ja e deri te pagesa e faturave që ai nuk i paguante më parë, detyrimisht dhe për ironi të fatit do të kontribuojë që të dëmshpërblehet ish-pronari që është çmendurisht shumë më i pasur se ai. Të udhëheqësh është të parashikosh. Vendi jeton me një kulturë bujqësore që quhet kanabis, që ka një kosto lokale të ulet për një rentabilitet të jashtëzakonshëm në tregjet ndërkombëtare. Ne s’mund të luajmë edhe dhinë e zgjebosur që nuk di cilën vrimë financash të mbyllë më parë, edhe bishtin përpjetë. Sa për ata si Ben Blushi që tallet me pro “kanabistët” si dështakë, sepse nuk kanë idera të tjera, po pati ai vetë ndonjë ide gjeniale që i sjell vendit një miliard euro në vit,  patjeter mos të kursehet dhe të na e tregojë.

Ndërsa sa për opozitën “demokratike”, që kujtonim se na kishte siguruar një burim të sigurt fitimi me naftën shqiptare kur ajo ishte tetë vjet në fuqi, nuk rrokemi së habituri kur konstatojme tani hiletë e sofistikuara të kompanisë “Bankers Petroleum” nën “udhëheqjen” e PD-së. Një pike koti karburanti u ka paguar më shumë taksa shqiptarëve sesa kjo mega kompani që nxjerr dhe eksporton naftën tonë, me lejen tonë. Në kushtet kur ekonomia jonë reale nuk po kap ndonjë rritje marramendëse të pakten 5 %, kur nafta po ashtu po pasuron të huajt, por jo neve, kur fondet mungojnë për të mirëmbajtur edhe ato rrugë që sapo ndërtuam vetë, pa llogaritur nevojat në rritje në shëndetësi, arsim, drejtësi e deri në ushtri për t’u bërë ballë zhvillimeve të reja, nëse opsioni i kanabisit nuk ngjall interes te deputetët, do të meritonim atë shprehjen bibilike “fali zot se nuk dinë se ç’po bëjnë”.

Një komision parlamentar sa nuk është ende vonë

Kanabisi e paska megjithatë një virtyt në Shqipëri. Nëse ka një temë e cila bashkon mazhorancën dhe opozitën, është refuzimi obsesional që të diskutohet rreth tij. Më shumë se një refleks bajat shqiptar për t’iu kundërvënë atij që mbart i pari dhe i vetmi një ide kundër të gjithëve (rasti Kokëdhima), ky konsensus anti-kanabis duhet lexuar, për mendimin tim, si servilosje ndaj tutorëve europianë. Ajo që është e pakuptueshme është se dhe vetë tutorët në fjalë po emancipohen në raport me kanabisin, pa provokuar një fillim rishikimi te “doktrinës” shqiptare ndaj kanabisit. Sigurisht që nuk mund të presësh nga një Edi Rama apo Samir Tahiri ta kthejnë mbrapsht e farë kollaj xhaketën me lara që kanë veshur pas ofensivës militaro-mediatike kundër gjetheve “kriminele”.

Por në demokraci parlamenti qëndron mbi Ekzekutivin. Çfare u kushton deputetëve të ngrejnë ata të paktën një komision studimi për t’u informuar sesi kanë evoluar vendet e tjera në raport me kanabisin? Përfshire dhe ato vende si Italia që deri dje na shtynë me të dyja duart ta mbysnim me duart tona pulën me vezë “te gjelbërta”.

Ky komision parlamentar, krijimi i të cilit mund të merret me inisiativën e një grupi të vogël deputetësh nuk duhet konsideruar si provokim ndaj qeverisë apo moralit shoqëror anti-kanabis. Përkundrazi, ky komision i paqtë dhe bipartizan do të ndihmonte shumë qeverinë për të reflektuar nëse në problematikën që ngre kanabisi, a ka ndryshime midis kontekstit sot dhe atij që mbizotëronte në momentin e sulmit qeveritar në Lazarat, në qershor 2014.

Në harkun kohor të një viti e gjysëm, janë të paktën 10 shtete që kanë hyrë në rrugën e lehtësimit të legjislaconit vendas në raport me kanabisin. Në botë, legalizimi i kanabisit ka përparuar këto muajt e fundit, përveç Kanadasë që i hapi rrugën para tre ditësh, edhe në Meksikë, në Xhamajkë, si dhe në pesë shtete të SHBA-ve. Në Europë, është Italia që dallohet me një marrëveshje të arritur në shtator të vitit 2014, midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Mbrojtjes. E para vendosi të hedhë në treg ilaçe me bazë kanabisi, të dytës (Ministrisë së Mbrojtjes) iu dha monopoli i prodhimit italian të kanabisit.

Më afër nesh në Ballkan, para dy muajsh, në tetor, Kroacia hyri po ashtu në “vallen” e kanabisit mjekësor duke e legalizuar atë. Lista e vendeve të Bashkimit Europian që e kanë legalizuar tani kanabisin për qëllime mjekësore është impresionuese pasi prek gjysmën e BE-se me shtete të tilla si: Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Spanja, Iltalia, Austria,  Finlanda, Holanda, Portugalia, Republika Çeke, Rumania, Slovenia dhe së fundi Kroacia. Atë dite kur Kroacia legalizoi kanabisin terapeutik (15 tetorin e kaluar), Franca, nga ana e saj, vendosi me dekret ta ç’penalizoje përdorimin e kanabisit. Nga ky moment, në Francë nuk dënohesh më me burg për përdorim kanabisi, por vetem me gjobë.

Debat i fuqishëm në Britaninë e Madhe

Muaji tetor 2015, shënoi një levizje të fuqishme në favor të kanabisit dhe në Britani të Madhe, me debate të zjarrta në parlament, ashtu siç do të uronim ta shihnim dhe në Shqipëri. Ballë për ballë u vunë deputeti i rëndësishëm i koalicionit të mazhorancës, Norman Lamb që kërkon legalizim, kundër Ministres së Brendshme, Theresa May, e cila kundërshton çdo formë të legalizimit të kanabisit. Pak a shumë sikur të shihnim te ne një debat midis Koço Kokëdhimes dhe Samir Tahirit dhe mediat të thonin çfare skandali, se Koço nuk i bindet partisë e broçkulla të tjera të këtij soji. Veçse në Perëndim debate të tilla nuk shokojnë, por e pasurojnë demokracinë, sidomos kur bëhen transperente në parlament. Argumenti kryesor e me peshë që permendi Norman Lamb në parlamentin britanik në favor të kanabisit qe ai ekonomik. Kanabisi duhet legalizuar në mënyrë që ai të prodhohet legalisht në Britani të Madhe e mos të vijë me trafiqe nga jashtë dhe nga brenda. Prodhimi vendas sipas tij do t’i sjellë mbi një miliard e gjysëm euro fitime qeverise ku partia e tij bën pjesë, pa llogaritur qindra milionë euro kursime në drejtësi dhe polici nga legalizimi i kanabisit.

Ja pra pse parlamenti ynë duhet medoemos të hapë një debat mbi kanabisin. Shqipëria e luftoi pa kompromis kanabisin se ishte bërë gazi i Europes. Por kur Europa vetë i ka hyrë një gare të ethshme debatesh për legalizimin e tij, të paktën atij mjekësor, kur Europa vetë po ç’penalizon përdorimin e kanabisit, a do të mund të thonim se jemi gazi i Europës, po të benim dhe ne si Europa?

Është e vështirë ta besosh sesi një temë e tillë mund të lërë indiferente në mënyrë thuajse unanime gjithë klasen politike. E veçanërisht në këtë moment diskutimesh të “zjarrta” mbi buxhetin kur arkës së shtetit i mungojne miliarda lekë për ta ekuilibruar deficitin publik. Nuk ka shurdh më të keq se ai që s’do të degjojë dhe qorr më të keq se ai që s’do të shikojë. Nuk do të jetë e habitshme që pas dy-tre vjetësh t’i shohësh po të njëjtët deputetë të kacafyten pse nuk e morën seriozisht dosjen e kanabisit. Por sa para do të vlejë në kuptimin e parë të fjalës? Dhe për sa kohë do të ketë tregje për kanabisin shqiptar përpara se ato t’i plotësojnë vetë nevojat e tyre? Në pamundësi për të kuptuar interesin ekonomik të kanabisit, të paktën deputetët tanë të kenë finesën e gjykimit për të bërë ligje që mos të vazhdohet të terrorizohet rina burgjeve për një të thithur cigareje “artizanale”. Për ç’penalizimin e kanabisit nuk do të jetë vonë kurrë…