Kameron ka një plan për të mposhtur ideologjinë e ISIS në Britani

Kryeministri britanik, Devid Kameron, është zotuar që qeveria e tij të thyejë përmes një strategjie të qartë ideologjinë helmuese të ekstremizmit islamik që ka ndikuar në rekrutimin e një numri gjithnjë e më të madh në radhët e organizatave terroriste.

Gjatë një fjalimi në një shkollë në Birmingam, kryeministri premtoi se do të vepronte për të delegjitimuar fasadën e Shtetit Islamik që u errëson sytë të rinjve, të cilët nuk arrijnë të dallojnë realitetin brutal.

“Mesazhi im ndaj të rinjve këtu në Britani që mendojnë të shkojnë atje është ky: nuk do të trajtoheni atje si pjestar i vlefshëm i ndonjë lëvizjeje. Vetëm sa do të përdoreni. Djemve do t’u ngjisin nga një bombë në trup dhe do t’i bëjnë lavazh truri për të hedhur veten në erë. Vajzat do t’i skllavërojnë dhe abuzojnë me to. Ky është realiteti i sëmurë i ISIS”

Në planin pesëvjeçar të hartuar nga qeveria britanike përfshihet edhe mundësia e konfiskimit të pasaportës së të rinjve që mendohet se janë në rrezik për t’u larguar nga vendi, por edhe nisma shoqërore në shkolla dhe forume të ndryshme jashtë shkollore, monitorim i rrjeteve sociale dhe kanaleve të huaja televizive që shpërndajnë mesazhe urrejtjeje, si dhe rritje e punës me të burgosurit dhe shtresat e marxhinalizuara për shmangur indoktrinimin e tyre.

Sipas autoriteteve britanike, rreth 700 persona janë larguar nga vendi deri më tani për t’iu bashkuar Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.