Kadare, një letër për Gjirokastrën në ditën e tij të lindjes

Në përvjetorin e tetëdhjetë të lindjes së tij, shkrimtari Ismail Kadare i ka dërguar një letër qytetit të lindjes, Gjirokastrës. Vetë shkrimtari nuk do të jetë në Gjirokastër për ceremonitë e organizuara me rastin e 80-vjetorit të tij, por me anë të një letre dërguar kryetares së bashkisë, Zamira Rami, Kadare shpreh falënderimet për qytetin ku ka kaluar 17 vitet e para të jetës, qytet i cili, siç shprehet ai, i ka dhënë gjithmonë më shumë sesa ajo çfarë ka dashur t’i japë ai.

E nderuara zonja kryetare e Bashkisë së Gjirokastrës,

Në pamundësi për të qenë midis jush për arsye që nuk varen prej meje, do të doja që, me anë të kësaj letre t’ju shprehja gjithë falënderimin tim, gjithë emocionin dhe, pse jo, mallëngjimin për ftesën tuaj të fisme, për të qenë pjesëmarrës në një ngjarje të gëzueshme, që lidhet me jetën time, më saktë, me shtatëmbëdhjetë vitet e para të saj.

Mendoj se jam i besueshëm në qoftë se do të them se jam përpjekur të ruaj marrëdhënie të përhershme me qytetin tim të lindjes, duke pasur bindjen në këtë rast, se ajo çfarë kam dashur t’i jap ka qenë gjithmonë më e paktë se ajo që më ka dhënë ai.
E dashur zonja Rami,

Ju drejtoni bashkinë e qytetit, që në adoleshencën time më ka pëlqyer ta quaj të çuditshëm. Me këtë cilësim, lidhej, me sa dukej, pamja e tij e pazakontë dhe ndërlikimet, që mendja ime s’i kapte dot.

Që një grua e re si ju, do të drejtonte një ditë qytetin me hije të rëndë mesjetare, kjo do të përbënte një nga befasitë e tij të radhës. Pa dashur të zgjatem, do të shtoja se këto befasi ngjanin shpesh të vështira, por ato sillnin me vete fat.
Duke ju uruar gjithë të mirat dhe duke përshëndetur nëpërmjet jush gjithë bashkëqytetarët e mi, ju përqafoj.

Ismail Kadare
Paris, 25 janar 2016.