Ja përse është i domosdoshëm dhe i padëmshëm ndërtimi i parkingut nëntokësor te Parku Rinia

Kohët e fundit po debatohet shumë lidhur me ndërtimin apo jo të parkingut nëntokësor në zonën e quajtur Parkut Rinia në kryeqytet.

Nga njëra anë të gjithë bien dakord se me këtë dendësi makinash, kryeqyteti e ka mëse të nevojshme ndërtimin e parkingjeve nëntokësore por nga ana tjetër ambientalistët, ndër të cilët Sazan Guri, shprehen se parkingu te Parku Rinia nuk duhet ndërtuar kurrsesi.

Për këtë nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku ka zhvilluar një seancë dëgjimore me përfaqësues të shoqërisë civile si edhe me përfaqësues të organizatave dëgjimore. Fjalën e tij Mazniku e hapi me fjalinë: Parku Rinia nuk preket nga ndërtimi i këtij parkingu, i cili zë vetëm një pjesë të vogël të tij dhe se parku do të rikthehet në gjendjen aktuale.”

Pasi sqaroi se studimi dhe projekti për ndërtimin e këtij parkingu daton shumë vite më parë që në kohën kur Edi Rama ishte kryebashkiak i Tiranës, Mazniku tha: “Parku ‘Rinia’, si park, nuk dëmtohet; pra, parku nuk preket në asnjë rast nga funksionaliteti i tij si park. Pjesa e vetme ku ndërhyhet është në anën e Ministrisë së Ekonomisë, një hapësirë shumë e vogël, ku do të jetë pika e hyrjes së parkingut, nga ku do të futen makinat”.

Ai u solli të pranishmëve në mbledhje edhe eksperiencat apo praktikat që kanë ndjekur kryeqytetet dhe qytetet e Europës lidhur me këtë çështje.

“Shumë nga ne i kemi parë, në mes të Vjenës, Milanos, Romës, etj,. Pra, në shumë nga këto qytete, nën parqe ka parkime të cilat lënë funksionimin e plotë të parkut sipër dhe nën park kanë ndërtuar parkim nëntokësor. Një shembull i kësaj është Bloomsbury Square në Londër apo një tjetër parking ngjitur me kullën Eiffel në Paris”, tha Mazniku.

Në fund nënkryetari Mazniku tha se parkingu nëntokësor në Parkun Rinia do ngrihet për tre argumente thelbësore: Së pari, sepse është një proces që zë fill në vitin 2005, së dyti, kemi të bëjmë me diçka të studiuar, pra nuk është marrë vendimi sot për sot, dhe së treti, parku nuk do shkatërrohet përkundrazi parku do ruhet dhe do vihet në dispozicion të qytetarëve, ashtu sikurse është edhe sot.