Ja ç’ka shkruar At Zef Pllumi për “torturuesin” e tij dhe Berishën

Dhënia e disa medaljeve të mirënjohjes për kontribut në luftën për çlirimin e Atdheut në 1944 vazhdon të trajtohet në media.

Përflitet veçanërisht një nga të dekoruarit.

Bëhet fjalë për Shyqyri Çokun, ish-hetues, për të cilin thonë që ka torturuar At Zef Pllumin.

Por vetë At Zef Pllumi çfarë ka thënë për ish-hetuesin e tij?  Në librin “Rrno vetëm per me tregue”, At Zef Pllumi shkruan se, individi në fjalë nuk e ka dhunuar, madje as nuk i kërkoi të pranonte akuzat, por e ka kërcënuar të mos përmendte apo komentonte gjatë gjyqit fjalimet e Enver Hoxhës:

“Më foli (Shyqyri Çoku) pa u ulur në karrike: Tash po del në gjyq dhe atje fol lirisht, si të duesh e shka të duesh, por mendo se mbas gjyqit prapë këtu në duert tona vjen. E kupton apo jo? A e ndigjove mbramë atë që lëshonte britma të tmerrshme? Ta bajmë ma zi se atij në rast se i përmend fjalimet e shokut Enver Hoxha. Na nuk durojm ta shajsh publikisht”.

Ironike është që për Berishën, i cili ka rrëmbyer flamurin e denoncimit të rastit, At Zef Pllumi ka shkruar se: “fenomeni Berisha do të jetë përpjekja e fundit otomane për mbijetesë në Shqipëri”.

Në një nga pasazhet e librit të Spartak Ngjelës “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, autori rrëfen një takim që ka pasur me fratin e njohur françeskan në 1992.

Kish disa muaj që Sali Berisha ishte zgjedhur President, dhe ishin dhënë disa prova prej tij në qeverisje. Këto prova e kishin shqetësuar shumë At Zef Pllumin, dhe në një bisedë me Spartak Ngjelën, kish thënë:

“Tash ka marrë fund gjithçka; në Shqipëri, për herë të tretë pas një përmbysjeje, ka fituar orienti; por ky orientalizëm i tanishëm, me anë të këtij njeru t’lig e impulsiv, do të jetë ma i rrezikshmi”.